Mafia është një term shumë i përhapur në botë për të përkufizuar organizata kriminale. Mafia ka një traditë dhe histori të gjatë. Sipas legjendës urbane fjala ”MAFIA” për herë të parë është përdorur gjatë revoltit siçilian kundër sunduesve francez më 30 mars 1282.
Për t’i rezistuar këtij pushtimi, në Siçili u krijua një organizatë e cila quhej “Morte Alla Francia Italia Amella” që kishte kuptimin “Vdekje për Francën, Italia thërret”. Nga shkronjat e para të fjalëve që e përbëjnë emërtimin e kësaj organizate është sajuar emri Mafia. Megjithatë kjo teori hidhet poshtë nga shumë historian në ditët e sotme.
Disa të tjerë theksojnë se fjala mafia vjen nga fjala arabe “mahias” që do te thotë guxim ose njeri i guximshëm. Po ashtu disa autorë të tjerë mendojnë se fjala mafia vjen nga fjala tjetër arabe “muafas” që do të thotë të kujdesesh,ti vësh nën mbrojtje anëtarët e familjes, të klanit, ti disiplinosh, ti kesh nën kontroll, etj. Në fjalorin siçiliano-italian të vitit 1868, fjala mafia shpjegohet si neologjizëm i cili do të thotë manifestim i trimërisë dhe guximit, ndërsa në fjalorin e botuar në vitin 1876 kjo paraqitet si sinonim për fjalën bandë-organizatë apo grup i fshehtë i organizuar për qëllime të caktuara.
Struktura
Mafia italiane por edhe mafiat e tjera nuk kanë një strukturë organizative të thjeshtë por është një shoqatë e përbërë prej një numri të madh të grupeve të ashtuquajtura klane ose familje. Çdo familje është e udhëhequr nga Shefi ose Bosi ose i ashtuquajturi Don i cili sundon si diktator. Varësisht prej familjes edhe Doni zgjidhet në forma të ndryshme. Doni merr përqindje nga fitimet e të gjithë pjesëtarëve të familjes.
Nën shefi është urdhri i dytë në familje i cili zakonisht emërohet nga Doni i familjes. Ai është i përgjegjshëm për të gjithë Kapot të cilët janë nën urdhrin e Donit. Në rast të arrestimit ose vdekjes së Donit, Nënshefi është i pari në listë për të marrë pozitën e tij derisa ai u mungon ose përgjithmonë.
Consigliere ose Këshilltari është personi i cili këshillon familjen dhe gjithashtu është i njohur si krahu i djathtë i Donit. Ata përdoren si ndërmjetësues nëpër diskutime dhe përfaqësues të familjes në mbledhjet me familjet tjera. Për Këshilltar, Doni emëron dikë tek i cili ka më tepër besim.
Caporegime ose Capo është është i përgjegjshëm për grupet e ushtarëve të cilët i raportojnë direkt atij. Çdo grup zakonisht përbëhet nga 10 deri më 20 ushtarë. Kapoja emërohet nga Doni ose Nënshefi dhe u raporton atyre. Atyre mund tu jepen detyra si vrasje dhe rekrutim. Nëse një Kapo bëhet i mjaft i fuqishëm ai mund të kalojë edhe superiorët e tij. Ai mund të zë edhe vendin e Donit nëse Doni i mëparshëm vdes.
Soldato ose Ushtar është pjesëtar i familjes dhe sipas traditës ai duhet të jetë italian ose të paktën të jetë italian nga ana e babait. Njëherazi kur një anëtarë është i “bërë” ai është i paprekur që d.m.th se përpara se një ushtar të vritet duhet njëherë të bisedohet me Kapon e ushtarit ose Donin. Kur lirohet një vend në familje Kapot mund të propozojnë një anëtar të ri. Ata janë të quajtur si “Njerëz të Krijuar” të cilin epitet e merr duke bërë një vrasje me urdhër të superiorëve. Të jesh i krijuar d.m.th fillimi por jo përfundimi i karrierës mafioze.
Associate ose Shoqëruesit nuk janë anëtarë të familjes dhe roli i shoqëruesit është i ngjashëm me atë të njeriut të porositur. Zakonisht shoqërues janë joitalian të cilët asnjëherë nuk shkojnë më larg se kaq. Ato kryejnë punë për të ndihmuar anëtarët e familjes ose janë njerëz me të cilët familja ka aktivitet. Në raste tjera Shoqërues janë edhe biznesmenët e korruptuar dhe përfaqësuesit e unionit.
Rituali i fillimit
Të gjithë mafiozët për tu bërë anëtarë të plotë të Mafisë duhet të kalojnë një ritual. Ai ftohet në një “festë”. Ai dërgohet në një dhomë në të cilën shumë mafioz rrinë ulur në një tavolinë tek e cila ka një pistoletë, një thikë dhe një fotografi të një shenjtori. Ato e pyesin për dedikimin e tij dhe ndjenjat e tij në lidhje me kriminalitetin dhe vrasjet. Kur konfirmon gjithçka, Doni merr një gjilpërë dhe bën një vrimë në gishtin e personit. Personi njollos me gjakun nga gishti fotografinë e shenjtorit, të cilën ai e mban në duart e mbledhura derisa Doni e djeg. Doni atëherë thotë: “Nëse ti e tradhton Mafian, mishi yt do të digjet si ky shenjtor”.
Prezantimi
Një mafioz nuk duhet të prezantojë veten para një mafiozi tjetër. Atë duhet ta bëjë një mafioz i tretë i cili është i njohur nga të dy mafiozët.
Omerta-Kodi i heshtjes
Omerta është kodeksi i heshtjes i cili i ndalon mafiozët që të tradhtojnë partnerët e tyre tek autoritetet. Dënimi i tradhtisë është vdekja e tradhtarit dhe e familjes së tij.
10 Urdhrat e Shenjta
Në nëntor të vitit 2007, pas arrestimit të Salvatore Lo Picolo (do të sqarojmë më vonë se kush është), policia siçiliane gjeti një dokument që përmbante “Dhjetë Urdhërat” në vendin ku strehohej ai. Ata janë udhërrëfyes si të bëhesh një mafioz i mirë, i respektuar dhe i ndershëm.
Mafia siçiliane ose Cosa Nostra Siçiliane
Organizata e parë mafioze është Mafia Siçiliane e cila nuk ndonjë emër formal pasi anëtarët mendojnë se nuk ka nevojë që të këtë. Mirëpo që kjo organizatë të dallohet nga organizatat tjera në Itali është quajtur me termin “Cosa Nostra” që do të thotë “Çështja Jonë”. Sido që të jetë në Itali përdoret termi Mafia Siçiliane e cila mafi aktivitetin e vetë kriminal në SHBA e ka zhvilluar nën emrin Cosa Nostra.
Siçilia Post-Feudale
Gjeneza e mafias siçiliane është pak e njohur për shkak të natyrës së fshehtë që nga krijimi deri në ditët e sotme të zhvillimit të saj. Besohet se fara e tij është mbjellë në kohën e tranzicionit të Sicilisë nga feudalizmi në kapitalizëm. Shteti sicilian nuk mund të detyronte plotësisht që të respektohej ligji dhe rendi dhe shumë grupe,nga banditët deri tek zanatçinjtë esnafë, përdorën dhunën për të plaçkitur dhe për të krijuar konflikte.
Më 1824 në Sicili ekzistonte një sekt vjedhësish të cilët kishin shenja speciale për tu njohur më njëri tjetrin, kishin mbrojtje politike në shumë regjione, kishin një kodeks të besnikërisë të njohur si ”Omerta”. Më 1865 këto lloj sektesh u quajtën për herë të parë si Mafia.
Shtypja nga ana e fashizmit
Gjatë fashizmit, Benito Musolini, më 1920 dha urdhër që të shkatërrohet Mafia dhe bashkëpunëtorët e saj politik. Duke e bërë këtë ai do tu jepte fund shumë kundërshtarëve të tij politik në ishull dhe do ti bënte një propagandë të mirë Fashizmit. Në tetor 1925 ai emëroi Cesare Mori për prefekt të Palermos dhe i dha atij fuqi speciale për të sulmuar Mafien. Gjatë kësaj kohe u bënë 11000 arrestime. Familjarët e mafiozëve ndonjëherë merreshin peng për ti detyruar ato të dorëzoheshin. Më tepër prej 1200 mafiozë u dënuan dhe burgosën ndërsa shumë të tjerë u ekstraduan pa proces gjyqësor. Fushata e Morit mbaroi më 1929, edhe pse ai nuk e theu plotësisht Mafian pas asaj që bëri Mafia rëndë se ekzistonte më. Shumë prej tyre ikën në SHBA ku vazhduan aktivitetin kriminel të tyre.
Mbijetesa Post-Fashiste
Më 1943 afro gjysëm milion trupa a pushtuan Siçilinë. Në atë kohë niveli i kriminalitetit u ngrit duke shkaktuar trazira dhe kaos. Në 6 muajt e parë të okupimit partitë politike ishin të ndaluara. Okupatorët i shkarkuan funksionarët fashistë dhe i emëruan zëvendësimet e tyre. Shumica e tyre ishin Mafiozë. Ndryshimi i ekonomisë së Siçilisë ndryshoi edhe bazën e Mafias nga ajo rurale në atë urbane. Pas luftës qeveria italiane derdhi shumë para publike për të rindërtuar Siçilinë. Në vitin 1956 dy zyrtarë tq qeverisë të lidhur me mafinë, Vito Ciancimino dhe Salvatore Lima morën nën kontroll Zyrën e Palermos për Punë Publike. Gjatë viteve 1959-1963, rreth 80% të lejeve për ndërtim ua dhanë 5 njerëzve prej të cilëve askush nuk bënte pjesë në ndonjë firmë ndërtimorë dhe ishin liderë të Mafias. Firmat ndërtimorë që nuk ishin të lidhura më Mafian ishin të detyruar të paguanin para për mbrojtje. Ndërtesat u ndërtuan ilegalisht para se të nxirren planet për ndërtim.
Lufta e parë Mafioze
Më vonë filluan edhe dy luftërat e Mafias, ku lufta e parë mafioze ishte konflikti në mes klaneve mafioze të pasluftës.
Në dhjetor të 1962 një sasi heroine u zhduk gjatë transportimit për në Amerikë. Kur Komisioni i Mafias Siçiliane nuk mund të vendoste se kë të akuzonte, një nga klanet e përfshira, La Barbera, mori çështjen në duart e veta. Ata vranë një mafioz nga klani Greko tek i cili dyshonin për vjedhjen e heroinës duke filluar kështu një luftë gjatë së cilës shumë njerëz jo mafiozë do të vriten. Gjatë këtij konflikti u bënë 2000 arrestime. Aktivitet mafiozë po rrëzoheshin kur klanet mafioze u shkatërruan ndërsa shumë mafioz u fshehën. Komisioni u prish, deri në riformimin e saj në vitin 1969. 117 të dyshuar u vunë në gjyq më 1968 mirëpo shumica e tyre u liruan ose morën dënime të lehta.
Lufta e dytë Mafioze
Në fillim të viteve 70-ta Luçiano Leggio, shefi i familjes Corleone dhe anëtar i Komisionit Të Mafias Siçiliane krijoi një koalicion midis familjeve mafioze të njohur si Corleonesi me atë vetë si lider. Ai inicioi një fushatë për të dominuar Cosa Nostrën dhe tregtinë e tyre të narkotikës. Mirëpo për shkak të burgosjes së tij më 1974 ai vepronte përmes përfaqësuesit të tij Salvatore Riina, të cilit eventualisht do ti japë të gjithë kontrollin. Riina si “blen” disa nga familjet mafioze, shkatërron disa nga familjet e tjera mafioze dhe filluan të rekrutojnë anëtarë të rinj fshehtas. Më 1977 Riina përjashton Gaetano Badalamentin nga Komisioni me akuzat se fshihte të ardhura nga droga. Në prill 1981 një tjetër anëtar i Komisionit u vra, Stefano Bontaten dhe këtu filloi lufta e dytë mafioze. Qindra mafiozë armiq dhe të afërmit e tyre u vranë, ndonjëherë edhe nga tradhtarë të klaneve të tyre. Në fund fitoi Riina dhe Salvatore “Toto” Riina u bë “Shefi i Shefave” i Mafias Siçiliane.
Në të njëjtë kohë Corleonezët zhvilluan fushatën e tyre për të dominuar Cosa Nostrën, ata gjithashtu zhvilluan fushatën e tyre të vrasjeve të gazetarëve dhe policëve të cilët merrnin guximin ti kundërshtonin. Ndërkohë policët ishin të dëshpëruar nga mungesa e ndihmës që pranonin nga dëshmitarët dhe politikanët.
Procesi Madh Gjyqësor dhe lufta kundër Qeverisë
Në fillim të viteve 80-ta gjyqtarët Giovanni Falcone dhe Polo Borsellino filluan fushatën e tyre kundër Cosa Nostrës. Goditja e tyre më e madhe erdhi me arrestimin e Tomasso Bucetta, një mafioz i cili vendosi të japë informata në këmbim të mbrojtjes nga Corleonezët (Riina), të cilët tashmë kishin vrarë shumë nga familjarët dhe miqtë e tij. Edhe mafiozë të tjerë ndoqën shembullin e tij. Falcone dhe Borsellino grumbulluan dëshmitë e tyre dhe organizuan Procesin e Madh Gjyqësor, i cili zgjati nga shkurti 1986 deri më dhjetor 1987. ky proces u mbajt në një ndërtesë gjyqësore të fortifikuar të ndërtuar posaçërisht për këtë rast. 474 mafiozë dolën në gjyq, prej të cilëve 342 u dënuan. Në janar 1992 Gjykata Supreme e Italisë i konfirmoi këto dënime. Kjo ishte edhe goditja më e madhe që i është dhënë ndonjëherë mafias.
Ndërkohë që Mafia reagoi me dhunë. Në vitin 1988 ato vranë një gjykatës nga Palermoja dhe djalin e tij, tre vjet më vonë një prokuror dhe një biznesmen anti-mafi gjithashtu u vranë. Salvatore Lima, një aleat politik i mafisë u vra pasi dështoi ti ndryshojë dënimet siç kishte premtuar. Falcone dhe Borsellino u vranë më anë të bombave më 1992. Kjo rezultoi në arrestimin e Shefit të Shefave, Salvatore Riina në janar 1993. Pas arrestimit të Riinës, Mafia filloi një fushatë terrorizmi nëpër të gjithë Italinë. U bënë sulme nëpër sheshe, vende publike, vrasje të zyrtarëve dhe sulme nëpër kisha.
Pas arrestimit të Salvatores udhëheqësja e Mafias u mbajt nga Leoluca Bagarella duke kaluar mandej tek Bernardo Provenzano kur i kaluari u vetë arrestua më 1995. Provezano i dha fund fushatës së dhunës dhe e zëvendësoi atë më fushatën e paqes, e njohur si “pax mafiosi”.A i u arrestua në vitin 2006 pas 43 vitesh sundimit.
Vitet të fundit Mafia tradicionale u dobësua mjaft, mirëpo nuk u shkatërrua. Veprimtarinë e saj e vazhdojnë organizata tjera italiane dhe botërore.
Kush ishte Salvatore (Totò) Riina dhe si e mori ai pushtetin. Toto Riina, bosi më i madh që kas pasur ndonjëherë mafia
Më 15 janar 1993 në Palermo u arrestua shefi historik i Cosa Nostras siciliane, krimineli më i kërkuar në botë deri atëherë, Salvatore Riina. Ky i fundit është cilësuar edhe si mafiozi më i madh që ka pasur historia e mafias. Arrestimi i tij erdhi si rezultat i një hetimi të karabinierisë, Palermos dhe konkretisht i një skuadre speciale, në krye të të cilës ishte kapiteni Serxho De Kaprio, i mbiquajtur “Ultimo”, që do të finalizohej me kapjen e bosit të bosëve. Pas arrestimit të Riinas, falë punës së karabinierisë, Policisë dhe sidomos Prokurorisë së Palermos e Kaltanisetas do të bëhej e mundur identifikimi dhe kapja e të tjerë shefave mafiozeë si Benedeto Santapaola, Leoluka Bagarela, Xhovani Bruska, Pietro Alieri, Salvatore Kancemi, Antonino Xhufre, Rafaele Ganci, Bernardo Provencano, Salvatore Lo Pikolo, etj.
Jeta e Riinës
Rreth jetës së Salvatore Riinës dhe familjes së tij, ende ka mistere. Për jetën dhe veprimtarinë e tij janë bërë shumë filma, ku më i spikaturi ka qenë sëriali “Il capo dei capi”. Riina lindi në fshatin Korleone në vitin 1930 dhe veprimtaria e tij si “njeri i nderuar” fillon një ditë vere të vitit 1958, kur në afërsi të fshatit të tij, Luciano Lixho, masakron me plumba mitralozi, drejtorin e spitalit, doktorin Mikele Navarra, i cili ishte shefi i mafies në vend. Në krah të Lixhos, qëlluan edhe një grup të rinjsh, midis të cilëve ishte edhe Salvatore Riina. Fillimisht Riina ishte mëkëmbës i Lixhos, shef i plotfuqishëm i Mafies Korleoneze, i cili zëvëndësoi Navarren. Gjatë kësaj kohe ai ka bashkëpunuar me Bernardo Provencanon.
Salvatore Riina fillon të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i don Toto-s, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA ku në pak vite, bosi korleonez ia arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të Cosa Nostras amerikane.
Për pushtetin e Riinas, fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhëtimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e Neë Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin.
“Por shefi i Cosa Nostras nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafiqet më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakshme” kishte shkruar Falkone.
Ngjitja
Hetuesit shpjegojnë shkallën e ngjitjes zyrtare të Toto Riina-s në majat e Cosa Nostras, e cila arrin kulimin në vitin l981. Është viti i fillimit të luftës së familjeve mafioze me njëra-tjetrën për pushtet. Nga njëra anë është klani i “korleonezëve” dhe nga ana tjetër bosët Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade dhe Salvatore Inzerilo, që përfaqësonin mafien palermitane. Në më pak se dhjetë vjet, kronistët përshkruajnë skenat e një çmendurie të vërtetë, të kryer ndërmjet qytetit dhe provincës.
“Është luftë “familjesh” që përballen me interesa. Vriten ndërmjet tyre. Pas disa muajsh do të vijë paqja dhe gjithçka do të kthehet si më parë. Në se për momentin qëllohet, është vetëm problem aleancash dhe ndarje territoresh. Me arritjen e marrëveshjes, gjithçka do të harrohet”, shkruajnë hetuesit. Duken optimistë.
Nuk imagjinojnë se shpejtë do të duhet të merren me “korleonezët”, këtë grup mafiozësh me origjinë nga Korleone, që bosët palermitanë do t’i përcaktojnë si “fshatarë”, domethënë ata që vijnë nga fshati. Të parët që do të japin sinjalet e luftës me “korleonezët”, janë don Gaetano Badalamenti, bosi historik i Cinisi-t, Tomazo Busheta, i “familjes” Porta Nuova dhe Stefano Bontade, që në ambientet e Cosa Nostras quhej “Princi” i Villagrazia. Është fillimi i viteve ’80. I pari që përfundon në shënjestrën e armëve të zjarrit të vrasësve të Toto Riina-s është Stefano Bontade.
Është mbrëmja e 23 prillit 1981. Bontade vritet në Rrugën “Aloi”, një rrugë që kryqëzohet me atë “Regione Siciliana”. Policët e sektorit të policisë kriminale gjejnë trupin e Bontades brenda në Alfa Romeon e tij. Fytyra e bosit është shpërfytyruar nga një numër i madh plumbash. Pak do t’i kishte shërbyer pistoleta kalibër 7,65, me karikatorin e dyfishtë në rripin e pantallonave. “Vrasja e Stefano Bontades ishte vendosur me siguri nga “korleonezët”, në bashkëpunim me persona të tjerë të afërt te Bontade-s”, do të thoshte ish bosi Tomazo Busheta në vitin l984, kur ai do të fillonte bashkëpunimin me drejtësinë palermitane. Dy burgime të përjetshme jepen për këtë vrasje, që do të sinjalizonte fillimin e “luftës” ndërmjet “familjeve” palermitane dhe atyre “korleoneze”.
Për këtë vrasje Riina dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa njëzetë e pesë bashkëpunëtorë të tjerë të prezumuar të tij, ndër të cilët “korleonezi” Bernardo Provencano, marrin pafajësi. Por në vitet e para ’90, do të arrijnë zbulimet e të penduarve dhe çështja e vrasjes së Bontades do të rihapet. Do të tregojnë detaje para prokurorëve palermitanë të penduarit Gaspare Mutolo dhe Xhuzepe Markeze, të cilët sqarojnë detajet mbi eliminimin e Stefano Bontade-s: “Stefano e paguan me jetë projektin për një komplot kundër Riina-s”. Dhe ishte vërtetë i sigurt don Toto Riina që në harkun e pak viteve do të arrinte në majën e Cosa Nostras. Ai do të thoshte para bashkëpunëtoreve të tij se: “Është vetëm çështje kohe, mjafton të detyrohen disa familje palermitane të bashkohen me ne dhe ajo që mbetet do të jetë vetëm një lojë fëmijësh”.
Fjalë profetike këto të Toto Riina-s: do të kalonte të gjitha pengesat duke masakruar dhe eliminuar “armiqtë”.
Vrasjet e dukshme
Në projektet e Riina-s nuk parashikohej vetëm vrasja, apo thjeshtë ekzekutimi mafioz. Objektivi i tij ishte të vritet në mënyrë të dukshme, të jepen sinjale, te cilat nuk lenë shteg për ekuivoke, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë. Për të nuk mund të kishte “familje” neutrale: “Nëse nuk janë me mua, janë armiq”, thoshte shefi i “korleonezëve”, ndërsa vendoste dënimin me vdekje te Stefano Bontade-s. Të njëjtin fund si Bontade, do të kishte Salvatore Inzerilo, shef i mafies së lagjes palermitane te “Passo di Rigano”. Tetëmbëdhjetë ditë pas vrasjes së Bontades, do të ndodhte pusia kundër Inzerilos. Është 11 maj 1981. Kishte kaluar pak nga ora 12.20, kur zëri i një njeriu anonim do të njoftojë policinë se në Rrugën “Bruneleski” është kufoma e një njeriu. Kur agjentët e seksionit të vrasjeve të policisë kriminale arrijnë në vendin e saktësuar nga telefonisti misterioz, do të gjejnë trupin e Salvatore Inzerilos. Në gjoks kishte një revolver 357 Magnum. Fytyra e bosit nuk mund të njihej, e shpërfytyruar nga plumbat.
“Dhe janë dy”, thonë hetuesit. Policia dhe karabinierët i kanë vendosur në një relacion të dy vrasjet dhe kuptojnë shpejtë se të dy bosët palermitanë janë vrarë nga “korleonezët”, sepse të dyja vrasjet bënin pjesë në të njëjtin projekt kriminal: vrasja Bontade lexohet së bashku me atë te Inzerilos. Ata do të eliminoheshin sepse “janë elementë pengues në ngjitjen e Riina-s”. Edhe për vrasjen e Inzerilos do të hetohen dhe dërgohen në gjyq rreth tridhjetë mafiozë, ndër të cilët i zakonshmi Toto Riina.
Por megjithatë çmenduria nuk ndalon këtu. I penduari Mutolo do të flasë rreth vrasjes së shefit te tij Rosario Rikobono i “familjes Partanna-Mondello dhe gjashtë personave të tjerë. Mutolo tregon para hetuesve se grupi i lidhur me Riçobonon, më parë do të mbytet me litar dhe pastaj trupat e tyre do të shuhen në acid. Një vrasje e paralajmëruar kjo e Rikobono-s. Toto Riina nuk do t’a kishte falur kurrë vendimin për shkëputje nga “korleonezët”. Riina dhe Provencano kishin mbërthyer sytë mbi Palermon dhe mbi një numër të madh biznesesh që nga kryeqendra siciliane gërshetoheshin me pjesën tjetër të botës, mbi të gjitha për trafikun e drogës, si dhe miliona dollarët e “kombinuar” me SHBA, Amerikën e Jugut dhe Italinë.
Të njëjtin fat si Rikobono do të prisnin të gjithë bosët e tjerë “jo besnikë”. Masakrohen Filipo Markeze, shef i familjes “Corso dei Mille”, Pino Greko, Mario Prestifilipo dhe Pietro Mesikati Vitale. Por janë vetëm disa nga një numër i madh njerëzish të mafies të vrarë me urdhër te don Toto Riina. Njëri nga të fundit “njerëz të nderuar” të eliminuar me urdhër të don Toto Riina, do të ishte Xhovani Bontade, vëllai i Stefano Bontades, i cili asgjesohet bashkë me gruan e tij. Do të eliminonte me të vërtetë çfarëdolloj pengese don Toto Riina. Atje ku nuk arrinte vetë “delegonte” njeriun që, – sikundër shprehet prokurori Xhovani Tinebra- ishte gjithmonë në një nivel me të: Bernardo Provencano, që me Riinan kishin qenë të preferuarit e Luciano Lixhos. “Sipërmarrja të vret”, titulloheshin faqet e para të gazetave siçiliane në vitet ’70. Është pikërisht kështu, kush kundërshtonte sistemin rreth të cilit xhironin dhjetëra miliarda rrezikonte të zhdukej nga qarkullimi. Janë vite të korrupsionit, ku xhironin dhe pastroheshin para rreth qindra miliona në veprimtari të ligjshme në dukje. Janë të penduarit që shpjegojnë para magjistratëve palermitanë, se cilat ishin mekanizmat e përdorura për dhënien e sipërmarrjeve publike. Ata flasin edhe për rregullin e 15 përqindshit, një shifër fikse, një metaforë, që nënvizon rregullin lidhur me veprimtarinë e sipërmarrjes.
Në thelb, një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibrat ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së Cosa Nostras me në krye Toto Riina.
Bosi i Cosa Nostrës, do të ishte urdhëruesi direkt edhe i vrasjes së njerëzve të institucioneve që do ta pengonin në rrugën e tij kriminale, si gjyqtari Gaetano Costa, prokurorët Roko Kinici, Xhovani Falkone, Paolo Borsellino, punonjësit e policisë dhe karabinierisë, gjenerali Karlo Alberto Dala Kieza, Emanuele Bazile, Nini Kasara, Boris Giuliano, Xhuzepe Montana e shumë e shumë të tjerë. Sidoqofte ky personazh sot, prej pesëmbëdhjetë vjetësh është në burg, ku ruhet 24 orë plus 24 orë dhe ende nuk ka pranuar të thote asnjë fjalë…Nga ky qëndrim stoik, ai nuk lëvizi edhe pas arrestimit të djalit të tij, Xhovani Riina, kur u mendua se do te “thyhej”.
Nga Dala Kieza e deri tek Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Vrasjet më të bujshme të realizuara nga mafia
Kushdo që u mundua dhe tentoi të hidhte pak dritë, apo të kryqëzonte “Cosa Nostra”-n pati një fund tragjik. Mafia organizoi vrasjet më të bujshme kundër atyre që tentuan të “fusin hundët” në punët e bosëve të mëdhenj. Por jo vetëm për ata. Madje ekzekutimet më të mëdha fillojnë me vetë bosët e “Cosa Nostra”-s, si Mikele Nevarra apo Mikele Kavataio. Më pas vrasje të bujshme u cilësuan ekzekutimi i Xhovani Falkone-s, Paolo Borselino-s, Roko Kiniçi-t, Pio la Torre-s, Salvo Lima-s, Karlo Alberto Dala Kieza-s, Gaetano Kosta-s, Xhuzepe Montanaa-s, etj. Dikush apo shumëkush, nuk dëshironte që dy prokurorët, Falkone dhe Borselino të ecnin më tej në punën e tyre, sepse ata kishin filluar të ecnin në “tokë të ndaluar”, sepse kishin filluar të preknin interesa deri atëherë të paprekshme, sepse shikonin se ata nuk ndiheshin vetëm. Më parë “rrëzohet” Falkone, më 23 maj 1992, dhe pas tij, në kuadrin e 56 ditëve, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës, Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Për ekzekutimet e tyre u akuzuan Toto Riina dhe Salvatore Biondino. Ndërsa personi që ka shtypur telekomandën për vrasjen e Falkones është Xhovani Bruska, i cili është arrestuar dhe është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Vrasjet brenda mafias
Prishja e aferave, konkurrenca, apo edhe dëshira për të ulur dikë e për të zënë vendin e tij, bënë që shumë bosë të mafies në vitet ’80 të “hiqnin qafe” njëri-tjetrin. Në atë kohë kishte shumë rivalitet mes tyre, kryesisht në familjen Korleone. Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë, u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze apo edhe Mikele Kavataio e më vonë edhe Stefano Bontada i “Cosa Nostra”-s amerikane, të cilët u ekzekutuan nga rivalë të tyre.
Arrestimet
Edhe pse janë arrestuar dhjetëra anëtarë të mafias si në Itali ashtu edhe në SHBA, edhe pse shumë prej tyre janë kthyer në të penduar të drejtësisë dhe kanë treguar gjithçka, kanë nxjerrë emra, fakte, kanë dhënë dëshmi mjaft të çmuara për drejtësinë, përsëri duket se kësaj organizate të frikshme nuk i vjen asnjëherë fundi. Shefat historikë të “Cosa Nostra”-s siçiliane kanë qenë Vito Kashio Ferro, Kaloxhero Vicini, Mikele Navarra, Luciano Lixhio, Mikele Greko, Gaetano Badalamenti, Stefano Bontade, Salvatore Riina, Bendeto Santapaola, Bernardo Provenzano, por edhe shumë të tjerë, që janë arrestuar apo ekzekutuar. Vrasjet mes anëtarëve të mafias kanë qenë në rastet më të shumta mes “Cosa Nostra”-s italiane dhe asaj amerikane, apo siç quhej ndryshe, “Triumvirat”. Kjo organizatë u krijua në vitet ’70 dhe ’80 nga Badalamenti Gaetano, së bashku me Stefano Bontadën dhe Mikele Grekon kishin krijuar të ashtuquajturën “Triumvirat” të “Cosa Nostra”-s.
EMANUELE BAZILE
Emanuele Bazile ishte karabinieri më i respektuar dhe më i zoti i Monrealit, i cili u vra nga anëtarët e “Cosa Nostra”-s, teska ishte duke u kthyer nga një festë për në shtëpi, së bashku me gruan Silvanën dhe vajzën dyvjeçare, Barbaran. Bazile kishte zbuluar prova dhe dëshmi të forta për rrjetin dhe aktivitetin e “Cosa Nostra”-s dhe nëse mafia nuk do ia kishte prerë në mes këtë nismë karabinierit 31-vjeçar, ai premtonte arrestime mjaft të bujshme të bosëve të mëdhenj të mafias. E në fakt nuk ishte e thënë që ai t’i shkonte deri në fund kësaj pune. Pasi u ekzekutua në sy të familjes së tij, më 4 maj të vitit 1980. Pas vdekjes ai është respektuar me Medaljen e Artë nga qeveria italiane, për kontributin e dhënë në luftën kundër krimit.
GAETANO KOSTA
Prokurori i Famshëm i Palermos në vitet ’80-të, Gaetano Kosta, ekzekutohet vetëm disa ditë para se të kryheshin disa arrestime mjaft të rëndësishme të bosëve të “Cosa Nostra”-s, për të cilët ai kishte siguruar provat e nevojshme dhe kishte prerë fletë-arrestet. Ai vritet mëngjesin e 6 gushtit të vitit 1980, vetëm disa hapa larg shtëpisë së tij, i qëlluar katër herë nga pistoletat e dy “killer”-ve. Ekzekutimi i tij u argumentua me faktin se sapo kishte lëshuar një urdhër arresti për bosin e madh të “Cosa Nostra”-s, Rosario Spatola. Madje për këtë veprim i kishin dalë kundër edhe kolegët e tij, të cilët kishin refuzuar që ta firmosnin. Ai u shpall fajtor nga mafia vetëm sepse kishte respektuar ligjin dhe kishte tentuar të kryqëzonte bosët e saj.
PIO LA TORRE
Pio la Torre ishte një polic i thjeshtë sicilian që kërkonte të luftonte mafian me çdo kusht. Ai ka lindur në provincën e Palermos më 24 dhjetor të vitit 1927. Pasi mbaron studimet kthehet në Sicili dhe kërkon të drejtojë një betejë të madhe që, sipas tij, ishte ajo e luftës kundër mafies. Për La Torren mafia përbënte një rrezik të madh jo vetëm për Italinë, por për të gjithë Mesdheun. Por ai filloi të gërmonte shumë, aq sa bosëve të “Cosa Nostra”-s nuk u pëlqeu dhe kërkuan ta hiqnin qafe. Kështu mëngjesin e 30 prillit të vitit 1982, teksa La Torre së bashku me një kolegun e tij po ndiqnin një makinë të dyshimtë, afër makinës së tyre afrohen dy motorë dhe i qëllojnë për vdekje.
KARLO ALBERTO DE LA KIEZA
Vrasja e gjeneralit të policisë italiane, Karlo Alberto Dela Kieza, u cilësua si ekzekutimi më i bujshëm i mafias në atë kohë. Dela Kieza, i lindur më 27 shtator të vitit 1920, në Saluzo, ishte një nga gjeneralët më të njohur dhe më të respektuar të Italisë. Madje ai ishte cilësuar si gjenerali perfekt. E nëse nga populli i thjeshtë dhe pushtetarët e ndershëm italianë ai shihej me sy të mirë, jo të njëjtat përshtypje linte për mafian. De la Kieza kishte nisur të zbulonte një sistem ryshfeti që për shume vite kishte mbajtur të shtrënguar ekuilibrat ndërmjet politikanëve të korruptuar, afaristëve dhe majës së “Cosa Nostra”-s. Kjo bëri që ai të ekzekutohej në një atentat mafioz më 3 shtator të vitit 1982.
ROKO KINIÇI
Roko Kiniçi ishte shefi i Paolo Borselinës, kur në vitin 1975 ai emërohet hetues në Prokurorinë e Palermos. Bërthama antimafie e Prokurorisë së Palermos në atë kohë përbëhej nga katër prokurorë, Borselino, Falkone dhe Barrile, të cilët punonin përkrah njëri-tjetrit, duke dhënë në punë gjithçka, profesionalizmin e tyre, nën drejtimin mjeshtëror dhe kurajoz të shefit të hetuesisë, Roko Kiniçi. Nga puna e katërshes së fortë, mafia filloi të ndjente goditjet, dhe në këtë formë filloi të lëvizte. Do të kërkonte të rrëzonte me dhunë protagonistët që kërkonin të zbulonin rrjetin e “Cosa Nostra”-s. Kështu më 4 gusht të vitit 1983 do të vritej shefi i hetuesisë, Roko Kiniçi, së bashku me rojet, me një autobombë.
XHUZEPE MONTANA
Komisari Xhuzepe Montana ishte dirigjenti i skuadrës speciale antimafia të Palermos. Ai ishte cilësuar si një investigator i vendosur i kriminalitetit të mafias. Bashkë me mikun e tij, Antonio Kasara, ai kishte drejtuar disa operacione të suksesshme, të cilët kishin vënë në pranga dhjetëra bosë të mafias. Madje komisari Bepe Montana, siç njihej ai, kishte arrestuar dy mafiozë mjaft të rëndësishëm. Katër ditë pasi kishte kryer arrestimet e rëndësishme, teksa Bepe Montana ndodhej në plazh me shoqërinë dhe të fejuarën, më 28 korrik të vitit 1985 ai vritet në një atentat mafioz. Dy persona, të cilësuar si “killer” të mafias, pasi e kanë qëlluar për vdekje janë larguar nga vendi i ngjarjes.
SALVO LIMA
Salvo Lima, i lindur më 23 janar të vitit 1928 në Palermo, ishte një politikan sicilian, i cili u ekzekutua nga mafia. I ati i tij ishte një mafioz, por ky nuk arriti të ndiqte plotësisht rrugën e tij. Kjo gjë nuk i pëlqeu as mafias, por edhe prokuroria s’e kishte me sy të mirë, pasi Lima ishte i përfshirë në një organizatë të tillë, ndoshta edhe pa dëshirë, por thjeshtë si trashëgimtar. Ai nuk arriti të plotësonte dot marrëveshjen që kishte nënshkruar me mafian për të zgjidhur disa çështje gjyqësore në dëm të tyre, dhe sipas organit të akuzës, kjo ishte arsyeja që mafia e ekzekutoi atë më 12 mars të vitit 1992 në Palermo.
XHOVANI FALKONE
Falkone ka lindur në 18 maj 1939 në Palermo, ishte një gjykatës italian, i cili u specializua për ndjekjen e krimeve të “Cosa Nostr”-s. Ka qenë i njohur për gjyqet e tij, ku nga 474 mafiozë, 360 janë dënuar për krime të rënda dhe 119 janë dënuar në mungesë. Sekretet e mafies, Falkone i mori nga Tomaso Busketa, mafioz sicilian. Falkone u vra së bashku me gruan e tij dhe tre policë më 23 maj 1992. Makina në të cilën ata udhëtonin shpërtheu nga një bombë që ishte vendosur në segmentin e rrugës në të cilën ata po udhëtonin. Vrasja ishte organizuar nga Salvatore Riina, si një hakmarrje ndaj Falkones në dënimet që ai kishte dhënë në gjyqin e madh të varjeve.
PAOLO BORSELINO
Miku i ngushtë i Falkones, Paolo Borselino, i cili përfundoi edhe magjistraturën në të njëjtën kohë me të dhe kishin vendosur që bashkë të luftonin mafian, vendos që të vazhdojë punën e lënë në mes të Falkones pas vrasjes së tij. Borselino filloi të shkelte në atë që quhej “tokë e ndaluar” e familjeve mafioze, kryesisht të “Cosa Nostra”-s dhe bosëve të mëdhenj nuk u erdhi aspak mirë që ai po i “fuste hundët” kaq shumë. Kështu në kuadrin e 56 ditëve nga vrasja e Falkones, më 19 korrik 1992, do të vinte radha e Paolo Borselinos dhe rojeve të eskortës, Agostino Catalano, Valter Kosima, Vincendo Li Muli, Emanuela Loi dhe Klaudio Traina. Për ekzekutimet e tyre u akuzuan Toto Riina dhe Salvatore Biondino.
MIKELE NEVARRA
Padyshim jo vetëm vrasjet e njerëzve të shtetit, kryesisht të drejtësisë u cilësuan të bujshme në Amerikë. Me një bujë të jashtëzakonshme u shoqëruan edhe ekzekutimet e njerëzve të pushtetshëm, por që nuk ishin pjesë e shtetit. Ishin bosë të mafies. I tillë ishte edhe Mikele Nevarra, bosi i familjes Korleoneze. Nevarra quhej ndryshe “Babai jonë”, por në fakt diku u prishën pazaret, u prekën interesat dhe ai u ekzekutua më 2 gusht të vitit 1958, atëherë kur mafia ishte në lulëzimin e saj. Për vrasjen e tij u akuzua Luçiano Lexhio, i cili kërkonte që të merrte ai drejtimin e familjes së madhe Korleone.
MIKELE KAVATAIO
Mikele Kavataio, i ashtuquajturi “Kobra”, ka lindur në Palermo në vitin 1928. Ai konsiderohej si krimineli më i madh italian i asaj kohe, bosi mafioz që drejtonte Akuasantan në Palermo. Protagonisti i luftës së parë të mafies në Itali, ekzekutohet nga rivalët e tij më 10 dhjetor të vitit 1969, kur ishte 41 vjeç. Vrasja e tij u shoqërua me një bujë të jashtëzakonshme për vetë faktin se ai shihej si njeriu më i rëndësishëm dhe më i pushtetshëm i mafies. Sipas hetimeve që u kryen pas vrasjes së tij, rezultoi se ishte Toto Riina ai që kishte organizuar gjithçka, duke dashur të jetë vetë njeriu më i fuqishëm i asaj periudhe.
ÇEZARE TERRANOVA
Një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë së asaj kohe në Itali ishte edhe Çezare Terranova, i cili u përpoq të hidhte pak dritë mbi “Cosa Nostra”-n. Në fakt kjo ishte detyra e tij, por që i solli edhe fundin e një karriere të shkëlqyer. Mafia mëngjesin e 25 shtatorit të vitit 1979, organizoi ndaj tij në Palermo atentatin e përgjakshëm, ku mbeti i vrarë Terranova dhe bashkë me të edhe karabinieri Lenin Mancuso. Terranova nuk mbahet mend vetëm si një nga njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë, por edhe si deputet dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Antimafias. Puna e tij u lidh shumë me çështjen e zbulimit të rrjetit të madh të mafies, por gjithçka iu pre në mes.
BORIS XHULIANO
Në vitet ’80—të Boris Xhuliano u cilësua si investigatori më i suksesshëm i policisë dhe skuadrës së Palermos. Ai përdori metodat më speciale të hetimit për të zbuluar lidhjet që kishin politikanët në fund “70-të më mafien dhe në fakt deri diku ia arriti qëllimit. Kjo u cilësua si një sukses i Xhulianos për vetë faktin se proceset gjyqësore deri në ato vite të gjitha kishin dështuar për mungesë provash. E në të vërtetë Xhuliano këtë kërkonte, që të gjente provat e nevojshme që implikonin zyrtarët me mafien e “Cosa Nostra”-s. Por puna e tij u pre në mes, pasi kishte shkelur në rrugën e gabuar. Mafia organizon një atentat ndaj tij, më 21 korrik të vitit 1979 në Palermo, ku ai mbetet i vdekur.
STEFANO BONTADE
Bondate është cilësuar si një ndër shefat e “Cosa Nostra”-s së Amerikës. Stefano Bondate ka qenë anëtar i “Triumviratit” të “Cosa Nostra”-s në vitet ’70-të-’80-të. Nga shumë të penduar dhe bashkëpunëtorë të drejtësisë, ai është konsideruar si ndjekës i vijës së mafies klasike, larg drogës dhe vrasjeve. Ai është njohur si kundërshtar i korleonezëve dhe i Toto Riinës. Prishje aferash mes grupeve rivale dhe bosëve amerikanë e italianë të mafies, konkretisht të “Cosa Nostra”-s, sollën edhe konfliktet dhe rivalitetin me bosët e mëdhenj. Me urdhër të Riinës ai ekzekutohet më 23 prill të vitit 1981, kur ishte në moshën 42 vjeçare, në Palermo.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...