Google ADS

Lind foshnja e parë nga mitra e nënës së vdekur

07:59 | 6 Dhjetor 2018
Arbresh.info

Një bebe e shëndetshme është sjellë në jetë duke përdorur një mitër të transplantuar nga një trup i vdekur. Operacioni për transplantin e mitrës zgjati 10 orë, e më tej pasuan trajtimet për fertilitetin, të cilët janë kryer në vitin 2016 në Brazil te një grua 32 vjeç e cila kishte lindur pa mitër.

Deri tani janë bërë 39 transplante të mitrës nga dhuruese të gjalla, për shembull, nënat kanë dhuruar mitrën për vajzat, duke rezultuar në këtë mënyrë në sjelljen në jetë të 11 fëmijëve. Por, deri më sot, 10 transplantet e mëhershme nga një dhurues i pajetë kishin dështuar, ose kishin rezultuar në aborte. Në rastin e tanishëm, një mrekulli ndoshta, dhuruesja e mitrës ishte një nënë e 3 fëmijëve në të 40-at e saj, e cila kishte ndërruar jetë nga hemorragjia në tru.

Marrësja, ndërkohë, ishte lindur me sindromën “Mayer-Rokitansky-Kuster-Hauser”, që prek rreth një në çdo 4.500 gra dhe rezulton në çrregullimin funksional të vaginës dhe uterusit mitrës. Gjithsesi, vezoret e saj ishin në gjendje të mirë. Për këtë arsye, mjekët mundën të hiqnin vezët prej saj, t’i fertilizonin ato me spermën e mashkullit që bëhet për herë të parë baba, për t’i ngrirë më pas ato. Gruas iu dhanë ilaçe që i dobësonin asaj sistemin imunitar, për të penguar faktin që trupi i saj të sulmonte apo të refuzonte transplantin. Rreth 6 javë më vonë, ajo nisi të kishte periodat e saj. Pas 7 muajsh, vezët e fertilizuara u implantuan dhe, pas një shtatzënie normale, një foshnje prej 2.5 kg u soll në jetë përmes operacionit cezarian më 15 dhjetor të vitit 2017.

Doktori Dani Ejzenberg, nga “Hospital das Clinicas” në Sao Paolo, tha se “transplantet e para të uterusit nga dhuruesit e gjallë ishin një arritje mjekësore, duke krijuar kështu mundësinë për të sjellë në jetë fëmijë nga shumë femra shterpë, të cilat do të mund të gjenin një dhurues të përshtatshëm dhe me asistencë mjekësore. Megjithatë, nevoja për një dhurues të gjallë është një kufizim i rëndësishëm, pasi dhurueset janë të rralla, e veçanërisht shihen vetëm brenda familjeve”.

Ndërsa doktori Srdjan Saso nga “Imperial College” i Londrës tha se rezultatet janë “jashtëzakonisht të kënaqshme”. “Kjo mundëson përdorimin e një popullate shumë më të gjerë dhuruesesh, aplikohet me kosto më të ulëta dhe shmang rreziqet e operacioneve te dhurueset e gjalla”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme