Mund të keni menduar shpeshherë për të, apo të keni dëgjuar për të. Ndoshta edhe mund të keni rënë prè e saj, por fjala që ka vrarë më shumë veshin e njerëzve këtë vit e për të cilën janë interesuar ata, sipas “Dictionary.com” është “ksenofobia”.
Edhe pse nuk dihet ende me saktësi se përse njerëzit kërkojnë për fjalë të ndryshme nëpër fjalore, “online” apo të printuara, është mëse e qartë se mes diskutimeve më të shumta të 2016-s, frika e të qenit ndryshe nga të tjerët ka lënduar dhe prekur ndërgjegjet kolektive anembanë botës.
Vota e “Brexit”, dhuna e policisë kundër njerëzve me ngjyrë, kriza e refugjatëve të Sirisë, të drejtat e homoseksualëve dhe gara presidenciale në SHBA kanë qenë ndër zhvillimet më kryesore që kanë nxitur debatet dhe tundimin për të kërkuar fjalët në fjalor, siç bën të ditur Jane Solomon, një prej leksikografeve të faqes së internetit.
Faqja 21-vjeçare e përshkruan ksenofobinë si “frika nga ose urrejtja e të huajve, njerëzve nga kultura të ndryshme apo të ndryshmit”. Madje, në këtë fjalor pritet që ky përkufizim të zgjerohet më tej, duke përfshirë edhe faktin e frikës apo mospëlqimit “të sjelljeve, veshjeve dhe kulturave të njerëzve me prejardhje të ndryshme nga ajo jona”, tha Solomon në një intervistë të fundit.
Fjala ksenofobi nuk ishte bërë pjesë e gjuhës angleze deri në fund të viteve 1800, tha leksikografja. Prejardhja e saj është nga dy fjalët greke “xenos” dhe “phobos”, të cilat nënkuptojnë “i huaj apo mysafir” dhe “frikë apo panik”, shton Solomon.Interesi për këtë fjalë ka kapur kulmin e kërkimeve më 24 qershor, dita kur u mbajt edhe referendumi për daljen apo qëndrimin e Britanisë në BE, pas të cilit britanikët votuan në shumicë pro alternativës së parë. Sipas Solomon, kërkimet për fjalën “ksenofobi” në këtë faqe janë rritur me 938 për qind nga 22-24 qershori.
Kërkimet kulmuan sërish po atë muaj, pas fjalimit të 29 qershorit nga presidenti Barack Obama, në të cilin ai këmbëngulte se retorika gjatë fushatës së Donald Trumpit nuk ishte një shkallë matjeje e “populizmit”, por e “navitizmit (politika e mbrojtjes së vendasve përkundrejt emigrantëve), e ksenofobisë apo edhe më keq sesa kaq”.
Solomon shprehet se mërmërisjet në lidhje me ksenofobinë shkojnë edhe përtej pikave kulmore. “Ka qenë domethënëse përgjatë të gjithë vitit. Por pas referendumit britanik për BE-në, qindra e qindra përdorues kërkonin çdo ditë dhe çdo orë për këtë fjalë”.
Robert Reich, i cili ka shërbyer në administratat e presidentëve Gerald Ford dhe Jimmy Carter, ndërsa ka qenë edhe Sekretar i Punës nën drejtimin e Presidentit Bill Clinton, është ndierë keq rreth famës që ka marrë ksenofobia sot.
“Nuk mendoj se shumica e njerëzve e dinë realisht se çfarë është ksenofobia”, tha Reich, një lektor i politikave publike në Universitetin e Kalifornisë, në Berkeley. “Ajo është një fjalë jo për t’u festuar, por për t’u shqetësuar thellësisht”.
Faqja e internetit e Solomon, me seli në Oakland të Kalifornisë, nisi të përzgjidhte fjalën e vitit që prej 2010-s, bazuar mbi kërkimet. Fjala dhe ndjenjat reflektojnë një ton gjerësisht pikëllues për 2016-n, pasi edhe redaktorët e fjalorit të Oksfordit zgjodhën “post truth” si fjalën e vitit, që shpjegohet shpesh me termat e politikës sikur i përket një periudhe kur e vërteta është bërë e parëndësishme.
“Do të doja, – thotë në fund Solomon, – që si fjalë të vitit të kishim përzgjedhur një të tillë si njëbrirëshi (unicorn)”./ Top Channel
Banorët këndojnë të gjithë së bashku këngën “Mora fjalë”
Disa nga banorët i zuri gjumi teksa zhvillohej ndeshja Shqip...
Sylvinhos s’i pëlqyen minutat e para të ndeshjes, hezi...
Trupat izraelite arrijnë pikën më të thellë në Liban që nga ...
Ismajli: Çekët kishin ardhur për barazim, kemi ndeshje me Uk...
Gresa, Leos: Me Lelën shkon drejt humnerës