Njihuni me shqiptarin e parë të punësuar në Samsung

09:59 | 5 Janar 2018
Arbresh.info

Studenti i vitit të dytë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë në Prishtinë, Durim Klaiqi, është punësuar në kompaninë e njohur botërore, Samsung, ku po e mban pozitën Theme Designer, duke u bërë kështu shqiptari i parë që bëhet pjesë e stafit të kësaj kompanie.

Ai arriti të bëhet pjesë e kësaj kompanie pasi kishte përpiluar një portfolio që jep shembuj konceptual për stilin e dizajnit dhe ajo u vlerësua pozitivisht nga ekipi i Samsung në dy pika kryesore, dizajn kualitativ dhe një trajtë unike të dizajnit.

Lajmi është publikuar në ueb faqen e këtij universiteti.

Klaiqi është duke punuar në sektorin e kësaj kompanie, të quajtur “Samsung Themes”, i cili është një shërbim që ofron personalizimin e pajisjes Android, përmes ndërrimit të User Interface. Samsung Themes ose Theme Store, është vendi ku shkarkohen pa pagesë ose edhe vendi ku blihen themes, wallpapers ose sete të ikonave, ku tani Klaiqi ka filluar edhe t’i publikojë dizajnimet e para.

Duke folur mbi rrjedhën e punës, që rezultoi me punësim në Samsung, ai tha se është i lumtur që arriti të bëhet pjesë e këtij gjiganti botëror, në të njëjtën kohë kur akoma është student i nivelit bachelor.

Durim Klaiqi është vetëm njëri ndër studentët e shumtë të UBT-së që ende pa i përfunduar studimet, kanë arritur të bëhen pjesë e kompanive të mëdha nga të gjitha vendet e botës, që tashmë i kanë kaluar kufijtë shtetërorë dhe janë shndërruar në brende të njohura ndërkombëtarisht./syri.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme