Është proverbial fakti që ëndrrat në mëngjes avullojnë. Natyrisht, ato mund të kujtohen; sepse ëndrrat i njohim nga kujtimi që na mbetet prej tyre pas zgjimit. Por shpesh kemi përshtypjen se ëndrra na kujtohet vetëm pjesërisht dhe se natën ajo ishte më e gjatë.
Mund të vërehet po ashtu se kujtimi i një ëndrre, ende i gjallë në mëngjes, gjatë ditës do të davaritet, duke lënë vetëm ca mbetje të saj.
Shpesh e dimë që kemi ëndërruar, pa e ditur se çfarë; fakti që ëndrrat mund të harrohen është kaq i njohur për ne, saqë nuk shohim kurrfarë absurditeti në mundësinë që natën të kemi ëndërruar dhe në mëngjes të mos jemi të ndërgjegjshëm për atë çka kemi ëndërruar, apo edhe të vetë faktit që kemi ëndërruar.
Nga ana tjetër, ndodh ndonjëherë që ëndrrat të shfaqin një ngulmim të jashtëzakonshëm në kujtesë. Ja çfarë shkruan Frojdi tek “Interpretimi i ëndrrave”. “Mes pacientëve të mi kam analizuar ëndrra që i kishin parë 25 apo edhe më shumë vjet më parë; edhe unë vetë kujtoj një ëndërr të 37 viteve më parë, që megjithatë më është më e freskët se kurrë në kujtesë. E gjithë kjo është mjaft e çuditshme dhe jo përnjëherë e kuptueshme.
Në radhë të parë, tërë shkaqet që shkaktojnë harrim në jetën e zgjimit, çojnë edhe në harrimin e ëndrrave. Kur jemi zgjuar, harrojmë rregullisht e menjëherë ndijime e perceptime të panumërta, sepse ishin fort të dobëta apo ngaqë eksitimi mendor që i pasonte ishte shumë i lehtë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë imazhe onirike; harrohen sepse janë shumë të dobëta, ndërkohë që imazhet më të forta që janë pranë tyre, arrijnë të kujtohen.
Sidoqoftë, faktori intensitet sigurisht që nuk është i mjaftueshëm në vetvete për të përcaktuar kujtimin apo jo të një imazhi onirik. Strümpell – si edhe autorë të tjerë (Calkins, 1893) – e pranon se shpesh harrojmë imazhe onirike që ishin shumë të gjalla, teksa mbajmë në kujtesë një numër të madh imazhesh të turbullta e pa kuptim. Për më tepër, kur jemi zgjuar, jemi të prirur ta harrojmë me lehtësi një ngjarje që verifikohet vetëm një herë dhe të kujtojmë me më lehtësi atë që mund të perceptohet në mënyrë të përsëritur. Por pjesa më e madhe e imazheve onirike janë përvoja unike; kjo karakteristikë do të kontribuojë paanësisht për të na bërë t’i harrojmë gjithë ëndrrat njësoj.
Por është me rëndësi shumë më të madhe një shkak i tretë harrese. Me qëllim që ndijimet, idetë, mendimet e kështu me radhë, të arrijnë njëfarë niveli ndjeshmërie që të mbahen mend, është thelbësore që të mos mbeten të izoluara, por të shfaqen në grupe apo bashkëlidhje të përshtatshme.
Nëse një vjershë e shkurtër ndahet në fjalët e saj përbërëse e këto përzihen njëra me tjetrën, ato bëhen shumë të vështira për t’u mbajtur mend. “Sikur fjalët të parashtroheshin drejt dhe të viheshin sipas një rregulli logjik, njëra fjalë do të ndihmonte tjetrën dhe tërësia, e pajisur kështu me kuptim, do të ishte lehtësisht e kujtueshme për një kohë të gjatë. Në përgjithësi është po aq e vështirë dhe e pazakontë të kujtosh diçka kontradiktore, sa ç ‘është të kujtosh atë që është konfuze dhe e çrregullt” (Strümpell).
Në përgjithësi ëndrra është e privuar nga rregulli dhe kuptimi. Përbërësit e ëndrrës nuk i kanë ato cilësi që do ta bënin të mundur kujtimin e tyre, ndaj dhe harrohen, sepse, si rregull, një çast më vonë ato shpërbëhen. Megjithatë, Radestock mbështet idenë se ëndrrat më të çuditshme kujtohen më mirë dhe kjo, duhet pranuar, nuk përkon me atë çka është thënë deri tani. Një tjetër faktor që çon ndoshta në harresën e ëndrrave është interesi i pakët që kanë njerëzit për ëndrrat e veta. Kushdo që u kushton vëmendje ëndrrave për një periudhë të caktuar kohe, ashtu si kërkuesit shkencorë, do të shohë më shumë ëndrra se zakonisht, çka do të thotë që i mban mend ëndrrat me më shumë lehtësi e shpeshtësi.
Pas gjithë këtyre arsyeve të favorshme për harresën e ëndrrave, është vërtet e çuditshme, që arrijnë të ruhen në kujtesë kaq shumë ëndrra. Por kujtimi i ëndrrave në përgjithësi mbetet i zbuluar para një kundërshtimi, që ia ul pashmangshmërisht vlerën para opinionit kritik. Meqë një pjesë kaq e madhe e ëndrrës humbet krejtësisht, nuk mund të mos dyshojmë se kujtesa jonë e falsifikon atë çka mbetet prej saj.
Zyrtare: Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë
Ekspertët ndërkombëtarë vlerësojnë procesin e regjistrimit t...
BE ndalon një sasi të mandarinave shqiptare, cilësohen të rr...
KQZ me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset...
Kurti: Regjistrimi i popullsisë ofron pasqyrë të saktë për t...
Zgjedhjet e 11 majit, Rama: Votimi i diasporës proces komple...