Raporti i ri nga WHO: Ajri i ndotur i vret mbi 7 milionë njerëz në vit

16:53 | 2 Maj 2018
Arbresh.info

Një studim i ri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) ka treguar se 9 nga 10 njerëz në planet thithin ajër i cili përmban nivele të larta të ndotjes dhe i vret mbi 7 milionë persona në vit.

Ky studim është analizë e asaj që WHO e quan si databaza më gjithëpërfshirëse mbi ambientin me ajër të ndotur, transmeton Telegrafi.

Organizata ka mbledhur të dhëna nga më shumë se 4,300 qytete dhe 108 shtete.

“Jo vetëm se ajri i ndotur sot është një nga faktorët më të rrezikshëm për shëndetin, por mund të them lirshëm se ajri i ndotur është sfidë e madhe për shëndetin publik”, ka thënë Dr. Maria Neira, drejtore e departamentit për Shëndetin Publik në WHO.

Organizata bën të ditur se thithja e ajrit të ndotur mund të shpijë në astma, në kancer të mushkërive, në sëmundje të zemrës, sulm të trurit, etj.

Sipas tyre, në Azi dhe Afrikë situata është më së shumti problematike për momentin, ku 90% e vdekjeve që ndërlidhen me ajrin e ndotur ndodhin atje, ndonëse ka edhe shumë qytete në Amerikë e Evropë të cilat kanë nivele të larta të ajrit të ndotur dhe janë përtej asaj që WHO i konsideron të shëndetshme.

Në mënyrë që të zvogëlohet ajri i ndotur, ekspertët kanë sugjeruar që ta zëvendësoni vozitjen me ecje, çiklizëm apo përdorim të transportit publik. Ndërsa për ta mbrojtur veten nga nivelet e larta të ajrit të ndotur, e në veçanti nëse keni probleme me zemër apo jeni të moshuar, rekomandohet të qëndroni brenda derisa të ulet niveli i ajrit të ndotur. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme