Në një silan të Vjenës, duke pirë nga një kupë të tretë “Gumbold Skirchnor” po bisedonim me F. K., mbi Partitë Politike të Inglisë, në prill të motit 1915.
Nga Inglia ishim hedhur në Shqipëri, kur servitori na solli kupën e katërt dhe atëherë unë pyeta Faikun, a duhet ta kopjojmë në Shqipëri sistemin e qeverimit me anë dy Partish, një konservatore dhe tjetra liberale, të cilat hipin në fuqi njëra pas tjetrës sipas votës së popullit. “Jo – tha Faiku – s’është punë që bëhet. S’mund të kemi një parti konservatore në Shqipëri, se konservator do me thënë ay që konservon një trashëgimi të vyer politike. P.sh. inglizi është konservator se dëshiron të konservojë Perandorinë inglize, pasurinë inglize dhe institutet inglize që krijuan këtë perandori. Po ne shqiptarët ç’kemi trashëguar dhe ç’të konservojmë? Feudalizmin e Bejlerëve, Patriarkalizmin e Malësorëve apo Banditizmin e Fshatarëve?”
Këtu erdhi servitori dhe solli kupën e pestë, Faiku e zbrazi dhe vazhdoi: “Nga ana tjetër s’mund të kemi as parti liberale, se liberalizmi ingliz i bëri reformat me ngadalë, e zë lepurin me araba, me urt’ e butë e plot tiganin dhe gjersa t’i bëjmë ne reformat si inglizët na piu morri e na hëngri greku e serbi dhe italiani.”
Servitori, i cili na përgjonte, na solli menjëherë kupën e gjashtë.
“Jo, or jo, – konkludoi Faiku, – nuk duhet të kemi as Parti Konservatore, as Liberale pas mënyrës inglize, se as njëra as tjetra nuk na hyjnë në punë në Shqipëri. Neve nuk na duhen dy parti, por vetëm një, njëzë dhe njëckë Parti revolucionare. Shqipëria është si një shtëpi e vjetër që duhet rrëzuar dhe duhet rindërtuar që nga themelet.”
Kur ua tregoj miqve këtë bashkëfjalim, të gjithë më shikojnë me dyshim, duke kujtuar që tallem me ta, se të gjithë e dinë Faikun si konservator dhe pak a shumë reaksionar. Po kjo nuk është e vërtetë. Faiku në djalëri kishte kaluar nëpër të gjithë ideologjitë revolucionare dhe jo përciptas a shkel e shko, po kishte hyrë thellë dhe e kishte studiuar me zjarr e pasion Karl Marxin, e dinte në majë të gishtërinjve dhe gjithnjë fliste për atë me respekt si për ndonjë dhaskal të vjetër të djalërisë, nga i cili kishte mësuar shumë gjëra, ndonëse nuk i besonte që të gjitha. Jo, Faiku nuk ka qenë kurrë konservator a reaksionar. Po ta kruaje pak, menjëherë shfaqej revolucionari i vjetër.
Së paku 16 të lënduar pasi një raketë e hedhur prej Jemenit ...
Kosova e Shqipëria nënshkruajnë Marrëveshje për Sigurinë Ush...
Guardiola tregon se a do të përforcohen gjatë afatit kalimta...
Dështon “premtimi” për 30 autobusë të rinj në vitin 2024, sh...
Çfarë dihet deri më tani për sulmin në Magdeburg?
Në dy raste të ndara policia arreston dy persona për armëmba...