I implikuar direkt në 10 vrasje. I akuzuar për 20 vjedhje, grabitje prone e abuzime të këtij lloji.
Në tri raste kishte tradhtuar hapur Shqipërinë, duke dhuruar territore në këmbim të parave. Ishte vënë në shërbim të Italisë, Serbisë, Malit të Zi, Francës, Greqisë, në interes të pushtetit të vet dhe kundër Shqipërisë.
Vrasjen e Esad Pashë Toptanit nuk e mendonte vetëm Avni Rustemi. Atë të diel të 13 qershorit të vitit 1920, në vend të 2 plumbave nga pistoleta “Smith & Ëesson” Esad Pashë Toptani mund të kishte marrë edhe një tufë me lule si dhuratë për datëlindje.
Por fiks në ditën që pashai mbushte 57 vjeç, studenti nga Libohova e qëlloi për vdekje teksa po dilte nga hotel “Continental” në Paris, duke kryer kështu vrasjen më të bujshme të kohës, por edhe një nga më të bujshmet në historinë e Shqipërisë.
SKENA E VRASJES
Ishte ora 13.00. e 13 qershorit kur Esad Pashë Toptani doli nga hotel “Continental” në Paris.
Atë ditë mbushte 57 vjeç dhe kishte vendosur që datëlindjen ta festonte në “L’Escargot d’Or”, një nga lokalet më luksoze të Parisit në shoqërinë e dy personave: të së dashurës franceze, 22-vjeçares Eliz Dyfur, me të cilën bashkëjetonte prej dy vitesh, dhe të të nipit, Xhemil Bej Vlorës, që ndodhej në Paris.
Porositi te recepsionisti një makinë, e cila u parkua përpara hotelit; teksa Xhemili dhe Eliz u futën në makinë, Esadi po ecte disa metra prapa tyre.
Në këtë moment, krejt paparitur, studenti Avni Rustemi iu afrua Esadit nga prapa dhe, pa i thënë asnjë fjalë, e qëlloi me pistoletë dy herë. Herën e parë plumbi e kapi në pjesën ku qafa bashkohet me kurrizin, e ndërsa Esadi po rrëzohej, e qëlloi sërish përpara në anën e zemrës.
Esad Toptani vdiq në vend, kurse veprimi tjetër i atentatorit ishte hedhja e pistoletës mbi trupin e viktimës. Avni Rustemi nuk bëri ndonjë përpjekje për t’u larguar nga vendi i krimit.
Kjo u dha mundësi dy rojeve të sigurisë së hotelit dhe disa kalimtarëve të rastit ta kapnin duke ushtruar dhunë. Mbërritja e një polici që kaloi aty rastësisht u shoqërua me shtrëngimin e prangave në kyçet e duarve të tij.
EKZEKUTIMI
Avni Rustemi nuk e kishte takuar Esad Toptanin asnjë herë në jetën e tij. Por ama ato 5 herë që e kishte parë, e kishte fiksuar mirë.3 Të paktën, sipas dëshmisë së tij përpara komisarit francez Eugene Jublen, ai ndodhej rastësisht përpara derës së hotel “Continental”, kur befas doli prej andej gjenerali.
Në momentin kur e dalloi që ishte pikërisht ai, mendja i shkoi në dy gjëra: te revolveri që mbante në xhepin e djathtë të xhaketës dhe te krimet që kishte kryer Esadi.
Ja si e përshkruan vetë studenti 25-vjeçar Avni Rustemi momentin e vrasjes përpara trupit gjykues në gjykatën e Parisit:
“Esat Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, gjithë historia e Shqipërisë m’u përshkua në mendjen time dhe më pushtoi një turbullim i madh. Kapa në xhep të djathtë revolverin e mbushur me 6 fishekë që e mbaja me vete dhe qëllova disa herë… Ai u rrëzua gati menjëherë dhe unë e hodha shpejt për tokë revolverin”.
Mustafa Kruja është një nga ata që jo vetëm e kanë njohur mirë Esad Pashë Toptanin, por edhe kanë shkruar për të. Babai i Mustafa Krujës ishte shërbëtor i Esad Pashë Toptanit dhe, për më tepër, ka qenë Esad Pashë Toptani ai që i ka paguar studimet e Mustafa Krujës.
Më mirë se Mustafa Kruja nuk mund të ketë njeri që ta ketë njohur atë. Mustafa Kruja e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esad Pashë Toptanit “I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri s’dij kushit prej Kavaje, kinse për
një bursë studimi n’atë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha) dhe vojt e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: ”Ndal, tradhtar i atdheut!”. Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë revolverin a pistolën që kishte pas ble, nuk dij në Romë apo në Paris. Kto janë fakte që di mbi vrasë t’Esat pashë Toptanit”.
SI U ORGANIZUA VRASJA?
Ditët e Avni Rustemit përpara se të vriste Esad Pashë Toptanin janë të denja për një vrasës profesionist. Raportet e shërbimit sekret dhe policisë franceze grumbulluan të dhëna mbi shqiptarin dhe për 14 ditët e tij pariziane.
Nga dita e parë që mbërriti në Paris e deri momentin që vrau Esadin jeta e tij ndryshoi shumë. Kur mbërriti ishte i paveshur mirë, aq sa nuk e pranuan në hotel “Prens Alber”.
Por shpejt porositi rroba të reja në vlerën 375 franga, nga këto 100 franga i dha paradhënie. Paratë me vete i kishte lira italiane dhe më pas i konvertoi në franga. Shëtiste me taksi Parisin i shoqëruar nga francezi Ajhbar. Pa me kërshëri disa muze, por mendja e sytë i mbetën te kulla Ejfel. Pas disa ditësh kërkoi të stërvitej për qitje në një shkollë.
Madje, kërkoi të blejë edhe pistoletë. Nga 31 maji deri më 6 qershor harxhoi 1 mijë franga franceze, ndërsa nga 31 maji deri më 13 qershor ka bujtur në dy hotele. I pari, hotel “Tyilëri”, rruga “Hiasentë” dhe i dyti, hotel “Monmatrë” rruga 32, lagja “Monmatrë”.
Në të dy hotelet nuk fliste me askënd. Më 13 qershor duket sikur Avni Rustemi ndryshoi sjellje. I kërkoi kamarierit që t’i sillej shpejt ushqimi, sepse kishte një takim dhe në 12.30 u largua. Në orën 13.00 vrau Esad Pashë Toptanin.
ARSYET E VRASJES
Ishin shumë ata që besonin se Esad Pashë Toptani kishte dorë në të paktën 10 vrasje. Eqrem bej Vlora, djali i motrës së Esadit, në kujtimet e tij e çimenton natyrën kriminale, të dajës së vet.
“Ky njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ecte mbi kufoma dhe nuk turpërohej sa here ia donte puna t’i lyente duart me gjak.”
Për ta kuptuar qartë përse Esad Pasha e kishte kaluar cakun, lexojmë këtë dialog jo me një njeri të llojit të tij, por me të kundërtin. Mehdi Frashëri, një njeri që nuk i bënte keq as një mize, në hollin e një hoteli në Paris, ka shkëmbyer këto fjalë me atë që do të ekzekutohej vetëm disa muaj më pas.
“Më erdhi një ditë (në Paris ) Esad Pasha në hotel dhe unë rrija në sallon. Ai erdhi, e mbasi më ngjatjetoi, ndënjti në karrige e menjëherë tha se kishte ardhur për Myfid beun, me qëllim që ta kuptoja unë se nuk dëshironte të më vizitonte… Më tej shtoi se “kur të vij në Durrës, qeverinë tuaj do ta var”. Unë i thashë se kjo punë nuk dihet, nëse ne të varim ty, apo ti ne”.7
Po a e ndiente vetë Esadi që mund ta vrisnin? A kishte frikë ai dhe nga kush ruhej? Në rrëfimin e saj në procesin gjyqësor, e dashura franceze e Esad Pashës, 21-vjeçarja Eliz Dyfur, ka lënë një kujtim vërtet interesant:
“….Më kishte folur disa herë mbi çështje të vendit të tij dhe shpresonte mjaft të merrte në dorë pushtetin së afërmi… Më kishte thënë se në Shqipëri kishte shumë armiq e se në Turqi ishin premtuar të holla për kokën e tij, por nuk dukej se kishte frikë që ta gjurmonin armiqtë e tij në Francë”.
Por vetëm vrasësi mund ta vizatojë më mirë me fjalë viktimën përpara se ta realizojë këtë.
Artikulimi i Avni Rustemit në sallën e gjyqit është impresionues.
“Pashë gjeneralin që po dilte me një qendrim kaq kryelartë, saqë më kapi emocioni duke m’u kujtuan mizoritë që kishte bërë ai në Shqipëri. Lexova mbi ballin e tij fatkeqësitë e Shqipërisë dhe u impresionova aq tepër, sa nuk dija ç’të bëja. Shtiva kundër tij për të gjitha këto arsye”.
Por një raport i policisë franceze lë të kuptojë se Avni Rustemi kishte kohë që e kishte planifikuar vrasjen. Sipas agjentëve të saj, Avniu mund të ketë takuar Mehmet Konicën, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, përfaqësues i delegacionit të dërguar nga qeveria e Turhan Pashë Përmetit. Nëpërmjet Konicës, Avni Rustemi duhet të ketë marrë shumë informacion, mes tyre edhe faktin që Esad Pasha prezantohej si kryetar i një delegacioni paralel nga Shqipëria.
Këtë e konfirmojnë edhe dy takime të tjera të Avniut në Paris. Së pari ai takoi Gjergj Gogën, sekretar i Esad Pashë Toptanit në ekspozitën shqiptare në rrugën “La Boesi”10. Dhe takimi i dytë ka qenë me Pal Terkën, ministri i Jashtëm i qeverisë së pretenduar nga Esad Pasha.
Terka ka thënë në polici se bashkë me Esadin kishin ardhur për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, një informacion që duhet t’ia ketë thënë edhe Avniut. Këto të dhëna ishin vlerë e shtuar e qindra informacioneve të tjera që ai kishte grumbulluar rreth Esadit. Ato ishin si një kupë e mbushur që po derdhej dhe nga ky moment Avni Rustemi nuk kishte më dilema. Vendosi ta vrasë dhe ashtu bëri.
HETIMI DHE GJYKIMI
Autor i pafajshëm. Historia e jurisprudencës botërore nuk njeh një rast të dytë që të vërtetojë se dikush është edhe autor i një krimi, por edhe të shpallet i pafajshëm. Por duket se gjithçka është bazuar mbi mbrojtjen spektakolare që i ka bërë avokati. Mbrojtësi juridik i Avni Rustemit ishte Anatole De Monzie, që do të bëhej më vonë disa herë ministër i Francës.
Argumentet e tij në sallën e gjyqit me “paramendimin e një populli të tërë” janë unikale:
“A ishte krim politik? Jo, ishte një krim pasioni, sepse nuk ka gjë më të shenjtë se sa dashuria për atdheun”.
Gjykata e Parisit vendosi që autori Avni Rustemi të shpallej i pafajshëm dhe ai u lirua në sallën e gjyqit. Nëse hetimi zgjati 5 muaj e 16 ditë, procesi gjyqësor zgjati 24 orë. Ai nisi më 29 nëntor dhe në mbrëmjen e 30 nëntorit trupi gjykues me 12 anëtarë deklaroi pafajësinë e Avni Rustemit.
*Marrë nga libri “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar 1912-2017”, pregatiti gazeta “TemA”)
Rexhep Selimi i dërgon një dhuratë Ramës nga Haga
Kurti: Sulmet terroriste e kanë bërë çështje urgjente anëtar...
Rama: Dekada e fundit vendimtare për Shqipërinë, rol përcakt...
Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në NATO do t’i jep fund apetit...
Der Spiegel: Kosova ka humbur rreth 12 për qind të popullsis...
“Ish krerët e UÇK-së po mbahen peng në Hagë”, Rama nga Prish...