Titaniku, historia e vërtetë që do t’ju thyejë zemrën

21:34 | 6 Janar 2017
Trina Galanxhi

Skena nga filmi legjendar ka prekur edhe zemrat më të ngurta, por pak njerëz e dinin se nuk po flitej për lirinë artistike, por për historinë e pabesueshme të vërtetë të njerëzve që nuk pranuan të shpëtojnë dhe kanë vendosur të shkojnë në vdekje “ashtu siç kishin jetuar – së bashku”.

Isidor dhe Ida Straus për shumë gjëra kanë qenë çift i ëndrrave. Edhe pse martesa e tyre ka qenë e pajtuar nga familja, dashuria mes biznesmenit amerikan me origjinë gjermane, një nga themeluesit e zinxhirit të tregtisë “Macy” dhe vajzës së edukuar mirë, familja e së cilës kohët e fundit arriti nga Evropa në Shtetet e Bashkuara, shumë shpejt ka lulëzuar dhe ka qenë e sinqertë dhe e thellë. Në vitin 1871 Isidor dhe Rosalie – Ida u martuan. Gjatë 15 viteve të ardhshme martesa u kurorëzua edhe me shtatë fëmijë. Miqtë dhe familja Isidorin dhe Idën i konsideronin shpirtmirë dhe bashkëshortë të cilët kanë qenë tepër të lidhur ndaj njëri-tjetrit. Isidor për shkak të punës së tij ka udhëtuar shumë, por me gruan e tij gjithmonë kanë shkëmbyer edhe nga disa letra në ditë.

Kur fëmijët janë rritur tashmë, Ida dhe Isidor nuk kishin më arsye të jenë të ndarë, kështu që Ida shpesh udhëtonte me burrin e saj. Ky ishte edhe rasti i këtij dimri fatal i vitit 1911/1912.

“Ku të shkosh ti, do shkoj dhe unë”

Çifti dimrin e kaloi në Evropë, kryesisht në Francë. Ishte e parashikuar të kthehen në shtëpi më herët, por greva e prodhuesve të qymyrit në Angli i shtyu planet e tyre. Isidorit i është thënë se drejt Amerikës, për aq kohë sa zgjat greva, sigurtë do të lundrojë vetëm një anije – madhështorja, “e pafundosshmja” Titanic.

Dhe kështu Isidor dhe Ida u gjetën në rrugë për në Amerikë më 14 prill 1912, kur Titaniku goditi një breg akulli dhe filloi të fundosej. Është vërejtur se çifti erdhi deri te varka e shpëtimit nr 8, të shoqëruar nga shërbëtorja e znj. Strauss, Ellen Bird. Meqë bëhej fjalë për një zonjë dhe zotëri në moshë, oficeri përgjegjës për evakuimin ju ofroi atyre vende në barkë, por Isidor nuk pranoi të shpëtohet për aq kohë sa në Titanik ka gra dhe fëmijë. Pas kësaj, as Ida nuk pranoi të hyjë në barkë.

“Ne kemi jetuar së bashku për shumë vite. Nuk dua që tani të ndahem nga burri im. Ashtu siç kemi jetuar, ashtu edhe do të vdesim – se bashku”, tha Ida, dhe këtë e kanë dëshmuar shumë, të cilët tashmë ishin në barkë.

Edhe pse burri i’u lut të shpëtojë, Ida nuk ndryshoi mendje. Shërbyeses së saj i dha pallton, thjeshtë duke i thënë se “asaj nuk do t’i duhej” dhe e vendos atë në barkë, dhe pastaj me burrin e saj është larguar. Për herë të fundit janë parë ulur në kuvertë duke u mbajtur për duar derisa rreth tyre gjithçka rrënohet dhe zhduket në ujërat e akullt të Oqeanit Atlantik.

Kur pasagjerët e mbijetuar të anijes “Carpathia” arritën në Nju Jork shumica, duke përfshirë edhe shërbëtoren Ellen, u treguan gazetarëve historinë e Isidor dhe Ida Straus, duke e quajtur si “shembulli më i pabesueshëm i dashurisë dhe përkushtimit”, dhe u zgjërua me shpejtësi në botë. Rabinët gjatë shërbimit në sinagoga u rrëfenin besimtarëve, gazetat shkruanin në lidhje me të, i është përkushtuar edhe këngë – “Katastrofa e Titanikut”, e cila ishte e popullarizuar në mesin e hebrenjve amerikanë.

Trupi i Isidor-it është gjetur dhe identifikuar, por i Ida-s ka mbetur përgjithmonë diku në thellësitë e oqeanit. Megjithatë, në varrin e Strauss-it në Bronx dashuria e tyre është përjetësuar përgjithmonë me një citat të thjeshtë nga “Këngë mbi këngët”: “Uji nuk mund ta shuaj dashurinë – as nuk mund ta fundosë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme