Objektet e famshme të Moskës, Sheshi i Kuq, Kremlini dhe kupolat e Katedrales së Shën Vasilit, janë mbushur me tifozët e Kampionatit Botëror të Futbollit që përfitojnë nga rasti të bëjnë vizita turistike mes lojrave.
Por pak më tutje, turistët më kuriozë mund të gjejnë një kompleks apartamentesh që nuk bie në sy, historia e të cilit hedh dritë mbi ditët më të errëta të Bashkimit Sovjetik.Siç njofton nga Moska korrespondenti Henry Ridgwell, ajo histori është bërë përsëri subjekt i një debati të ashpër në Rusinë moderne.
Është një shtëpi sekretesh dhe hijesh, paranoje dhe ndëshkimesh të dhunshme.“Shtëpia mbi Bregun e Lumit” mishëron historinë e revolucionit dhe diktaturës në miniaturë. Ajo gjendet shumë pranë Kremlinit dhe u ndërtua në vitin 1931 për të strehuar elitën qeverisëse të Bashkimit Sovjetik.
Brenda 500 apartamenteve të bllokut, Olga Trifonova menaxhon muzeun e kësaj shtëpie.
“Njerëzit që jetonin këtu, ishin të ashtuquajtur ‘Bolshevikë të vjetër’. Ishin njerëz të afërt me njëri-tjetrin, përsa i takon mentalitetit dhe ideologjisë, si edhe fatit të tyre”.
Ata bënin një jetë luksoze: teatër dhe bare në shtëpi, biblioteka dhe palestra. Por dëshira për t’u dukur filloi të binte ndesh me idealet e revolucionit komunist.
Në mes të viteve 1930, udhëheqësi sovjetik Josif Stalin filloi ‘spastrimin e madh” për të eliminuar ata që u quajtën “armiq të klasës punëtore”.
Një milionë vetë u burgosën dhe 700 mijë u ekzekutuan. Banorët e Shtëpisë mbi Bregun e Lumit, dikur elita e revolucionit, ishin mes të parëve. Arrestimet dhe zhdukjet krijuan një paranojë mbytëse.
“Banorët e kompleksit nuk shkonin më për vizita tek njëri-tjetri. Nuk kishin më besim tek të tjerët”.
800 banorë u arrestuan. Afro gjysma u ekzekutuan.
Bashkëshorti i Olga Trifonovas, Yuri ishte rritur aty.Babai i tij u arrestua gjatë spastrimit dhe nuk u pa më, ndërsa e ëma u dërgua në Gulag. Në vitin 1976 Yuri Trifonov shkruajti një libër me kujtimet e tij, nga ku e merr emrin kompleksi i apartamenteve.
“Është një rrëfim për natyrën e frikës: se si frika e cungon njeriun përgjithmonë”.
Kujtimet e asaj frike, duket se po zbehen. Sipas një ankete të vitit të kaluar, Stalimi është figura historike më e jashtëzakonshme e Rusisë.
Shtëpia mbi Bregun e Lumit nuk ka gjasa të jetë në krye të listës së objekteve turistike për shumë nga vizitorët e Kampionatit Botëror. Por vazhdon të qëndrojë në anë të lumit të Moskës si një relike e brutalitetit të Stalinit dhe ende ka disa nga pronat më të shtrenjta të Moskës.
Por nuk është e lehtë të gjenden blerës. Dmitry Taganov është me agjencinë e pasurive të patundshme “INCOM”
“Shumë blerës druhen nga e shkuara e errët e kësaj Shtëpie. Shumë njerëz pa dyshim e dine këtë, edhe ata që i takojnë brezit të ri”.
Një brez që po krijon në mendje imazhin e vet historik për Stalinin dhe trashëgiminë e komunizmit./gsh/
Vritet një 37-vjeçar në Gjilan
KAS i kundpërgjigjet FFK-së për vendimin mbi padinë e FC Pri...
Ambasadori britanik viziton burgun e Lipjanit, merr dhuratë ...
Kos paralajmëron ndryshim të qasjes në dialogun Kosovë-Serbi
Donald Tusk: Fitorja e Trump do të ketë pasoja për sigurinë ...
FOL: Qeveria po propozon praktika të gabuara ligjvënëse