Si i kanë marrë emrat oqeanet

15:23 | 28 Shtator 2017
Arbresh.info

Para se të themi emrat e pesë oqeanëve të planetit, le të shpjegojmë vetë fjalën oqean. Ajo vjen nga greqishja “okeanos”, e cila do të thotë “rrymë e madhe që rrethon diskun e tokës”. Fjala oqean fillimisht tregonte gjithë masën e ujit për të cilën grekët e lashtë besonin se rrethonte masën e vetme të tokës.

Ja dhe origjina e emrave:

Oqeani Indian

E thjeshtë fare dhe pa ndonjë interes nga ana gjuhësore, e ka emrin të tillë sepse është në jug të Indisë.

Oqeani Paqësor

Nuk është pagëzuar kështu ngaqë është një oqean i qetë, përkundrazi. Ai u quajt Mar Pacifico (deti paqësor, i qetë) emër në gjuhët portugeze, spanjolle dhe italiane, nga eksploratori portugez Fernando Magellan, për shkak se pati një lundrim të qetë kur doli për herë të parë në të, më 1520. Në shqip quhet shpesh edhe Oqeani i Qetë.

Oqeani Atlantik

Atlantik vjen nga greqishtja Atlantikos, nga Atlasi, Titani i mitologjisë greke që mbante qiellin mbi supe. Termi Atlantik fillimisht iu referuar Maleve Atlas në Afrikën Veriore, dhe për rrjedhojë edhe detit në bregun e Afrikës Perëndimore e më pas u përdor për të gjithë oqeanin.

Oqeani Arktik

Ai rrethon Arktikun, pra zonën rreth Polit të Veriut. Origjina e emrit Arktik vjen gjithashtu nga greqishtja e lashtë, “arktos”, që do të thotë arí, ashtu si dhe Arusha e Madhe (Arktos Megales) dhe ylli polar. Lidhja midis ariut dhe yllit vjen nga mitologjia greke, sipas së cilës nimfa Kalisto u shndërrua në ari nga Zeusi dhe u vendos në yjësinë në qiell. Në shqip, Oqeani Arktik quhet edhe Oqeani i Veriut ose (më rrallë) Oqeani i Ngrirë i Veriut.

Oqeani Antarktik

Ky emër nuk është shumë i hasur në gjuhën shqipe, pasi përdoret më tepër Oqeani i Jugut, ashtu si dhe në gjuhët e tjera. Megjithatë, origjina e emrit Oqeani Antarktik është gjithashtu e thjeshtë: Antarktik do të thotë “e kundërta” e Arktikut. Të dy emrat janë përdorur në fjalorin e Universitetit të Oksfordit pothuajse në të njëjtën kohë, ndonëse në dy shekuj të ndryshëm: Oqeani Antarktik është shfaqur si emër më 1699, ndërsa Oqeani i Jugut më 1702.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme