Para pak ditësh ishte 17 nëntori, dita e çlirimit të Tiranës.
Ky më poshtë është një përshkrim i gazetarit të njohur amerikan, Peter Lucas, botuar në DITA.
Lucas rrëfen ditën kur Enver Hoxha dhe njerëzit e tij hynë në Tiranën e çliruar.
Bëhet fjalë për një nga rrëfimet më interesante për atmosferën në Tiranën e sapoçliruar.
Ishte 28 nëntor 1944. Kryeqyteti ishte ende gërmadhë nga luftimet që ishin zhvilluar aty vetëm dhjetë ditë më parë, në 17 nëntor.
Shkodra nuk ishte çliruar ende.
Përshkruhet si u pritën udhëheqësit e rinj nga banorët e kryeqytetit, fjala e Hoxhës në tribunën e ngritur para hotel Dajtit, shenjat e para të luftës për pushtet, armiqësia e Enverit me anglezët dhe ftohja me amerikanët…
***
Nga Peter Lucas
Festimi për çlirimin e Tiranës filloi herët në mëngjesin e 28 nëntorit 1944, kur gjashtë aeroplanë bombardues anglezë Halifax fluturuan ultas mbi qytet dhe hodhën fletushka me përshëndetje dhe urime. Aeroplanët, të cilët kishin kontribuar aq shumë për fitoren partizane, mandej u ulën mbi fushën e aviacionit dhe hodhën pako me ushqime që u rrëmbyen menjëherë nga njerëz të uritur.
Pavarësisht se në Tiranë kishte ushqime – me çmime shumë të kripura – kishte mungesë të bukës. Furrat dhe dyqanet që ishin mbyllur gjatë luftimeve nuk ishin rihapur, ndërsa tregtarët dhe qytetarët nervozë prisnin mbërritjen e Enver Hoxhës dhe të ardhmen që sillte ai.
Pas ikjes së aeroplanëve anglezë, u dëgjuan 21 të shtëna topash, kryesisht të kapur nga gjermanët dhe italianët, kur Hoxha në krye të një grupi komandantësh të tij hyri në Tiranë për paradën e fitores. Ishte zgjedhur kjo ditë pasi ishte përvjetori i ditës së vitit 1912 kur Shqipëria shpalli pavarësinë e saj nga Perandoria Osmane në qytetin e Vlorës.
Hyrja e Enver Hoxhës në Tiranë
Kryetari i një qeverie të përkohshme shqiptare, kishte veshur një uniformë të re me një rrip mesi Sam Browne dhe me një kapele të stolisur me një yll të kuq. Kishte dorashka. Këpucët e tij shkëlqenin. Ai rrezatonte besim, sikurse duhej ta kishte. Ai ishte kthyer tashmë në qytetin që kishte qenë i detyruar ta linte pas pushtimit italian. Atëhere ai kishte vetëm një dyqan të vogël. Tashmë sundonte gjithë vendin.
Hoxha u prit nga Shehu dhe Myslim Peza në rrethinat e qytetit. Të dy udhëheqësit luftëtarë i bënë Hoxhës një përshkrim të betejës. Shehu tregoi me gisht dy tanke italiane të kapura nga partizanët. Tashmë ato manovroheshin nga partizanët.
Peza qëndroi në krah të Hoxhës kur filloi parakalimi i udhëheqësve në qytet. Shehu kaloi mbrapa. Baba Faja, kreu bektashi i qeshur dhe qejfli i verës, ishte në radhën e parë bashkë me Dr. Omer Nishanin, i cili ishte emëruar Ministër i Punëve të Jashtme. Koçi Xoxe, një teneqepunues nga Korça që tashmë ishte gjeneral, shtyhej për një vend në krah të Hoxhës, siç bëri dhe Gjeneral Spiro Moisiu, shefi i shtabit të Hoxhës.
Këta burra kishin qenë ndër të parët që u bashkuan me Hoxhën kur ai doli malit për të filluar luftën kundër italianëve dhe gjermanëve dhe qëndruan pranë tij gjatë gjithë kohës. Tom Stefani, shefi i misionit amerikan, marshonte në radhën e dytë ose të tretë, në varësi të pozicionit. Përkrah tij në më të shumtën e rrugës ishte Shehu, Kapiteni anglez Markus Llajën, një oficer rus dhe një jugosllav.
Hoxha dhe grupi i tij përshkuan rrugën e gjerë që ende quhej Bulevardi Musolini deri te Sheshi Skënderbej. Xhamia atëherë ishte e dëmtuar, maja e minaresë së saj ishte këputur. Kulla e Sahatit përbri xhamisë ishte goditur gjithashtu nga predhat e mortajave. Aty kishte më shumë njerëz në anët e rrugës.
Hoxha u drejtua nga Hotel Dajti ku ishte ngritur një tribunë. Pak ditë më parë robërit kishin hequr trupat e gjermanëve të vrarë si dhe kuajt dhe karrocat nga ana ballore e hotelit. Tribuna e ndërtuar me ngut qëndronte pikërisht në vendin ku ishte një pikë-roje e fortë e gjermanëve përpara hotelit. Prej aty Hoxha, stafi i tij dhe të ftuarit specialë ndoqën paradën e fitores. Tribuna ishte stolisur me beze kuq’ e zi, ngjyrat e Shqipërisë, dhe me flamujt e Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.
Hoxha ngjiti shkallët e tribunës. Ishte momenti i tij. Në të majtë të Hoxhës qëndronte Dr. Nishani. Në të djathtë ishte Koçi Xoxe. Në të djathtë të Xoxes qëndronte Tom Stefani. Ai kishte vënë shkujdesshëm mënjanë një kapele piloti dhe mbante veshur një xhaketë piloti prej lëkure që kishte flamurin amerikan në sup. Me ato rroba të huazuara padyshim nga ndonjë pilot amerikan Stefani dukej se spikaste në tribunë pothuajse sa gjeneralët e Hoxhës, në mos më shumë.
…Rreth 30-40 mijë njerëz prisnin të fliste Hoxha. Për shumicën e njerëzve në qytet Hoxha nuk ishte më shumë se një njeri i çuditshëm. Njerëzit nuk e dinin se kush ishte ai. Ato që kishin dëgjuar ishin nga makina propagandistike e gjermanëve dhe ballistëve, ndaj dhe nuk ishin të mira. Hoxha mori mikrofonin për të folur në momentin e duhur.
Sid Feder i Associated Press-it, i cili përcillte ngjarjen, shkruante me kabëll drejt Romës:
“Hoxha hyri sot në kryeqytetin e çliruar me premtime sfiduese që Shqipëria është gati të luftojë për të mbrojtur kufijtë e saj jugorë me Greqinë. Hoxha, një ish-mësues që udhëheq si Ushtrinë Partizane edhe qeverinë e mori pushtetin në kryeqytet në 32 vjetorin e shpalljes së pavarësisë shqiptare. Duke folur nga tribuna në ballë të hotelit luksoz Dajti, i cili ngjan disi me ato të Miami Beach, Hoxha iu drejtua një mase njerëzish prej 30-40 mijë njerëzish në Bulevardin Musolini në kryeqytetin e parë në Europë të çliruar tërësisht nga partizanët e vet”.
Feder njoftonte se “Hoxha premtoi qeveri demokratike për Shqipërinë”. Feder theksonte gjithashtu praninë e Stefanit, edhe pse bën një ngatërresë të emrit të tij me atë të qytetit të tij të lindjes. Ai shkruan se Hoxha “hyri në qytet duke ecur në këmbë gjatë gjithë gjatësisë së Bulevardit Musolini me stafin, oficerët Aleatë, përfshi edhe Kapitenin Thomas Stefan Laconian ose Laconjan, ndërsa turma hidhte lule dhe brohoriste”.
Radio reporteri Morris Rozenberg i Degës së Luftës Psikologjike (PWB) të OSS-it, në raportin e të njëjtës ditë për radio Barin, shkruan:
“Hoxha tha se qeveria do të punojë për rindërtimin e menjëhershëm të vendit me reforma ekonomike, sociale dhe kulturore dhe populli do ta kontrollojë vendin në mënyrë demokratike. Lëvdoi aktet heroike të UNÇSH-së e cila tashmë po përzë gjermanët e fundit nga veri-perëndimi i vendit. I foli popullit për ndihmën e Aleatëve në çlirimin e Shqipërisë nga gjermanët dhe mburri në mënyrë të veçantë Ushtrinë e Kuqe dhe partizanët jugosllavë dhe tha se Shqipëria duhet të jetë aleate me Titon”.
Vëzhguesit aleatë theksojnë që Hoxha bëri shumë lëvdata për Bashkimin Sovjetik dhe Jugosllavinë, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk kishte kontribuar fare për fitoren e partizanëve, dhe mezi përmendi – pa le të falënderonte – Britaninë e Madhe ose Shtetet e Bashkuara që në të vërtetë kishin ndihmuar. Ishte një shenjë e qartë se të gjithë vëmendjen e kishte drejtuar për ta futur vendin në orbitën e Titos dhe Stalinit, larg perëndimit. Hoxha jetonte me frikën se mos anglezët pajtoheshin me pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë jugore, të cilën grekët e quajnë Epiri i Veriut. Hoxha dyshonte se mësymja e komandove angleze gjatë bregdetit në verë ishte një prelud për gllabërimin nga ana e grekëve nën udhëheqjen angleze të jugut të Shqipërisë.
Parada
Pas fjalimit të Hoxhës ushtria kaloi në revistë. Parada përfshiu Brigadën e Parë, të 4-t, të 8-të, të 12-të dhe të 15-të të ushtrisë partizane. Të gjitha brigadat, me përjashtim të njërës, mbanin flamurin shqiptar – një shqiponjë e zezë me dy krerë në një sfond të kuq. Një nga njësitë mbante draprin dhe çekanin, flamurin e Bashkimit Sovjetik. Ata pasoheshin nga Batalioni ‘Antonio Gramshi’, një njësi e ushtarëve italianë që iu bashkua partizanëve në një brigadë dhe që mori emrin e Gramshit, një poeti dhe komunisti italian me origjinë shqiptare. Pas Batalionit ‘Gramshi’ vinin dy tanke të vegjël të kapur italianëve, si dhe një njësi dezertorësh armenë nga ushtria gjermane.
Stefani njoftoi me radio Fulcin se ndonëse parada kishte qenë “krejt madhështore”, populli që e shihte atë ishte më pak se entuziast. “Dukej sikur populli ishte i shushatur. Brohoritjet që unë dëgjoja tingëllonin gati si të imponuara nga rrethanat. Nuk ishte ai entuziazmi i papërmbajtur i demonstruar në jug”.
Situata ekonomike. Enver Hoxha në udhëkryq
Situata ekonomike në Shqipëri ishte e vajtueshme. Jo vetëm që infrastruktura e dobët e vendit ishte shkatërruar, por mijëra fshatra ishin djegur dhe të mbjellat qenë rrënuar. Veç kësaj, në ikje e sipër nga Shqipëria gjermanët plaçkitën sistematikisht vendin. Punonjësit e sektorit shtetëror që kishin muaj pa u paguar, tani ishin krejtësisht pa punë. Nuk kishte industri, as tregti, as punë. Shumë ishin të detyruar të shisnin veshmbathjet dhe sende personale të tyre nëpër rrugët e Tiranës. Kishte aq pak pará në qarkullim saqë qeveria e përkohshme mund të paguante vetëm ministrat e rinj me pesëdhjetë dollarë në muaj, pagesë që e bënte një privat amerikan.
Hoxha kish nevojë për ndihmë. Shpejt ai pa se dy miqtë e tij të rinj, Stalini në Bashkimin Sovjetik dhe Titoja në Jugosllavi kishin problemet e tyre të mëdha ekonomike dhe mezi arrinin të jepnin ndonjë ndihmë të vogël për Shqipërinë. Hoxha, megjithë armiqësinë ndaj Aleatëve, ishte i detyruar t’u drejtohej atyre për ndihmë ekonomike, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar nuk e kishin njohur qeverinë e tij.
Hoxha në shumë mënyra ishte një njeri i mbetur në udhëkryq. Nga t’ia mbante, nga lindja apo nga perëndimi? Kishte njerëz përreth tij si Nishani, që në përgjithësi admironte Shtetet e Bashkuara që e këshillonte të binte në ujdi me amerikanët. Nga ana tjetër ishin një grup komunistësh të vijës së ashpër si Koçi Xoxe që e shtynin Hoxhën drejt Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë.
Hoxha e adhuronte Stalinin, dhe do ta adhuronte deri në fund të jetës së tij, pavarësisht se sovjetikët kishin qenë vetëm spektatorë gjatë luftës në Shqipëri. Hoxha nuk u besonte amerikanëve. Ai besonte se anglezët i hiqnin për hunde Shtetet e Bashkuara. Ai kishte një urrejtje përvëluese ndaj anglezëve. Ai ishte i bindur se anglezët bënin plane për ta përmbysur atë dhe për ta ndarë Shqipërinë në mes, duke ua dhënë jugun grekëve. A nuk ishin anglezët që kishin mbështetur armiqtë e tij më përpara? Dhe a nuk ishin po anglezët dhe amerikanët që tashmë u jepnin strehë në Itali tradhtarëve shqiptarë që kishin ikur?
Megjithë suksesin e Hoxhës në marrjen e pushtetit në vend, as ai dhe as ndonjë nga njerëzit rrotull tij nuk kishin ndonjë përvojë çfarëdoqoftë në qeverisje – as në një fshat, as në një qytetth të vogël, as në një qytet të madh – le më një vend. Ata ishin të rinj dhe pa përvojë, ndërsa vendi ishte në mëshirën e fatit.
Enver Hoxha në Legatën amerikane
Enver Hoxha, pavarësisht servilizmit të dukshëm ndaj sovjetëve dhe jugosllavëve, ishte tejet i shqetësuar për atë se çfarë do të bënin Aleatët në Shqipëri. Në natën e 11 shkurtit 1945, ditën që Tre të Mëdhenjtë lëshuan tekstin e marrëveshjes së arritur në Jaltë, një Hoxhë i shqetësuar bëri një vizitë të pazakontë në legatën amerikane.
Megjithëse anëtarë të tjerë të qeverisë shqiptare si Nishani, Shehu, Çitaku, Baba Faja, Ndreu e të tjerë kishin darkuar në legatë, vizita e papritur e Hoxhës, kryeministrit dhe komandantit të përgjithshëm, ishte e para e tij. Ai theu precedentin. Ai kishte sajdisur gjithmonë më përpara anglezët. Dukej që ai ishte i shqetësuar për fatin e Shqipërisë ndaj shkoi të shihte Stefanin dhe amerikanët e tjerë në një përpjekje për të marrë informacion.
Ai shoqërohej nga Omer Nishani, ministri i jashtëm, i cili ishte miqësor me amerikanët dhe e admironte shumë vendin e tyre. Tom Stefani në raportin e tij dërguar Barit mbi takimin, thotë “Gjenerali [Hoxha] dukej nervoz dhe i mungonte vetëpërmbajtja e zakonshme e tij. Gjatë një periudhe prej dhjetë muajsh [unë] nuk e kam parë atë siç dukej këtë mbrëmje”.
Stefani thotë se gjatë takimit, i cili zgjati një orë e gjysmë, “Nishani ndoqi bashkëbisedimin me Enverin duke folur shumë pak”. Ai thotë se tema kryesore e bisedës ishte takimi i Tre të Mëdhenjve dhe “nëse ne kishim marrë ndonjë informacion në lidhje me të”. Stefani raportonte që Hoxha ishte “me sa duket i shqetësuar” pse nuk kanë mbërritur ndihmat nga Shtetet e Bashkuara, si dhe pse “gjithë propaganda i është bërë Titos për aksionet që formacionet e tij janë duke bërë” kundër gjermanëve në Jugosllavi.
Hoxha ishte gjithashtu i shqetësuar nga fakti që Shtetet e Bashkuara nuk e kanë njohur qeverinë e tij. “Vizita ishte e pazakontë, theu të gjithë precedentët”, njoftonte Stefani. “Nuk kujtohet që Gjenerali të na ketë sajdisur ne në ndonjë aktivitet, përpara se të kishte bërë të njëjtën gjë me anglezët. Vizita e shkurtër sigurisht nuk ishte bërë për shkak të deklarimit hapur të miqësisë së Hoxhës për SHBA. Mbështetur te qëndrimi i tij i përhershëm ndaj anglezëve duket që ky gjest mund të interpretohet si një lëvizje e parë e hapur për të vënë amerikanët kundër anglezëve. Besoj se ka arsye të tjera të mjaftueshme për të provuar këtë pretendim”.
E dinin apo jo Hoxha ose Stefani, për Shqipërinë mezi ishte folur në Jaltë. Ndërsa Tre të Mëdhenjtë e ndanë Europën midis tyre, Shqipëria nuk ishte përmendur. Shqipëria mbeti nën sferën angleze të interesave, edhe pse partizanët kishin formuar qeverinë e tyre.
Për t’i shtuar fyerjes një fyerje tjetër, Shqipëria nuk ishte ftuar të merrte pjesë në mbledhjen e prillit të Kombeve të Bashkuara në San Francisko. Vendet e tjera të ftuara në konferencë kontributi i të cilave për thyerjen e Hitlerit ishte i papërfillshëm, duke përfshirë këtu Haitin, Hondurasin, Kosta Rikën, El Salvadorin, Bolivinë, Paraguajin dhe Meksikon, ishin ftuar. Për shumë shqiptarë kjo donte të thoshte që Shtetet e Bashkuara, duke ndjekur shembullin e Mbretërisë së Bashkuar, ishin të vendosura t’i kthenin krahët Shqipërisë dhe qeverisë së saj. Por shenjat ishin dukur me kohë…
Haradinaj me tubim në Kamenicë, prezanton kandidaturën e Fat...
Sylvinho me dy ndryshime të mëdha, starton Daku e Muçi
Rovena, Leo, Kevin dhe Gjesti diskutojnë për situatën e Dian...
Komuna kërkon intensifikimin e punimeve në vazhdimin e Rrugë...
FSHF-ja do ta nderojë 14-vjeçarin që u nda nga jeta në Shqip...
Çfarë parashikon doktrina e re bërthamore e Rusisë?