Mafia japoneze humb prestigjin, anëtarët e saj vjedhin dyqanet

21:59 | 25 Maj 2017
Trina Galanxhi

Jeta në radhët e sindikatave të krimit në Japoni po bëhet aq e vështirë, saqë disa nga anëtarët e tyre kanë filluar të vjedhin edhe dyqane, me qëllim që të mbijetojnë.

Dy pjesëtarë të një bande kriminale u arrestuan të mërkurën në lokalitetin Nagoja teksa vidhnin mallra konsumi në një ushqimore, me vlerë rreth 75 dollarë.

“Ata ishin anëtarë të sindikatës Yamaguchi-gumi”, deklaroi një zëdhënës policie, duke iu referuar organizatës që në vitin 2015 përjetoi momentin më të keq të saj, pasi u shpërbë, duke humbur primatin e grupit më të madh mafioz në vendin aziatik.

Gangsterrët e arrestuar, të moshave 52 dhe 59 vjeç, u përpoqën të vidhnin 198 mallra, mes të cilave lëng limoni, oriz, ngjala, vakte të gatshme, etj.

I marrë në pyetje nga policia, njëri prej të arrestuarve tha se, grupi kriminal është varfëruar aq shumë, saqë anëtarëve u duhet të vjedhin për të siguruar bukën e gojës.

Jakuza japoneze shkëlqeu në epokën e kaosit të pas Luftës së Dytë Botërore, duke u kthyer nga një grup bandash rruge në një sipërmarrje kriminale multimiliardere.

Ajo u përfshi në një sërë aktivitetesh të paligjshme, që nga kumari, prostitucioni, zhvatja dhe fajdet dhe në epokën moderne tek droga, kryesisht ajo sintetike.

Për një kohë të gjatë gangsterrët u toleruan, pasi konsideroheshin si një nevojë për të vendosur rend dhe qetësi në rrugët e qyteteve japoneze.

Ndryshe nga mafiet e tjera, Jakuza nuk konsiderohet një organizatë ilegale në Japoni dhe grupet e saj kanë seli në zonat kryesore të metropoleve.

Por zbehja e tolerancës sociale, dobësimi i financave dhe rënia e anëtarësimeve kanë shkundur themelet e organizatës. Gjithashtu, qeveria japoneze po punon për hartimin e një legjislacioni që do t’u vështirësojë jetën organizatave kriminale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme