Ajo është si ato pikat e rralla të ujit në mes të një shkretëtire. Nga ata pak njerëz që kur i takon, të kënaqin shpirtin.
Është aforizëm, humor, një zemër e mbushur plot mirësi, është mençuri, urtësi, është plot pasione, është zonja fisnike që moshën e tretë e përcjell me pamjen më të veçantë që mund t’ju kenë zënë sytë rreth e rrotull.
Violeta Mita Bejleri, është sot në vitet e moshës së tretë, por njësoj e apasionuar pas së bukurës dhe dëshmitare e saj, si në vitet e rinisë. Nuk ka tiranas të vjetër që nuk e njohin gruan emblematike me kapelë. Aq shumë i lidhur është imazhi i saj me këtë aksesor, sa, nëse ajo do të vendoste të dilte një ditë në rrugë pa të, jam e bindur që nuk do ta njihte njeri.
Mjafton ta shohësh, ashtu edhe rastësisht, teksa rrëshqet rrugëve të kryeqytetit në përhumbjen e saj të ëmbël, gati idilike, e kupton se sa fort është e lidhur me të bukurën qenia e saj. Veshja e shpirtit dhe trupit të Violetës, është e bukura, dhe mbi altarin e saj, qëndron si kurorëzim i përhershëm kudo që ajo shkon, kapela.
Të njohur e të panjohur, e thërrasin të gjithë, “Leta kapela”. Ajo lumturisht e ka pranuar këtë emër të dytë. Madje, gjatë bisedës më kujton edhe ditën kur vendosi që veshjen e saj ta pagëzonte përjetësisht me këtë aksesor. Është nga ato historitë me komunistë e kritika sekretariatesh, të cilat ajo i sfidoi me marifet. Ashtu siç i sfidonin të gjitha vajzat e kohës, që si ajo, pëlqenin të visheshin bukur e të bënin ndonjë guxim.
Edhe sot, që është 74 vjeçe, i pëlqen shumë të vishet e të mbahet. Thotë që e ka si një lloj psikoterapie këtë gjë, ndaj dhe ndërrohet dy-tre herë në ditë, gjithmonë e kombinuar nga maja e këmbës, deri tek kapela.
“Përherë kështu kam qenë. Dhe kujdesin më të madh e kam të rri bukur edhe në shtëpi, se kur do të dalësh, do të vishesh patjetër, – shprehet Violeta. – Unë i bëj gati kombinimet që në darkë. Kombinoj jelekun me shallin, fundin, këpucët, çantën etj.”. Për këtë dallon veçanërisht Violeta, kombinimet totale. Ajo mund të vishet ndryshe tri herë në ditë, por të tria herët, veshja është në harmoni perfekte me ngjyrën që zgjedh të kombinohet. Në ditët e sotme nuk është aspak e vështirë të guxosh, por këtë ajo e ka bërë edhe në sistemin e shkuar, para viteve ‘90, kur kufizimet ishin të mëdha, sidomos në këtë aspekt.
“Që e vogël më pëlqenin dantellat dhe fluturat dhe kur u rrita, ime më edhe më qepte ndonjë gjë të vogël, se nuk ishte rrobaqepëse, por infermiere. I krijoja me mendje modelet dhe i realizoja bashkë me të. Kur u rrita, më punonte më shumë mendja. Një herë, kisha një puplin të bardhë me kuadrate të vogla blu. Shkova dhe i thashë zonjës Qefsqere (rrobaqepëses) se e doja me jakë bebe. I vura një fiston të bukur, por s’kisha kopsa. Të gjithë kishim kuti kopsash në shtëpi. E hapa dhe gjeta një kopsë të verdhë, një të kuqe, një blu dhe ashtu ia vura. Sa bukur që doli! Një fushë lodrash. E vesha dhe shkova gjithë qejf tek Kongresi i Përmetit. Madje, në flokët e shkurtër vura një fjongo të kaltër. Sa hyra aty, më thanë: ‘Paske hyrë në modë’. Ju thashë: ‘Paskam dalë pa dashje në modë, se nuk e di që qenka moda kështu. Nuk kisha kopsa. Nuk kishte as në mapo, ndaj dhe i vura kështu’. Aty më thonë që më kërkonte sekretarja e partisë. Thashë: ‘Çfarë kam bërë?’. Kur vajta më tha se, në shkollë duhej të vishesha më thjesht. ‘Po ku jam e përbërë unë?’- i thashë. ‘Po ja, – tha, – për këtë fjongon që ke vënë’. Pasi dola prej andej, shkrova:
‘Si gjethe vjeshte fjongoja më ra
Me partinë e Punës nuk bëhej shaka’
Dhe e hoqa…”
“Kam një koleksion me plot 60 kapela. Bëj harmoni në veshje me to. Nuk dal pa kapelë as në dimër, e as në verë. Nuk më ka interesuar se çfarë mendojnë apo thonë të tjerët, mjafton që të mos marr pjesë në prishjen e lirisë së tyre. Unë jam vetvetja. Mirë që erdhi demokracia dhe kisha lirinë të vishesha si të doja.”
Zonja me kapelë, është përherë në formë perfekte. E dashuron jetën, kërkon të ketë gjithmonë vetëm pozitivitet përreth dhe kujdeset të rrezatojë të bukurën në çdo detaj, veçanërisht ato të veshjes së saj. Edhe pse në traditën e grave shqiptare, ku në një moshë të caktuar ngjyrat në veshje zënë e zbehen, për Letën ndodh e kundërta. Asaj i pëlqejnë shumë ngjyrat e hapura, roza, e kuqja, vjollca. I ka këto ngjyra në kapela, çanta, sandale e këpucë. “Edhe për të pirë një kafe këtu afër shtëpisë, vishem. Dua të respektoj veten dhe vendin ku do të shkoj. Shoqet më admirojnë dhe çuditen se si e gjej kohën për të bërë kombinimet e duhura. Në lagje kam një zotëri që quhet Xhevahir, e ai thotë: ‘Ku je mbretëreshë?’. ‘Faleminderit, – i them, – po dhe ti me emrin që ke e justifikon. Xhevahir je’. Ai kënaqet. Ja, kaq pak duhet që të të zbukurohet dita. Njëherë më ndaloi në lagje një zonjë e më tha: ‘Moj, e di që je një model shumë i veçantë, sepse nuk të kemi parë asnjëherë pa kapelë, apo të mos jesh veshur bukur.’ Është në natyrën time. Dua të jem patjetër kështu siç jam, se ndihem mirë brenda vetes. Ka ditë që nuk ndihem mirë, zgjedh veshjen që më jep dritë kur nuk e kam.”
Kabina elektrike është shtëpia e saj
Me gjithë sa kam rrëfyer deri më tani, që në fakt janë vetëm sipërfaqja e bukurisë së Violetës, mund t’ju jetë krijuar përshtypja se ajo është njeriu që jeta ia ka sjellë mbarë të gjitha. Në fakt, nuk është kështu. Mjafton vetëm t’ju tregoj se ajo dhe bashkëshorti i saj jetojnë në një kabinë elektrike. Si shumë histori shqiptarësh, ata e humbën shtëpinë në firmat piramidale dhe sot jeta e tyre strehohet aty, midis telave dhe kabllove të rrymës elektrike. Por, edhe në atë hapësirë prej 23 metrash katrorë, Violeta ka ndërtuar oazën e saj. Kur hyn aty, të duket sikur je në një shtëpi kukullash. Me ngjyra, dekore, zbukurime e personazhe, që më së shumti ajo i krijon me gjilpërë ose grep. Ka përshtatur aty një aneks, që nuk mban më shumë se një person dhe pjesa tjetër, që është një kuadrat shumë i vogël banimi, ka objektet më bazike për të jetuar. Por për Violetën realiteti nuk është kështu. “Unë kam tre dhoma këtu, – thotë ajo dhe sytë i qeshin. – Kam dhomën e gjumit, – dhe tregon me gisht nga krevati i saj, – kjo është dhoma e gjumit të tim zoti, – thotë për krevatin ku fle i shoqi, – dhe kam edhe dhomën e ndenjjes, – dhe tregon të vetmin divan që ka. Ia mbush mendjen vetes që kjo është, s’ka zgjidhje tjetër. Një problem që nuk ka zgjidhje, është i zgjidhur. Po të shikoni, kapakët e dollapëve janë plot me vizatimet e nipit dhe mbesës. Pra, kam 3 dhoma, një kuzhinë dhe ekspozitë. Dhe kjo më mbush. Kjo është mënyra se si kam zgjedhur të jetoj. Kam bërë dhe një oborr, kam mbjellë pemë, lule, kam vendosur një tavolinë të vogël. Kam racionuar çdo hapësirë. Vetëm kuti kapelash dimri e vere sa kam. Kapelat? Kam gjetur një arkë dhe i mbuloj me një tyl. Këpucët? Kam ca dollapë me ngjyra, se vdes për to dhe shkruaj sipër: ‘Këpucë elegante’, ‘gjysmë elegante’ dhe kam një tjetër ‘këpucë ploti, jo koti’ (qesh). Kam vënë dhe një shkallë që t’i marr dhe them: ‘Kam shtëpinë me papafingo (qesh)’”.
Violeta ka gjithmonë një këndvështrim tjetër për botën. E gjen të bukurën aty ku nuk shihet, e nëse ajo s’ekziston fare, Violeta e krijon atë. E gjen kënaqësinë aty ku të tjerët as nuk e perceptojnë. Kur realiteti nuk i rri për shtat, krijon realitetet e saj mbi atë ekzistuesin. Jeton çdo ditë me të njëjtin pasion, kënaqet më gjërat e zgjedhjet që bën dhe nuk e ndjen fare peshën e viteve. Nëse të gjithë i frymëzon e bukura, atë e frymëzon çdo gjë… ajo vetë është një frymëzim. Është Violeta Mita Bejleri, e ashtunjohura Leta kapela.
“Të gjithë marrin frymë, unë jetoj…”/Living.al
Arabia Saudite do të ndalojë alkoolin gjatë Botërorit 2030
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Slot lavdëron një futbollist për paraqitje të mrekullueshme ...
35-vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku sot bën homazhe...
Mblidhet KQZ për certifikimin e 17 subjekteve tjera politike
Sot diskutohet për transparencën parlamentare