Ishin 40 delegatë nga e gjithë Shqipëria ata të cilët në motin e vitin 1912, më 28 nëntor, në orën 14.00, firmosën deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. I pari që hodhi firmën ishte vetë Ismail Qemali e më pas e shoqëroi Dom Nikollë Kaçorri.
Por edhe pse dhanë një kontribut kaq të vyer për Shqipërinë, shumë prej firmëtarëve e Deklaratës së Pavarësisë nuk patën një jetë të qetë, për të mos thënë që patën një fund tragjik. Më poshtë Opinion.al sjell një përmbledhje të të gjithë fatit të trishtë të firmëtarëve të Pavarësisë.
Përgatiti Dritan Laci
Ismail Qemal bej Vlora (1844-1919)
Vdiq në rrethana të dyshimta më 24 Janar 1919 në një hotel në Perugia të Italisë. Thuhet se u helmua.
Dom Nikollë Kaçorri (1862-1917)
Ishte firma e dytë pas Ismail Qemalit ne Deklaratën e Pavaresise, Vdiq i mërguar në Vienë nga kanceri në mushkëri. Eshtrat ju gjetën pas plot 94 vitesh harrese, në vitin 2011. Historiografia komuniste i kushtoi vetëm 27 rrjeshta veprës së tij.
Haxhi Vehbi Dibra Agolli (12 Mars 1867-24 Mars 1937)
Teolog i shquar mysliman. Vdekje natyrale
Jorgji Karbunara – Bab Dud Karbunara (1842-1917)
Mësues dhe patriot i madh shqiptar. Përfaqësues i Beratit në Kuvendin e Pavarësisë. Në vitin 1915 ndjekësit e Haxhi Qamilit kur hynë në Berat e kapën, e tërhoqën zvarrë në qytet duke e rrahur me shkop. Nga kjo dhunë, Babë Duda qëndroi në gjendje të rëndë shendetësore deri në fund të jetës deri sa ndërroi jetë më 17 dhjetor 1917, në moshën 75-vjeçare.
Elmas Boce (1850-1925)
Delegat i Gjirokastrës në Kuvendin e Pavarësisë. Vdekje natyrale.
Qazim Kokoshi (1882-1945)
Firmëtar i Deklaratës së Pamvarësisë. Mori pjesë në lëvizjen Noliste të Qershorit 1924. Iku nga Shqipëria dhe u kthye në atdhe pas amnistisë së Mbretit Zog. U arrestua nga GESTAPO dhe u internua në Bergamo të Italisë. I sapokthyer nga kampi nazist, u arrestua nga komunistët dhe vdiq nga torturat në Hetuesinë e Vlorës.
Jani Minga (1872-1947)
Atdhetar i shquar. Pjesëmarrës në Kongresin e Gjuhës Shqipe në Manastir dhe firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë. Vdiq nga marazi më 1947 pas humbjes në një aksident të çuditshëm të djalit të dytë, pasi kishte humbur djalin e parë në një kamp përqendrimi nazist.
Rexhep Mitrovica (1888-1960)
Nacionalist. Kryetar i Qeverisë së Regjencës gjatë pushtimit nazist. Vdiq në ekzil më 21 Maj 1967. Iku nga Shqipëria menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve.
Dhimitër Tutulani (1875-1937)
Delegat i Beratit në Kuvendin e Vlorës. Jurist i shquar. Firmëtar i shkëputjes së Kishës Orthodoksë Shqiptare nga Patriarkana Greke. Ishte gjyshi i Kristaq dhe Margarita Tutulanit të varur nga fashistët. Vdiq duke lënë testament që një pjesë të pasurisë së tij tja falte qytetit për shkolla, rrugë, etj. Vdekje natyrale.
Abas Dilaver (Çelkupa) (1850 – 1926)
Atdhetar. Priti Ismail Qemalin kur zbriti ne Durrës dhe e shoqëroi deri ne Vlorë. Vdiq në Durrës.
Shefqet Dajiu (1882-1946)
Ishte sekretari i dytë i Kongresit të Vlorës. U arrestua nga komunistët dhe vdiq në burg më 1946.
Xhelal Koprencka (1876-1919)
Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë. U vra pabesisht në vitin 1919 në një pritë, në një ngjarje ende të pazbardhur. Djali i tij u pushkatua nga komunistët në vitin 1979.
Hajredin Cakrani (1860-1940)
Firmëtar I Deklaratës së Pavarësisë. Komandant i shquar. Vdekje natyrale. U varros në teqenë e fshatit të tij.
Iljaz Vrioni (1882-1932)
Firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministër i Shqipërisë 1920-1921. Vdekja në Paris nga overdoza.
Murad Toptani (1867-1918)
Poet, skulptor. Vdekje natyrale
Luigj Gurakuqi (1879-1925)
Ministër i parë i Arsimit në Qeverinë e Ismail Qemalit. Pas përmbysjes së qeverisë së Nolit më 1924, jetoi në ekzil në Bari të Italisë. U vra nga Balto Stambolla më 2 mars 1925.
Spiridon Ilo (1876-1950)
Atdhetar i shquar. Mësues në shkollën shqipe të vashave. Krijues i këngës “Eja, mblidhuni, këtu, këtu”. Vdekje natyrale në Korçë.
Thanas Floqi (1884-1945)
Patriot, muzikant, Vdekje natyrale në Elbasan
Lef Nosi (1873-1946)
Patriot, arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog e politikan shqiptar. U pushkatua nga komunistët më 1946 pranë Kodrës së Priftit në Tiranë.
Nuri Sojliu (1870-1940)
Patriot. Vdiq në Strugë më 1940.
Ferit Vokopola (1887-1967)
Poet, përkthyes. U burgos nga regjimi komunist.
Ymer Deliallisi (1873-1944)
Atdhetar nga Shijaku. U largua nga Shqipëria pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924, U kthye në atdhe. Vdiq më 1944 në burgun nazist.
Xhemal Deliallisi (1880-1941)
Delegat i Shijakut në Kuvendin e Vlorës. Iku nga Shqipëria pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924. U kthye dhe vdiq në Tiranë në vitin 1941.
Mustafa Merlika Kruja (1887-1958)
Mësues, deputet dhe kryeministër i Shqipërisë gjatë pushtimit fashist, Vdiq në ekzil në Niagara të Kanadasë.
Abdi Toptani (1864-1942)
Ministër i Financave në qeverinë e Ismail Qemalit. U dënua me vdekje pasi përkrahu në vitin 1922 kryengritjen e Bajram Currit dhe Elez Isuf Ndreut, por u fal pas protestave. Vdiq në Tiranë.
Veli Harçi (1850-1914)
Patriot nga Gjirokastra, Vdekje natyrale.
Nebi Sefa (1861-1942)
Patriot nga Lushnja, Përkrahu lëvizjen Noliste të Qershorit 1924. Vdiq në Lushnjë në vitin 1942.
Mid’hat Frashëri (1880-1949)
Publicist, shkrimtar, përkthyes, albanolog, diplomat, veprimtar i çështjes kombëtare dhe kryetar i Ballit Kombëtar e i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Vdiq në New York në rrethana misterioze.
Zihni Abas Kanina Hamzaraj (1885-1957)
Lindi në Kaninë të Vlorës. Në vitin 1951 u arrestua nga regjimit komunist i kohës dhe vdiq në burg në Tiranë.
Qemal Karaosmani Elbasani (1875-1949)
Patriot i shquar. Vitet e fundit të jetës i jetoi në Kavajë. Nuk ju bë asnjë nderim nga shteti shqiptar i kohës. Pas vdekjes së tij fëmijët e Qemal Karaosmanit u ndoqën nga kalvari i vuajtjeve dhe persekutimit, pasi konsideroheshin si bejlerë.
Sali Gjuka (1876-1925)
Mësues. Lindi në Pejë. Ishte drejtor i Arsimit në Qarkun e Beratit në vitin 1913. Mori pjesë në lëvizjen e Qershorit 1924. U dënua me 10 vite burg për pjesëmarrje në vrasjen e Abdyl Ypit akuzë të cilën se pranoi kurrë. Bëri katër vite burg. Vdiq i sëmurë nga tuberkulozi në Berat.
Dhimitër Berati (1888-1970)
Atdhetar, publicist. Ministër Shteti për Kulturën në qeverinë e Musfafa Merlikës gjatë pushtimit fashist. Iku nga Shqipëria pas rënies së qeverisë së regjencës së drejtuar nga Rexheo Mitrovica. Vdiq në Romë në vitin 1970.
Dhimitër Mborja Emanoil (1884-1945)
Politikan, biznesmen, bamirës. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit 1924, iku nga Shqipëria për të mos u kthyer më edhe pse Mbreti Zog i dha amnistinë. Vdiq në Bukuresht në vitin 1945.
Dhimitër Zografi (1878-1945)
Patriot i shquar. Kundërshton vendimet e padrejta të Konferencës së Parisit. Ikën nga Shqipëria në vitin 1917 dhe nuk kthehet më. Vdes në Bukuresht në vitin 1945.
Pandeli Cale (1879-1923)
Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Prefekt I Korçës më 1920 dhe deputet në Parlamentin e parë shqiptar. Vdiq në një spital të Selanikut.
Bedri Pejani (1885-1946)
U arrestua nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar. Vdiq i helmuar në një spital në Prizren.
Qemal Mullaj (1881-1966)
Më 1924 mbështet forcat e kryengritjes. Pas rrëzimit të kabinetit të Nolit, emigroi jashtë, ku thuhet se organizoi edhe një atentat kundër Ahmet Zogut. Vitet e fundit të jetës i kaloi në Tiranë, pothuaj i pashqetësuar nga regjimi i kohës, Vdiq në Tiranë në vitin 1966.
Dr. Myrteza Ali Struga (Dibra) (1876-1937)
Mjek shqiptar. Lindi në Strugë. Drejtor i Spitalit të Peshkopisë në vitin 1932. Vdiq në Tiranë nga një sëmundje e rëndë në vitin 1937.
Aristidh Ruci (1875-1950)
Lindi në Sheper të Zagorisë në fshatin e Çajupit. Mori pjesë me armë në dorë gjatë Luftës së Vlorës. U internua nga fashistët në Itali gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vdiq në Vlorë në vitin 1950.
Zyhdi Ohri (1872-1938)
Patriot shqiptar. Lindi në Ohër. Pati një vdekje natyrale./opinion/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...