Sharlota lindi në një familje që trashëgonte genin e vetëshkatërrimit. E ëma, tezja, daja e tezja e së ëmës, një aradhe kushërinjsh e kushërirash, kishin vendosur t’i jepnin fund jetës papritur…
Sharlotë Solomon me gjyshërit Por Sharlota trashë¬ goi dashurinë për jetën, dellin artistik dhe luftoi jo vetëm me trashëgiminë, por sa mundi edhe kundër një tjetër mynxyre, nazizmit, prej të cilit nuk doli dot e gjallë, shkruan panorama.
Ajo dha frymë bashkë me jetën që rritej brenda saj. “Sharlota”, kështu titullohet një nga romanet më të njohur të shkrimtarit francez David Foenkinos, i njohur për lexuesin shqiptar me “Delikatesën”. Një botim i shtëpisë botuese “Pegi” dhe shqipëruar mjeshtërisht nga Edmond Tupja. Ky libër i vjen lexuesit shqiptar në prag të Ditës së Kujtesës, kur e gjithë bota kujton 6 milionë viktimat e përndjekjes së Adolf Hitlerit ndaj popullsisë hebreje.
SHARLOTA
Foenkinos, që me shumë delikatesë synon të depërtojë në shpirtin njerëzor, sidomos në vuajtjen dhe lotin e një gruaje, kthehet pas në kohë. Ai rrëmon në ditarët dhe kujtimet e jetës së piktores gjermanohebreje, Sharlotë Solomon, duke zbuluar dritëhijet e jetës së një vajze artiste me një të kaluar familjare tragjike dhe me vulën e “gjakprishurve”. “Sharlota” rrëfen historinë e artistes Sharlotë Solomon, e lindur në prag të Luftës së Dytë Botërore në Berlin, në një familje hebraike. Si të mos mjaftonin traumat që do të shoqëronin jetën e saj, mes të cilave dhe vetëvrasja e së ëmës, Sharlota duhej të rritej, të edukohej dhe dashuronte, pikërisht në periudhën e marrëzisë naziste. Gjatë viteve të përndjekjeve, ajo gjen qetësinë te piktura. Kur përndjekja e hebrenjve arrin kulmin në Berlin, kur artistët u futën në kampe internimi dhe u shuan njëri pas tjetrit, ajo kërkoi shpëtim në Francë, ku në vetminë më të thellë, përjeton ethshëm kujtimin e dashurisë e të braktisjes dhe krijon një sërë veprash autobiografike (imazhe, fjalë dhe referenca muzikore), të cilat rrëfejnë gjithë historinë e jetës së saj. Një histori e dhimbshme, ku tragjedia individuale dhe familjare ndërthuret me tragjedinë e një kombi përherë në arrati; ku ideologjitë vrastare, etja për pushtet, marrëzitë dhe verbëritë kolektive shkaktojnë miliona viktima. Në tetor të vitit 1943, ajo u deportua në kampin e vdekjes në Aushvic, nga ku nuk u kthye më.
RRËFIMI
Foenkinos na rrëfen disa breza “Sharlotash”. Është gjyshja, tezja, e ëma dhe ajo vetë. Këto jetë, që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme te njëratjetra, ai preferon t’i rrëfejë përmes një strukture të veçantë tekstore. Zgjedh prozën në vargje, duke i dhënë tekstit ritmin dhe emocionin e poezisë, pa dëmtuar rrëfimtarinë. Rrëfimi nuk është linear, ai udhë¬ ton nga njëri vit në tjetrin, kthehet pas në kohë, për t’u kthyer sërish tek e tashmja e trazuar e Sharlotës. “Teksti zhvillohet si një psalm i shenjtë, një varg fjalish të shkurtra, të gjata jo më shumë se një rresht. Ky kufizim e detyron autorin të mbajë njëfarë serioziteti, thekson tensionin, shmang shkarjet në lotime. Ky roman magjepsës lexohet si të ishte një rrëfenjë e kaluar gojarisht nga babai te biri, një rrëfenjë që nuk duhet harruar”, shkruan për librin “Le Figaro”. Siç tregon vetë autori, burim kryesor për ndërtimin e këtij romani është bërë vepra autobiografike e Sharlotë Solomonit “Jetë? apo Teatër”, një vepër që u zbulua pas vrasjes së saj në moshën 26¬ vjeçare dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. Nuk i ka munguar suksesi edhe veprës së Foenkinosit. “Sharlota” u kthye në një fenomen letrar ndërkombëtar, duke fituar disa çmime letrare (ndër to, Renaudot dhe Goncourt des Lycéens) dhe u bë një bestseller i papritur.
NGA LIBRI
I hipin te treni nr. 60. Në një vagon për dyzet persona, ngjishen shtatëdhjetë. Me gjithë bagazhe, sigurisht. Aty ka të çmendur dhe pleq që i kanë kapur nëpër azile. Kujt mund t’i besohet se do t’i shpien në një kamp pune? Përse i marrin të sëmurët mendorë dhe ata me një këmbë në varr? Kjo hollësi hedh dritë mbi të vërtetën. Një djalë i ri thotë: Do të na vrasin, duhet të ikim. Kështu që kërkon si e si t’ia mbathë, do që të thyejë dërrasat e vagonit. Disa persona i hidhen sipër për ta penguar. Gjermanët kanë qenë shumë të qartë në këtë pikë. Në zbulofshin se mungon qoftë edhe një, do të ekzekutohen të gjithë të tjerët. … Më në fund, treni arrin atje ku duhej. Nata është krejt e errët dhe e akullt. Ashtu si në nisje, vagonët rrinë të mbyllur. Përse nuk i hapin? Përse nuk i lënë të marrin ajër? Duhet pritur sa të zbardhë. Kjo zgjat më se dy orë. Çdo i shpërngulur zbret më në fund nga treni. I llahtarisur, i rraskapitur, i uritur.
Mjegulla e mëngjesit nuk të lë ta dallosh kampin. Nuk shquhen as qentë që lehin. Syri të zë vetëm një mbishkrim sipër kangjellave të hyrjes: Arbeit Macht Frei. Puna të bën të lirë. Tani të gjithë duhet të rreshtohen.
Aleksandri me Sharlotën e dinë se përsëri do t’i ndajnë. Ata përfitojnë nga çastet e fundit që po kalojnë bashkë. Pas pak do t’u thonë se te cili grup duhet të shkojnë. Disave do t’ua kursejnë vdekjen e menjëhershme. Sepse treni i tyre ka mbërritur të nesërmen e festës së Kipurit. Atë ditë kur nazistët futën në dhomat me gaz pak më shumë se zakonisht. Si për t’u vënë në dukje rëndësinë e këtij veprimi. Kështu që nëpër baraka ka më shumë vende të lira. … Te hyrja e ndërtesës mund të lexosh se atje gjenden dushet. Para se të futet brenda, secila zhvishet. Rrobat duhen vënë në një varëse. Një roje femër çirret me të madhe. Para së gjithash, mos harroni numrin e varëses suaj. Gratë e ngulin në kujtesë këtë shifër të fundit.
Dhe hyjnë në sallën e pafund. Disa mbahen për dore. Atëherë, dyert mbyllen me dy të rrotulluara çelësi, si në burg. Lakuriqësia, nën dritën e akullt, i gërryen trupat. Bie në sy Sharlota me barkun e fryrë. E rrethuar nga të tjerat, ajo nuk lëviz. Duket sikur shkëputet nga ai çast. Për të mbetur atje.
Rohde i shqetësuar për moscertifikimin e Listës Serbe: Proce...
Rusia marrë propozime për të zhvilluar një takim mes Putin d...
100-vjetori i themelimit të Klubit të Futbollit Prishtina, K...
LDK shënon 35 vjetorin e themelimit, Abdixhiku: Lidhja ka qe...
Gjendet pa shenja jete një person në Zubin Potok
Kurti nesër merr pjesë në përurimin e rrugëve Dragash-Brod d...