Robotët e Facebook: E vërteta pas “historisë së frikshme”

02:20 | 3 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Shumë media ndërkombëtare kanë raportuar për një lajm që duket i ngjashëm për një skenar filmash. Sipas tabloidëve, robotët e Facebook e kanë çuar në një fazë tjetër Inteligjencën Artificiale pasi kanë krijuar gjuhën e tyre dhe po komunikojnë me njëri-tjetrin. Sa e vërtetë është kjo?

Nga Chris Baraniuk, BBC

“Inteligjenca e robotëve është e rrezikshme: Ky është paralajmërimi i ekspertëve pasi Inteligjenca Artificiale e Facebook ka zhvilluar gjuhën e saj,” shkruan gazeta Mirror.

Lajme të ngjashme janë raportuar edhe nga “The Sun”, “The Independent”, “The Telegraph” dhe të tjera publikime online.

Duket si një skenar filmash fantastiko-shkencorë.

“The Sun” madje poston disa foto të frikshëm androidësh për ilustrim.

Por a është koha për panik?

A duhet të përgatitemi për apokalipsin nga duart e robotëve?

Ndoshta jo.

Edhe pse disa nga mendjet më të mëdha- përfshi këtu Stephen Haëking- janë të shqetësuar se Inteligjenca Artificale mund të kërcënojë një ditë njerëzimin, historia e Facebook nuk ka asgjë për t’u shqetësuar.

Nga doli kjo histori?

Në qershor, Facebook publikoi një blog me disa kërkime interesante për programet e bot-eve të bisedimit- që kryejnë biseda të shkurtra me njerëzit dhe me bot-et e tjera.

Facebook ka kohë që eksperimenton me bot-et, që negociojnë me njëri-tjetrin në lidhje me pronësinë e gjërave virtuale.

Më e rëndësishme, bot-et ishin programuar në mënyrë të tillë që të eksperimentonin me gjuhën për të parë se si kjo ndikon tek dominimi i tyre në një diskutim.

Pak ditë më vonë u raportua se në disa raste, shkëmbimet dukeshin në pamje të parë të palogjikshme.

Edhe pse raportimet e para spekuluan se bot-et kishin shpikur një gjuhë të re për të mashtruar pronarët e tyre njerëzorë, një shpjegim më i mirë është se ky rrjet thjesht po tentonte të modifikonte gjuhën me qëllimin e ndërveprimeve më të suksesshme- por nëse kjo funksionoi apo jo, mbetet një çështje tjetër.

Siç raporton faqja e lajmeve teknologjike, Gizmodo: “Në përpjekje për të mësuar nga njëri-tjetri, bot-et nisën të bisedojnë pa kuptim, por edhe pse duket e frikshme, kaq është e gjitha”.

Inteligjenca Artificiale që ripërpunon gjuhën angleze nuk është diçka e re.

Google raportoi se softueri i tyre i përkthimit e ka bërë këtë gjatë zhvillimit.

Më herët këtë vit u raportua se OpenAI po punon me një sistem që shpik gjuhën e tij, përmirëson aftësinë për të përpunuar informacionin me shpejt dhe për këtë arsye i trajton problemet e vështira në mënyrë më efektive.

Historia duket se është përhapur edhe për shkak të një përplasje verbale për rreziqet e Inteligjencës Artificiale mes shefit ekzekutiv të Facebook, Mark Zuckerberg dhe sipërmarrësit të teknologjisë, Elon Musk.

Robo-frika

Por historia flet shumë për frikën kulturore dhe mënyrën se si na paraqiten robotët në media.

Le ta pranojmë, robotët janë sërish kriminelët më të mëdhenj në ekranin e madh.

Në botën reale megjithatë, Inteligjenca Artificiale mbetet një fushë e madhe kërkimesh për momentin.

Sistemet e projektuara dhe testuara për momentin janë shumë të komplikuara.

Një rezultat është se shpesh mbetet e paqartë se si funksionojnë këto rrjete, veçanërisht kur duhet të ndërveprojnë me njëri-tjetrin si në rastin e eksperimentit të FB.

Kjo është arsyeja se përse disa thonë se të vendosësh IA në sisteme si armët autonome, mbetet diçka e rrezikshme.

Po ashtu kjo është një tjetër arsye se përse etika për IA është një fushë që po zhvillohet me shpejtësi.

Por sistemi i Facebook po përdorej për kërkim, jo në aplikacionet për publikim.

Ai u mbyll për shkak se po bënte diçka për të cilën skuadra e studiuesve nuk ishte e interesuar- jo për shkak se përbënte një kërcënim ekzistencial për njerëzimin.

Është e rëndësishme të kujtojmë se edhe bot-et e bisedimeve janë të vështira për t’u zhvilluar.

Në fakt vetë Facebook e ka kufizuar përdorimin e tyre pasi zbuloi se nuk ishin në gjendje që t’i përgjigjeshin mbi 70 përqind të kërkesave të përdoruesve.

Bot-et mund të programohen të duken si njerëzit dhe mund të na mashtrojnë në disa raste- por duket e pamundur të mendosh se janë të aftë të rebelohen.

Të paktën ata në Facebook janë të sigurt për diçka të tillë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme