Prishtina në vitin 1902 kishte statusin administrativ të sanxhakut dhe të rrethit (kazasë), që përfshihej në njësinë territoriale dhe administrative të Vilajetit të Kosovës në kuadër të Perandorisë Osmane.
Sipas një dokumenti austro-hungarez të datës 22 janar 1916 mbi statistikën e popullsisë së Vilajetit të Kosovës të vitit 1902, e titulluar “Mbi kufijtë e Shqipërisë (veçanërisht me Bullgarinë)”, që i shërbeu Perandorisë së Austro-Hungarisë në fillim të vitit 1916, në përpjekjet e saj për të realizuar praktikisht synimet për një Shqipëri të shtrirë në kufijtë etnik shqiptar, edhe viset e Prishtinës dhe rrethinës parashihej të përfshiheshin në kuadër të këtij shteti, transmeton arbresh.info.
Alfred Rappaport (1868-1946), diplomat austro-hungarez dhe njohës i mirë i çështjes dhe trojeve shqiptare, me rastin e kontestit të vijës së kufirit administrativ me Mbretërinë e Bullgarisë, që në fund të vitit 1915 dhe në fillim të vitit 1916 përplaste shtetin austro-hungarez dhe atë bullgar në territore të ish-Vilajetit të Kosovës, shtroi një Projektligj me shënimet e tij mbi statistikën e popullsisë së krahinave të këtij territori.
Në këtë Projektligj, Rappaport veç tjerash paraqiti të dhëna interesante demografike edhe për rrethin e Prishtinës, të cilat në përgjithësi i japin këtij territori një fizionomi etnike shqiptare.
Tabela statistikore mbi gjendjen demografike të rrethit të Prishtinës në vitin 1902, sipas dokumentit austro-hungarez, e ndante popullsinë e kazasë së Prishtinës në këtë mënyrë:
Kazaja e Prishtinës: 58.784 shqiptarë myslimanë dhe 100 shqiptarë katolikë, 12.764 serbë, 1.633 kroatë katolikë në Janjevë, 3.949 arixhij.
Kazaja e Prishtinës për nga numri i popullsisë ishte kazaja më e madhe e sanxhakut të Prishtinës dhe ndër kazatë më të mëdha në Vilajetin e Kosovës. Sipas këtyre të dhënave statistikore austro-hungareze të vitit 1902, kazaja e Prishtinës kishte një popullsi të përgjithshme prej 77.231 frymësh. Pas kazasë së Tregut të Ri (Novi Pazarit), kazaja e Prishtinës përbëhej nga 249 fshatra, numerikisht më shumë se sa kazatë e Gjilanit, Vushtrrisë, Mitrovicës dhe Preshevës.
Përbërja etnike e popullsisë së Prishtinës dominohej nga shqiptarët si elementi kryesor dhe më i madh i kazasë, pastaj renditej elementi serb e kështu me radhë.
Popullsia e përgjithshme e kazasë së Prishtinës sipas përkatësisë fetare ndahej në myslimanë (krejtësisht me etni shqiptare) dhe të krishterë (me etni shqiptare të ritit katolik, me etni serbe të ritit ortodoks dhe etni kroate të ritit katolik).
Vlen të theksohet se këto të dhëna demografike, me nuanca të vogla numerike, etnike dhe fetare, pothuajse përputhen me të gjitha regjistrimet osmane dhe të proveniencave të tjera mbi popullsinë e Vilajetit të Kosovës, të realizuara në vitet 1902-1904.
Megjithëkëtë, duhet tërhequr vëmendjen tek elementi serb numerikisht në masë, që është paraqitur në këtë statistikë demografike. Sipas Augusto Stanierit, konsull italian në Shkup, nga fillimi i shek. XX ishin shtuar presionet e shtetit serb për t’i obliguar ortodoksët e Vilajetit të Kosovës që të deklaroheshin “serbë”, që nënkupton se dyshimet janë të hapura mbi autenticitetin e kësaj statistike rreth përkatësisë etnike të elementit ortodoks në Prishtinë e viset përreth.
Për sa më sipër, statistika austro-hungareze për popullsinë e Prishtinës dhe rrethinës më 1902, ofron të dhëna interesante dhe me vlera shkencore historike, gjeografike (demografike) e kulturore (fetare). Këto të dhëna shërbejnë për të hulumtuar, analizuar, krahasuar e studiuar më thellësisht fenomenet dhe ndryshimet shoqërore, kulturore e demografike të popullsisë së Prishtinës e të Kosovës përgjatë shekullit XX./arbresh.info/
Mbi një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë
Juventusi rikthehet tek fitorja në Serie A, triumfon ndaj Mo...
Njerëzit që duhet të tregojnë më shumë kujdes kur moti është...
Kulla e Vashës, ishulli i vogël që lidh dy kontinente prej 2...
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale