Pothuajse për të gjithë përshtatja me ritmin e ri nuk është e thjeshtë. Por me disa këshilla mund t’ia arrini qëllimit.
E sotmja shënon të dielën e fundit të muajit mars dhe bashkë me këtë edhe ndërrimin e akrepave të orës dhe zhvendosjen e tyre një orë përpara. Ky ndryshim i orës tashmë ka ndodhur në orën 02:00 të mëngjesit ku ora shënoi menjëherë 03:00.
Sipas ekspertëve, ndryshimi i orës në fakt sjell disa disavantazhe për mirëqenien tonë. Organizmi i njeriut e ndien menjëherë ndryshimin, njësoj siç ndihet lodhja fizike me të cilën përballemi kur kalojmë nga një zonë orare në një tjetër, pas një udhëtimi të gjatë ajror.
Pavarësisht ndryshimit vetëm për një orë, kjo periudhë i bën njerëzit të ndihen jo mirë, me një ndjesi boshe.
Sipas psikiatrit John Sharp, i diplomuar në Universitetin e Havardit, oreksi më i madh për të ngrënë, vështirësia për të fjetur ose përgjumja e tepruar mund të jenë shqetësime të lidhura me ritmet e reja. Në praktikë, organizmi ynë është i detyruar që të përshtatet me këtë situatë të re, ku për çdo gjë që bëjmë do të na duhen më shumë përpjekje dhe vendosmëri.
Ndryshimi i orës shkakton rritje të stresit dhe një lodhje të përgjithshme, që ndikon edhe në kapacitetin tonë të përqendrimit. Edhe prej këtij motivi është evidentuar një rritje e numrit të aksidenteve rrugore, më së shumti të hënën e parë pas fundjavës së ndërrimit të orës.
Trupi ynë mund të vijojë të ndiejë ndryshimin edhe në ditët pasardhëse. Sipas një studimi të publikuar në “Neuroscience Letters”, njerëzit tentojnë të flenë më pak dhe shohin më pak ëndrra në periudhën e kalimit nga ora diellore në atë ligjore, e anasjelltas.
Mundohuni të qëndroni në ajër të pastër çdo ditë, të paktën gjysmë ore: në këtë mënyrë, ora biologjike ndihmohet për të bërë dallimin ndërmjet ditës dhe natës.
Dieta (ushqimi) luan një rol shumë të rëndësishëm: thojini po sheqernave të lehta (domateve, orizit, makaronave, bukës), produkteve të qumështit dhe frutave (bananeve, mandarinave dhe fiqve) që nxisin gjumin.
Nga ora 10 e darkës dhe pak më pas është mirë që të filloni përgatitjet për të fjetur, fikni dritat, eliminoni zhurmat dhe ndërprisni aktivitetet.
Një dhomë gjumi e parregulluar apo e rrëmujshme nuk e favorizon gjumin. Së fundi, hidhini një sy dyshekut: ai nuk duhet të jetë shumë i fortë, por as edhe shumë i butë, sepse, përndryshe, shpina juaj nuk do të ketë një mbështetje të mirë.
Gjithsesi, pas kalimit të ditëve të para të këtij ndryshimi, çdo gjë do të kthehet në normalitet, në përputhje me zakonet tuaja. Të paktën deri në vjeshtë, kur ne do të njoftohemi përsëri për ndryshimin e orës.
Nëse nuk arrini të flini, ngrihuni
Të gjithë kemi pasur net kur kemi vuajtur nga pagjumësia ose jemi zgjuar në mes të natës dhe nuk kemi fjetur dot më. Shmangni të shikoni orën, e cila jua shton më shumë ankthin. Nëse keni qëndruar zgjuar në shtrat për më tepër se 20 minuta, është mirë të çoheni, të ndërroni ambient e të merreni me diçka që ju qetëson.
Mbani ndriçim të ulët, pini një gotë qumësht të ngrohtë me pak mjaltë, lexoni një libër ose shkruani çfarë t’ju vijë në mendje derisa t’ju rëndohen qepallat.
Bëni joga
Qëndroni shtrirë me shpinë dhe përpiquni të relaksoheni dhe të rrini të qetë. Pak a shumë do të duket sikur jeni “pa frymë, si i vdekur”.
Shtrihuni me shpinë mbi një sipërfaqe të drejtë, me krahët dhe këmbët e shtrira drejt por jo duke prekur trupin tuaj, pëllëmbët duhet t’i drejtoni për lart.
Qëndroni në këtë pozicion për disa minuta, ose për aq kohë sa ju pëlqen.
Kjo do të ndihmojë të relaksoni shpirtin dhe trupin tuaj.
Bëni ushtrime gjatë ditës
Edhe ushtrimet më të moderuara, si ecja, ju ndihmojnë të flini më mirë, ndaj përpiquni të ecni për rreth 30 minuta, tre herë ose më shumë gjatë javës. Nëse ju ndodh të mos flini rehat, mundohuni të mos kryeni aktivitet fizik shumë afër kohës së gjumit. /Telegrafi/
Liverpool në kërkim të shkëputjes në tabelë përballet me Lei...
Cunha i shënon gol direkt nga korneri Man Unitedit
Akanji flet për çështjen e titullit kampion: Tani nuk është ...
Vullneti: Gjesti po luan me Drilonin që të e fitojë vendin n...
Gjysmë orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë, kj...
Aksidentohet autobusi me 58 persona në Norvegji, raportohet ...