Google ADS

Si u krijua miti i Skënderbeut në Evropë?

00:27 | 8 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Studiuesja dhe historianja e njohur Luçia Nadin ka botuar në numrin 3-4, viti 2016 në revistën “Shejzat” një shkrim me titull “Ndikimi i mitit të Skënderbeut në Teatrin Venedikas të ‘700”. Në hyrje të këtij shkrimi, ajo flet për mitin e Skënderbeut, mënyrën si u krijua, kush e adaptoi dhe në ç’fusha të artit u përdor.

Se sa i larmishëm ka qenë leximi i figurës së Skënderbeut në vende të ndryshme të Evropës, aq sa të vazhdojë edhe sot e kësaj dite të jetë objekt studimesh dhe shqyrtimesh kritike, dëshmohet nga simpoziumet që vazhdojnë t’i kushtohen. Mund të përmendim këtu dy kuvendet e fundit ndërkombëtare, në Napoli 2005 dhe në Lecce 2010.

Heroi arban u bë një hero që kapërceu kufijtë e kombit të tij, u kthye në ballë të perëndimit evropian në një vend kyç nga ana gjeo-strategjike, dhe si i tillë, shpejt u shndërrua në një mit.

Nëse shfletojmë përmbledhjet bibliografike të veprave që i janë kushtuar Skënderbeut, do të gjejmë me qindra tituj ku hyjnë biografi, shkrime historiografike, poema, romane, drama, tragjedi, novela ekzotike dhe me frymë orientale, tregime, librete operash, stampa e piktura.

Miti i Skënderbeut u përhap shumë nëpërmjet artit teatral, veçanërisht gjatë viteve ‘600, spanjollët, francezët dhe italianët për shkak të mesazhit që ai transmetonte: qëndresa e krishterë kundër osmanëve.

Kështu, nuk është rastësi që pak kohë pas nënshkrimit të Paqes së Passarowitzit në vitin 1718, e cila duhej t’i jepte fund përplasjeve shekullore mes Venedikut dhe Portës së Lartë, u përurua në Firence teatri “La Pergola” në vitin 1721 duke shfaqur si të parën dramë, dramën me tekst të Antonio Salvit dhe me muzikë të Antonio Vivaldit me titull “Skënderbeu”. Drama ishte menduar, hartuar dhe kompozuar nga Vivaldi gjatë kohës së luftës turko-austro-venedikase, e cila zgjati nga viti 1714-1718.

“Komeditë e Artit” u krijuan në Italinë e shekullit XVI dhe ishin pjesë teatrale të cilat ishin të shkruara, por interpretoheshin lirisht nga aktorë që dilnin në skenë me maska. Ato aktorë ishin pjesë e trupave të lëvizshme të cilat interpretonin në skena të improvizuara.

Në këtë zhaner të teatrit, dëshminë më të saktë e jep shkrimtari Carlo Goldon, i cili, në një letër drejtuar mikut të tij, thotë se tema e Skënderbeut gëzonte një sukses të madh në Teatrin Venedikas të viteve ‘700.

Një vepër tjetër teatrale kushtuar Skënderbeut është vepra “Scanderbech” e shkruar nga Trifon Smecchia, e cila nuk u botua asnjëherë. Është vetëm një dëshmi që provon ekzistencën e asaj vepre. Ajo jepet nga studiuesi Giussepe Gelçiq i cili, në vitin 1915, pohonte se e kishte parë dorëshkrimin. Ndërsa vite më vonë, në 1968, Atë Vinçenc Malaj do të thoshte se dorëshkrimi i përkiste shekullit XVIII, por tani ai nuk gjendej.

Miti i Skënderbeut si një njeri që i bëri ballë osmanëve, vazhdon të jetë edhe sot objekt studimi dhe frymëzimi. /Konica.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme