Mësoni për ninxhat!

22:05 | 17 Korrik 2017
Arbresh.info

Ninxhat ndodhen kudo në kulturën popullore. Por cilët ishin ata në të vërtetë?

Këtë përpiqet ta zbulojë shkrimtari dhe historiani John Man në librin e tij të ri “Ninxhat, 1000 vjet të Luftëtarëve të Hijes”. Ai tregon për revistën “Time” 8 fakte rreth tyre.

1- Ninxhat më të zgjuar nuk visheshin me të zeza

A ekziston një periudhë e artë për ninxhat?

Epoka e artë e ninxhave ishte shekulli 16. Kur Japonia hyri në epokën e luftërave mes lordëve në Mesjetën e Hershme, zonat ku ninxhat jetonin u bënë gjithnjë e më të izoluara. Ndërsa lordët merreshin me pjesën tjetër të Japonisë, Iga dhe Koka krijuan sistemin e tyre të komunës që u quajt ninxhaizëm. Aftësitë e ninxhave për t’u vetëmbrojtur ishin për t’u admiruar dhe kështu ata gjenin punë si mercenarë. Por në një Japoni të bashkuar, gjë që ndodhi gjatë sundimit të Oda Nobunagas, ninxhat nuk mund të toleroheshin. Kështu ndodhën dy pushtime të mëdha të Iga-s dhe Koka-s në fund të shekullit 16 që i dha fund ninxhave.

Kur u rrit statusi i tyre mitologjik? Kur u kthyen në ‘luftëtarë të hijes’ të veshur me të zeza siç i njohim ne sot?

Është një mit i madh. Në fakt nëpër muzetë e ninxhave sot thuhet se ngjyra e zezë nuk ishte kostumi më i mirë për t’u veshur nga ninxhat. Bluja e errët ishte e përshtatshme. Pas viteve 1600 duke qenë se ata ishin të tepërt, disa prej tyre u morën si policë sekretë.

2- Iga dhe Koka, ku lindën Ninxhat

Çfarë është një ninxha?

Ishin shumë të përgatitur në artet marciale. Ata ishin agjentë sekretë që kryenin punë, zakonisht natën, dhe vepronin si spiunë dhe vrasës në botën mesjetare të Japonisë.

Çfarë do të thotë fjala “ninxha”?

Ninxha e ka origjinën nga gjuha kineze dhe do të thotë “dikush që vazhdon të qëndrojë”. Në gjuhën japoneze ata quhen shinobi, por meqë gjuha kineze kishte një status më të lartë se japonishtja, fjala “ninxha” ka një status më të lartë dhe është më e pranueshme nga të tjerët. Ndërsa shinobi përmendet brenda për brenda Japonisë.

Dhe e kanë origjinën nga një vend i caktuar i Japonisë?

Po. Madje edhe unë u surprizova që ata vijnë nga një zonë e veçantë. Tradicionalisht njihet si Iga dhe Koka, disa orë larg Kioto-s. Ajo është një zonë e bukur kodrinore me pyje, lugina, lumenj dhe vende ku prodhohet orizi. Nuk është shumë i zhvilluar por mbetet sharmant.

Por çfarë e shtyu këtë tokë të lindte ninxhat?

Kjo zonë është shumë afër Japonisë Qendrore dhe u ngrit kur e gjithë Japonia ishte e copëtuar nga grindjet. Kjo ishte një zonë e veçantë për lordët e luftës të cilët ishin të vendosur të mbesnin të tillë. Dhe në këtë mënyrë, fshatrat formuan komunat e veta vetë-mbrojtëse, ku më pas dolën dhe ninxhat me aftësitë e tyre të veçanta.

3- Disa ninxha ishin samurai

Në librin tuaj, ju theksoni ndryshimin mes një ninxhe dhe një samurai

Kur themi ninxha i referohemi një anti-samuraji. Samurajit ishin personalitete të dukshme dhe me ngjyra. E gjithë qenia e tyre varej nga shfaqja publike. Ninxhat ishin e kundërta. Që të jesh spiun, duhet të mbijetosh dhe të jesh sekret. Fshehtësia ishte diçka që samurajit e përbuznin, por në fakt ninxhat ishin më jetikë për veprimtarinë ushtarake.

A mund të jetë një ninxha dhe samurai në të njëjtën kohë?

Teorikisht po. Do të kishte ndonjë dallim të vogël sepse samurajit duhet t’i përkisnin një klase të lartë, kurse për ninxhat nuk ishte e nevojshme.

4- Ninxhat trajnoheshin duke u ulur poshtë ujëvarave

A ishin ninxhat të ngjashëm me kultet e tjera sekrete, ndoshta si “Vrasësit e Kryqëzatave”?

Nuk mendoj kështu, sepse “Vrasësit” kishin një ndjenjë xhihadizmi të fuqishme, me rrënjët tek feja, ndërsa ninxhat nuk kishin të bënin me fenë. Ninxhat kërkonin atë që quhej “gjendje e duhur mendore” . Ata duhet të mbanin qëndrimin e duhur për të kryer punët, për fshatin, lordët dhe për veten e tyre. Ata trajnoheshin në një sistem besimi lokal. Trajnoheshin në male pranë rrjedhave të ujëvarave duke qetësuar trupin dhe shpirtin.

A i përfshinte kjo shpatat artizanale apo armët e tjera?

Asnjëherë nuk kishte një lloj trajnimi formal luftarak. Kjo kulturë merrej nga familja, kur praktikohej vetë-mbrojtja.

Pra është më shumë një proces shpirtëror se sa ushtarak?

Sigurisht që ishte shpirtëror. Nuk përfshiheshin artet marciale, por sigurisht që nëse i mbijetoje qëndrimit poshtë ujëvarës apo ecjes me mijëra milje në pyje sigurisht që ishte një lloj trajnimi i mirë.

5- Ekzistonin familjet ninxha…

A ekzistonin breza apo familje ninxhash?

Po ekzistonin. Lindje në familje të tilla dhe merreshe me punët e familjes. Besnikëria ishte ajo që i lidhte familjarët.

Të jesh ninxha është më shumë identitet taktik apo identitet përcaktues?

Po të shohësh prapa në histori çdo gjë bëhet më e paqartë. Sun Tzu, teoricieni i madh ushtarak kinez, flet për artin dhe domosdoshmërinë e mashtrimit nëse dëshiron të fitosh një luftë.

6- …dhe me shumë gjasa ushtritë ninxha.

A ka diçka thelbësisht subversive për ninxhat?

Nuk do të thoja subversive. Nëse imagjinon komunitetet që kishin nevojë për vende për t’u tërhequr në raste sulmi, gjithashtu ekzistojnë qindra vende që ata i përdornin për t’u mbledhur. Ata nuk kishin kështjella tipike por rrinin nëpër vrima nën tokë. Arkeologët nuk kanë kërkuar shumë. Ato janë vende të parestauruara dhe janë të mbuluara me pemë.

A mbroheshin këto fortesa nga ushtritë e ninxhave?

Askush nuk e di. Manualet e shkruara nuk flasin për aktivitete bashkëpunuese. Ata gjithnjë trajtoheshin si individë. Mund edhe të kenë operuar si grupe, por nuk ka të dhëna.

7- James Bond deformoi historinë e Ninxhas

Si u përhap legjenda e ninxhave në botë?

Mori jetë në Japoni në shekullin e 19 dhe më pas u përhap në Perëndim, por pas Luftës së Dytë Botërore. Unë fajësoj James Bond-in. Filmi i Bond popullarizoi idenë e ninxhave mes njerëzve që nuk janë të interesuar për arte marciale. Është e çuditshme, ideja e një ninxhe përhapet nga një film që as nuk përfaqëson ninxhën.

Në shekullin e 19 kishte gjurmë njerëzish të veshur me të zeza që vidhnin kështjellat?

Po, ekzistonin gjurmë që ata merrnin pjesë në këto lloj punësh. Megjithatë, hipoteza të shumta janë ngritur e përhapur për ninxhat me kalimin e kohës, por që i largoheshin gjithnjë e më shumë realitetit.

8- Historia e vërtetë  e Ninxhës së fundit

Cili është keqkuptimi ynë më i madh në lidhje me ninxhat?

Unë mendoja se ata ishin vrasës, por u surprizova kur lexova për praktikat e tyre shpirtërore të cilat ishin pjesë e rëndësishme e trajnimit. Edhe sot, ekspertët thonë se qetësimi i mendjes ishte elementi parësor i trajnimit të tyre.

A  kishin ninxhat armë speciale?

Shumica e armëve të tyre janë vendosur në muzetë e ninxhave. Në fillim ishin vetëm pajisjet e fermave.

Ju keni shkruar për një spiun japonez të Luftës së Dytë Botërore, Hiroo Onoda, që u fsheh në Filipine për 30 vjet. Pse në pikëpamjen tuaj ai është ninxha i fundit?

Ai arriti t’i mbijetojë militarizmit ksenofob gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta shumë njerëz do ta kundërshtojnë këtë, por unë do thoja që ai është ninxha i fundit./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme