Google ADS

Ngrohja globale mund të rrisë numrin e azilkërkuesve në Europë

21:17 | 21 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Ndryshimi i klimës parashikohet të rrisë masivisht numrin e azilkërkuesve në Europë, nëse vazhdojnë tendencat e ngrohjes, thanë shkencëtarët amerikanë.

Studimi i publikuar në revistën “Science” është i fundit që tregon mbi kërcënimet e motit, pasi ngrohja e planetit mund të ushqejë konflikte në të gjithë globin, transmeton portali arbresh.info

Varësisht se sa shpejt do të ndodh ngrohja, aplikimet mund të rriten me 28 deri me 188 përqind, sipas shkencëtarëve nga Universitetit Columbia në Nju Jork.

Kjo do të thotë që brenda një viti rreth 98 mijë deri në 660 mijë njerëz do të kërkojnë azil nëpër vende të ndryshme.

“Europa tashmë është në konflikt me numrin e madh të refugjatëve”, tha autori i studimit, Wolfram Schlenker.

“Edhe pse vendet më të varfëra në rajonet më të nxehta janë më të prekshme ndaj ndryshimeve klimatike, gjetjet tona nxjerrin në pah se deri në ç’masë vendet janë të ndërlidhura dhe Europa do të shoh një numër në rritje të njerëzve që duan të largohen nga vendet e tyre”, shtoi ai.

Shkencëtarët kanë gjetur një lidhje të dukshme mes temperaturave, bujqësisë dhe numrit të azilkërkuesve.

Ata i shqyrtuan aplikimet për azil në Bashkimin Europian ndërmjet viteve 2000 dhe 2014, kur numrat mesatarisht ishin 351,000 në vit./arbresh.info/

Të ngjashme