Google ADS

Pjatalarësi bëhet bashkëpronar në restorantin më të famshëm në botë (VIDEO)

10:35 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Një pjatalarës i cilësuar si zemra dhe shpirti i restorantit të famshëm danez Noma, është bërë bashkëpronar i sipërmarrjes për të cilën ka punuar prej 14 vitesh.

Vendimi për të promovuar Ali Sonkon, i cili ka larë pjata në kuzhinën e NOMA-s që kur restoranti u hap në vitin 2003, u lajmërua në një festë në Kopenhagen, ku po shënohej dita e fundit e restorantit në Kristianshavn. Restoranti, i përzgjedhur si më i miri në botë për katër herë radhazi, do të transferohet në një vend të ri dhe do të rihapet si një fermë urbane në dhjetor.

Në një postim në Facebook, Rene Rexhepi, kuzhinieri me origjinë shqiptare që drejton Noman, tha se është një nga momentet më të lumtura të tij gjatë drejtimit të këtij restoranti, momenti i lajmërimit se Ali do të bëhej një nga partnerët e tij të rinj në biznes, duke shtuar se ky është vlerësimi për punën e palodhur dhe buzëqeshjen që nuk ka munguar asnjëherë, shkruan T.Ch.

“Unë nuk mendoj se njerëzit vlerësojnë atë që do të thotë të kesh dikë si Ali në shtëpinë tënde. Ai gjithnjë buzëqesh, pavarësisht si janë 12 fëmijët e tij”, thotë Rexhepi.

62-vjeçari Sonko, i vendosur në Danimarkë 34 vjet më parë, pasi kishte emigruar nga vendlindja e tij Gambia, e cilëson punën tek NOMA si më të mirën e jetës së tij. Shefi Rexhepi tregon se edhe babai i tij, i cili po ashtu quhet Ali, ka punuar si pjatalarës kur mbërriti në Danimarkë, si emigrant nga Maqedonia. Ndërkohë, Rexhepi, restoranti i të cilit ka edhe dy yje Michelin, thotë se planifikon të surprizojë edhe pjesëtarë të tjerë të stafit, në shenjë vlerësimi për punën e palodhur.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme