Google ADS

Kisha në Spanjë, viktimë e restauruesve të paaftë

21:22 | 28 Qershor 2018
Trina Galanxhi

Një shtresë boje mund të bëjë shumë për të ndryshuar një ambient të brendshëm, por kur bëhet fjalë për skulptura historike, rezulton që është më mirë që puna t’i lihet në dorë ekspertëve.

Kjo është në fakt ajo çka ka zbuluar një kishë në Spanjë, pasi punësoi një mësues arti për të restauruar një skulpturë druri të Shën Xhorxhit, të shekullit të 16.

Imazhet e ndara në median sociale tregojnë luftëtarin me një fytyrë të transformuar ngjyrë rozë dhe një armaturë me ngjyra të shndritshme. Zyrtarët e kanë cilësuar përpjekjen si ‘të tmerrshme”.

“Nuk mund të tolerojmë më shumë sulme ndaj trashëgimisë sonë kulturore”, tha shoqata e artit në Spanjë në një deklaratë. “E gjithë kjo tregon një mungesë të frikshme trajnimi të nevojshëm për ta bërë këtë punë”.

Prifti që kujdeset për kishën, në qytetin verior Estella, thjeshtë donte që skulptura të pastrohej dhe nuk kishte kërkuar restaurim të saj. Por, lëvizja ka zemëruar tani zyrtarët lokalë që kërkojnë të dinë përse nuk ishin informuar për planet e kishës.

“Këshilli nuk dinte asgjë dhe as qeveria rajonale e navarrës”,- tha kryebashkiaku lokal Koldo Leoz.

“Ata kanë përdorur suva dhe llojin e gabuar të bojës dhe ka gjasa që shtresat origjinale të bojës të kenë humbur përgjithnjë. Kjo është një punë ekspertësh që duhet bërë nga ekspertë”, tha ai. Grupi i ngarkuar me projektin, kishte aploduar një video në “Facebook” duke treguar çdo fazë të projektit, por më vonë e kish fshirë atë.

Më herët, në një tjetër kishë, ishte tentuar të pastrohej një vepër arti e shekullit të 19, pas vitesh dëmtim për shkak të mykut, por përfundimi ishte qesharak dhe portreti u quajt krishti majmun. Sidoqoftë, qyteti përfitoi pak nga kjo pasi me mijëra vizitorë vinin për të parë veprën e restauruar.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme