Njihuni me gruan e cila punon qe 40 vite mes qiellit dhe tokës

20:42 | 28 Janar 2018
Arbresh.info

Të punosh katër vite në një punë mbase do të quhej kontribut mirëpo ti kalosh 40 vite në një punë këtë nuk dimë edhe si ta quajmë.

Remzije Selmani nga Prishtina, ka kaluar më shumë se 40 vite në Aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Ajo punën e filloi në nëntor të vitit 1978 si një 20 vjeçare, madje duke qenë edhe shqiptarja e parë në Aeroport.

Ka mbaruar shkollën e mjekësisë, mirëpo përkundër kësaj, dëshira e saj e madhe ishe të jetë pjesë e stafit te Aeroportit, veçanërisht dëshirë e të atit të Remzijes. Tërë këto vite të lidhen vetëm me disa fjalë: fluturime, aeroplan dhe udhëtarë.

Ajo sjell në mend me nostalgji vitet e saj të para si një stjuardesë tokësore e mandej duke kaluar në dy sektorë të tjerë, në atë të humbjes dhe gjetjes së valixheve si dhe vitet e fundit në informacion.

“Është shumë me rëndësi që të mësosh ta dallosh humorin e pasagjerit, të kesh kontroll mbi sjelljet e tyre, t’ju ndihmosh ne gjithçka që ata kanë nevojë”.

Zonja Remzije disa vite ka punuar edhe në sektorin “Lost and Found”, ajo tregon se shpesh hasin edhe në reagime negative të udhëtareve kur i humbet valixhja apo diçka e tillë, mirëpo gjithmonë mundohen t’i kontrollojnë emocionet e tyre dhe ta zgjidhin problemin sa më shpejtë qe të jetë e mundur.

“Fillimet e mija të para ishim të zorshme, puna në aeroport është ndryshe nga punët e tjera, por ne ja dolëm, stafi ishte tjetër, ishin serbët dhe unë isha shqiptarja e parë që kam filluar punën në Aeroportin e Prishtinës.”

Kaloi pothuajse një jetë të tërë në Aeroport, ajo thotë se vitet kanë ikur e përveç të mirave ka hasur edhe në probleme mirëpo gjithmonë duke gjetur vullnet për t’i tejkaluar ato.

“Disa gjëra kanë ndryshuar por puna në Aeroport ndryshon, rregullat kanë ndryshuar ndër vite, gjithmonë rregulla të reja”. Ajo tregon se ndihet shumë e respektuar nga gjithë stafi i tanishëm i Aeroportit, gjithmonë duke e respektuar si një ndër të parat qe ka kontribuar. “Edhe respekti është në nivelin e duhur, të rinjtë kanë dallim me të vjetërit por mirë është”.

E pyetur nëse është mërzitur nga Aeroporti dhe a ka menduar ndonjëherë të largohet nga aty e ti kthehet profesionit, ajo mu përgjigje ” E kam menduar të punoj në profesionin tim por assesi të largohem nga Aeroporti, nuk do ta kisha të lehtë ti lë gjithë këto vite e t’i ktheja kokën asaj. Për të arritur të krijosh bagazh e kaq shume vite në një punë, çelës kryesor ajo e sheh vullnetin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e madhe për të. “Çelësi është të kesh vullnet, të punosh si duhet e si të tjerët, dhe ashtu kalojnë edhe vitet”.

Ajo tashmë është afër pensionit dhe këtë nuk po e pret me shumë kënaqësi ngase ka kaluar pothuajse një jetë të tërë aty.

Po ashtu tregon se nuk e kishte menduar se gjithë vitet profesionale do t’i kushtoheshin Aeroportit të Prishtinës por megjithatë vitet kanë kaluar.

“Jo, do të doja të vazhdoj deri në pension por varet nga shëndeti dhe rrethanat tjera”.

Shkruar nga: Fatjona Mani

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme