Google ADS

Putin ende i pavendosur nëse do të garojë edhe për një mandat

19:34 | 4 Tetor 2017
Arbresh.info

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi këtë të mërkurë se nuk ka vendosur ende nëse do të garojë për rizgjedhjen e tij si president në mars të vitit të ardhshëm, edhe pse për diçka e tillë thuajse të gjithë kanë dyshime.

“Jo vetëm që nuk kam vendosur se ndaj kujt do të garoj, por nuk kam vendosur ende nëse vet unë do të garoj për president”, tha Putin, kur u pyet nëse do të garonte në zgjedhje.

Putin ka folur gjatë një forumi mbi energjinë në Moskë, e ndër të tjera ka shtuar se ata që pretendojnë të garojnë për president mund të mësohen në fund të nëntorit apo fillim të dhjetorit.

Nëse Putin vendos të garojë, ai pritet gjerësisht që të sigurojë një fitore të thellë në raundin e parë të votimit, kjo për shkak se nuk pritet të ketë sfidues të fuqishëm.

Një gjykatë ruse dënoi udhëheqësin e opozitës, Alexei Navalny, për herë të tretë gjatë këtij viti, ditën e hënë, duke penguar kështu planet e kritikut të ashpër të Kremlinit që të bënte fushatë përpara zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në Rusi, shkruan Top Channel.

Dënimi i tij aktual 20-ditor me burgim nënkupton që do të mungojë në mitingun e planifikuar të fushatës në qytetin e lindjes së Putinit, Shën Pjetërburg, më 7 tetor, ditë në të cilën feston ditëlindjen edhe vet kreu i Kremlinit.

Gjithsesi, edhe nëse do të garonte për president, nga sondazhet parashikohet që ai do të humbiste thellë përballë Putinit. Kremlini paralajmëroi të martën mbështetësit e Navalnyt të mos mbanin mitingje antiligjore, duke shtuar se çdo organizator i tyre do të ndiqet penalisht.

Por, forumin e Moskës, Putin nuk e shfrytëzoi vetëm për çështjet e brendshme. Ai deklaroi gjithashtu se ndërhyrja ushtarake në Korenë e Veriut, me synimin për të rrënuar programet bërthamore e raketore të Penianit, nuk do të kishte sukses, sepse vendi komunist mund t’i ketë fshehur mjediset ushtarake kush e di se ku.

Rusia kundërshton fuqishëm idenë e një sulmi ushtarak, për të cilën ka trumpetuar gjatë presidenti amerikan Donald Trump, duke favorizuar në anën tjetër një përzierje mes diplomacisë dhe sanksioneve ekonomike.

“A mundet që një sulm global kundër Koresë së Veriut të ndërmerret për çarmatosjen e saj? Po. Por çfarë do të arrijmë me këtë veprim? Këtë nuk e dimë. Kush i di se çfarë kanë ata atje dhe ku i kanë fshehur? Askush nuk e di me 100% saktësi, pasi ai është një vend i izoluar”.

Putin tha gjithashtu se presidenti Trump është duke i shqyrtuar pikëpamjet e Rusisë mbi krizën e Koresë së Veriut, edhe pse nuk e di nëse do t’i marrë në konsideratë apo jo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme