Google ADS

Kush ishin udhëheqësit komunist shqiptarë, që akuzoheshin si homoseksualë

22:18 | 11 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Sa herë të të bjerë rasti të kërkosh në dosjet e Arkivit të Shtetit, do të të shfaqen, me siguri, raste të tëra dënimesh ordinere të përcaktuara edhe me një nënkategori tjetër: pederasti. Edhe nëse sot, legjendat e kanë lidhur prirjen me qytete si Kavaja apo Elbasani, këto dy të fundit nuk gjenden edhe aq dendur krah emrave të të dënuarve. Korça, Gjirokastra, Berati etj. janë disa nga qytetet më të shpeshta.

Shoqëria jonë tradicionale (para komunizmit) e ka toleruar marrëdhënien seksuale mes dy meshkujsh shumë më tepër se sot. Këtë e dëshmon vetë koncepti i dylberit apo këngët e shumta popullore për dylberët e bukur, që gradualisht u zhdukën gjatë komunizmit, për shkak të masave që merreshin e rrezikut ndaj të cilit ekspozoheshin. Sidoqoftë, me gjithë “shtrëngimin”, asnjëherë homoseksualizmi nuk është zhdukur krejt në asnjë nga kohët o regjimet.

Shumë nga burrat mustaqemëdhenj dhe tradicionalë shqiptarë kanë pasur nga një dylber dhe kjo tolerohej, edhe pse nuk pranohej hapur nga shoqëria e kohës. Së fundi nuk kanë munguar lajmet e dëshmitë që Enver Hoxha kishte vetë prirje homoseksuale, madje, një nga rastet e fundit thotë se edhe e shoqja e tij, Nexhmija, ishte në dijeni të dëshirave seksuale të të shoqit.

“Homoseksualiteti i Hoxhës, për të cilin e shoqja ishte në dijeni, ishte një sekret që e dinin zyrtarët më të lartë komunistë të vendit. Të kundërshtoje marrëdhëniet me Hoxhën, ishte njëlloj si të dënoheshe me vdekje. Paranoja e tij u shtua me moshën bashkë, duke bërë që ai të vriste shumë nga dashnorët e tij, pasi i kishte detyruar të hynin në marrëdhënie me ta”, ka deklaruar Ilir Bulka, përkthyesi i telegrafëve të diktatorit. Sidoqoftë, pavarësisht shijes së diktatorit, të tjerët ishin përpara motos së qartë e të detyrueshme “Bëj si them unë e mos bëj si bëj unë”, përndryshe, e di vendin. Rastet që sjell sot Kastriot Dervishi, e përforcojnë edhe më këtë gjë. Madje, ato nuk tregojnë vetëm për radhë homoseksualësh nga masa, por për figura qendrore të Byrosë Politike.

ARRATISJA E BULKËS DHE HOMOSEKSUALIZMI I ENVER HOXHËS

Lajmi për arratinë e përkthyesit Bulka, në vjeshtën e vitit 1987, ka mbërritur në Tiranë njëherazi me dëshmitë e bujshme për orientimin seksual të Enver Hoxhës, që ai kishte dhënë për shtypin perëndimor. Pohimet e Bulkës për anët e errëta të personalitetit të diktatorit u pritën me interes nga media e huaj dhe, në pak ditë, bënë xhiron e botës. Me përmbledhjen e tyre, ndihmësit e Alisë, pasardhësit e Hoxhës, përgatitën një buletin të veçantë, që ndodhet në Arkivin e Shtetit.

Më poshtë po zbardhim pjesët që aparaçikët e KQ kanë koleksionuar nga deklaratat e Bulkës… Gazeta greke “Vradhini”, 10 nëntor 1987, boton shkrimin me titull: “‘Braktisa Shqipërinë për të marrë frymë lirisht…”, tha përkthyesi i Enver Hoxhës”. Athinë – “Erdha në Greqi për të marrë frymë lirisht. Po.

Isha përkthyesi personal i Enver Hoxhës dhe di hollësira të rëndësishme për jetën dhe pasionin e tij prej homoseksuali! Kam jetuar tronditjen që krijohej në mekanizmin e Partisë të Shqipërisë kur ndodhnin arratisje jashtë shtetit. Shtypen të drejtat e njeriut, ka internime, burgosje, rënie të ekonomisë, censurë, devijime morale. Katalogu është i gjatë!” Gazeta “La Stampa” e datës 11.11.1987, boton një shkrim me titull: “Stalini shqiptar, homoseksual dhe vrasës”, me mbititull: “Një ish-bashkëpunëtor i Hoxhës thotë:

Frika se mos e tallnin e çoi deri në paranojë”, dhe me nëntitull: “Të kundërshtoje marrëdhëniet me udhëheqësin, do të thoshte të dënoheshe me vdekje, e megjithatë ishte seksofob dhe e dënonte homoseksualizmin me 7 vjet kamp pune të detyruar”. Athinë – Udhëheqësi i ndjerë shqiptar, Enver Hoxha, ishte një homoseksual që i fshihte prirjet e tij, gjë që e çoi ne paranojë dhe në vrasje, deklaroi Ilir Bulka, ish-bashkëpunëtor i tij që nga viti 1973 deri më 1980, 5 vjet përpara se Hoxha të vdiste, në një intervistë dhënë agjencisë UPI. Bulka ka kërkuar strehim politik në Greqi.

“Frika psikologjike se mos e tallnin, e bëri atë që të kapej pas pushtetit me të gjitha mjetet, pavarësisht se kjo do të thoshte përdorim i metodave si shfarosjet masive”, tha Bulka, i cili shtoi se Hoxha imponoi një kod të rreptë sjelljeje morale në të gjithë vendin, “solli në fuqi ligje që e dënonin homoseksualizmin dhe ata që shpalleshin fajtorë për këtë krim, dënoheshin me të paktën 7 vjet në një kamp pune”.

KASTRIOT DERVISHI

PEDERASTIA NË BYRONË POLITIKE TË PPSH-SË

Në një mbledhje të fillimit të viteve ’50, u diskutuan disa figura që do të merrnin poste të rëndësishme në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe në rrethe. Ndër të tjerë, u propozua për instruktor në Komitetin Qendror një emër i njohur. Askush nuk diskutoi për të. I vetmi që flet kundër tij është Gogo Nushi. Në procesverbalin përkatës, janë shënuar këto fjalë: “Gogua thotë se ky është me emër të keq. Para lufte ay ka qenë pederast pasiv dhe kjo nuk shkon. Atëherë pranohet të hiqet”.

Të bën përshtypje mungesa e diskutimit në Byronë Politike. Askush nuk e kritikon kuadrin, veç G. Nushit. Çështja është mbyllur si me zamkë dhe është kaluar në emra të tjerë. Nuk u pranua për instruktor, por kuadri në fjalë u vendos në poste më të larta. Ai është ndër më jetëgjatët e Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte edhe “veteran i nderuar” i luftës dhe mbahej ndër kuadrot më të mirë të partisë. Qysh nga viti 1951 ishte sekretar i parë në disa rrethe si Lushnjë, Berat, Fier, Peshkopi etj. Partia e Punës ia dinte vesin e keq. Megjithatë, nuk u bë kurrë pengesë që ai të vazhdonte karrierën gjithnjë të suksesshme në drejtim.

1969/PROSTITUCIONI NË TIRANË DHE IMPLIKIMI I DISA ZYRTARËVE

Në vitin 1969, organet e Prokurorisë me njëfarë droje zhvilluan hetime në lidhje me një grup prostitutash në Tiranë dhe klientët e tyre. Pavarësisht se me Kodin Penal këto veprime dënoheshin, historia e këtyre ngjarjeve ngeli vetëm në akte zyrtare, pasi askush nuk u dënua, madje femrat u përdorën e keqpërdorën nga regjimi.

KRIMI ORDINER NË DIKTATURËN KOMUNISTE

Shumë herë, nga persona ithtarë të regjimit komunist, apo nga të tjerë që nuk e kanë njohur atë kohë, flitet për “qetësinë e kohës së Enverit”. Ajo kohë prodhoi kriminalitetin më të paparë në historinë e Shqipërisë, sepse krijoi “njeriun e ri”, kafshën më të llahtarshme të atij regjimi. Nga leximi i një prej dokumenteve më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme si komunikata ditore, e nisur nga tetori i vitit 1949, kam arritur në përfundimin se kriminaliteti i lartë ka qenë një tjetër “dhuratë” që Partia e Punës i la Shqipërisë.

Natyrisht ky kriminalitet nuk mund të mbyllej me rubinet në vitin 1991. Bashkëlidhur mund të lexoni komunikatën ditore operative të datës 11.7.1966 të MPB-së, të cilën e sjell për shembull. Emrat e të përmendurve janë fshirë, sipas dispozitave të ligjit të arkivave.

A KISHTE NË KOMUNIZËM NJERËZ QË GUXONIN TA SHPREHNIN HAPUR ORIENTIMIN E TYRE SEKSUAL?

Në një intervistë me një homoseksual në komunizëm, është treguar në vija të trasha atmosfera e kohës në rast se identifikoheshe si i tillë. I pyeturi, pa u identifikuar, ka treguar se ç’mund t’i ndodhte nëse viheshe në shënjestër?! E para i braktiste familja, pastaj, stacionin përfundimtar, secili e dinte vetë. “Më kujtohen disa prej tyre që pata fatin t’i njoh personalisht nëpër vite.

Disa prej tyre kishin histori shumë të trishtuara e të dhimbshme, të cilat në momente të veçanta e kthenin dramën e hidhur të jetës së tyre në humor e gëzim të sinqertë, momente këto që më kanë lënë mbresa të paharrueshme. Shumë prej këtyre njerëzve ishin të braktisur nga familjet e tyre dhe tashmë nuk kishin më kontakte me to. Shoqëria i përbuzte dhe i diskriminonte dhe si për pasojë gjendja e tyre ishte gjithmonë e dëshpëruar. Shpesh alkooli ishte ngushëllimi i tyre i vetëm. Është për të ardhur keq që disa prej tyre patën një fund tragjik e të dëshpëruar.

Shumë njerëz si ne, në fushën e artit dhe të kulturës, por edhe në aspektet e tjera të jetës, duke qenë disi të hapur rreth seksualitetit të tyre, kishin humbur vendet e punës, të drejtën e ushtrimit të profesionit të tyre, si edhe kishin bërë vite të tëra burg, bazuar në nenin 137 të Kodit të Procedurës Penale të RPSSH-së, që dënonte ‘pederastinë’ me 10 vjet heqje lirie.

Vlen këtu për t’u sqaruar se termi ‘pederast’ ishte përdorur gabimisht në këtë kod. Ky term ishte huazuar nga frëngjishtja dhe në këtë gjuhë ka kuptimin e një të rrituri në moshën ligjore, i cili kryen marrëdhënie me të mitur, me pak fjalë ajo që sot quhet pedofili”.

Homoseksualizmi në artin e Shqipërisë komuniste

Në ditët e fundit të nëntorit 2015, unë vizitova Shqipërinë dhe Kosovën duke mbajtur një sërë ligjëratash për nacionalizmin gjuhësor. Gjatë njërit nga pak çastet e lira nga programi im i ngjeshur pata rastin të vizitoj Galerinë e Arteve në Tiranë, kryeqytetin e vendit. Pikturat dhe skulpturat atje janë vetëm të shekullit 20, shumica me prejardhje nga kohët komuniste. Realizmi socialist ka qenë art për qëllime politike i kundërvënë artit borgjez (kapitalist) që ishte art për art.

Kjo ka qenë dogmë staliniste në fushën e arteve. Sistemit i erdhi fundi rreth vitit 1956 në Bllokun Sovjetik, por jo në Shqipëri, ku stalinizmi (me aludim maoizmin) sundoi fort deri në rënien e komunizmit në këtë vend, më 1992-shin. Arti socialist (komunist) ishte jo vetëm për të riprodhuar një pasqyrim të zmadhuar (d.m.th. jo të vërtetë) të realitetit të “punës së popullit dhe përparimit të tij”, por ishte edhe mjaft puritan. Nuk bëhej fjalë të lejoheshin fotograme erotike (lëre më seksuale) në sferën publike.

Janaq Paço (1914-1991), i specializuar për skulptura klasike nudo, si rregull për bukurinë do të miratonte vizionin e trupit muskuloz të shëndetshëm të punëtorit dhe fshatarit socialist. Studentët e artit të realizmit socialist duhet të mësonin nga shembujt më të mirë të artit klasik greko-romak. Në vitin 1964, Galeria Kombëtare e Arteve mori njërën nga skulpturat tërësisht nudo të Paços.

Por dhjetë vjet më pas, më 1974, Sigurimi (Policia e famshme sekrete e Shqipërisë) e urdhëroi atë ta shkatërronte këtë skulpturë nudo, bashkë me të tjera që ai mbante në studion e tij. Arsyeja zyrtare për këtë ndryshim të beftë ishte se skulpturat qenë një provë e ndikimit të huaj të padëshiruar që përhapte dhe “infektonte mbarë trupin” e artit socialist realist shqiptar. Për fat, shkatërrimi i nudos së Galerisë nuk qe i plotë. Busti i krijuar mbijetoi pa u prekur në një dyqan mallrash dhe tani, si një skulpturë disidente, zë vend krenare në ekspozitën e artit të periudhës komuniste të Shqipërisë. Piktori Petro Kokushta (lindur më 1943) nuk bëri kurrë ndonjë gabim duke përkrahur shijet kulturore borgjeze.

Ai iu shmang rreptësisht temave të ndaluara zyrtarisht, si dhe iu përmbajt “rrugës së drejtë” që duhej ndjekur. Por, përtej mërzisë së predikimit të propagandës pamore komuniste, unë u befasova kur pashë njërën nga pikturat e Kokushtës, titulluar “Duke mbërritur te lartësitë e dritës” (1981). Aty paraqiten dy të rinj punëtorë, që kinse po instalojnë disa pjesë elektrike në një shtyllë tensioni të lartë, nga ku shihet një luginë e thellë. Në iluzionin e krijuar nga ky kompozim, të dy burrat duket sikur janë bartur në rrugë ajrore, ata po uturojnë lart mbi tokë, të lirë si engjëj në blunë e errët e të thellë të qiellit. Sfondi duket sikur është bartur drejtpërdrejt nga një ikonë, që ka qenë heretike në Shqipërinë komuniste.

Ishte vendi i vetëm në botë ku feja (“opiumi i popullit”, sipas marksizmit) ishte hequr në vitin 1967. Habitem qysh censorët dhe nëpunësit politikë nuk kanë mundur ta shohin këtë sfidë të jashtëzakonshme kundërrevolucionare të paraqitur në pikturë. Edhe më keq, larg syve të botës, vetëm me njëri-tjetrin në këtë mjedis të ashpër, dy elektricistët duken vetëm një minutë tutje nga një përqafim i butë…

Tradita islamike e burrave për të qenë rreptësisht të veçuar nga gratë, nxiti zakonin e miqësisë ndërmjet meshkujve që i mbajnë duart dhe përshëndeten me të puthura në faqe. Sugjerimi i homoerotizmit buron natyrshëm nga kjo pikturë, duke sfiduar drejtpërdrejt dekoracionin ideologjik të komunizmit. A ka qenë piktori i vetëdijshëm për këtë që ka bërë? Është fat për të, që ndryshe nga nudot e Paços, Partia dështoi të dallonte në këtë kryevepër të Kokushtës një lojë dashurie midis gejëve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme