Ja çfarë rrëfen djaloshi që eci 2088 km në këmbë

07:08 | 30 Prill 2016
Arbresh.info
Luka Brokoli, 26 vjeç, ndërmerr një udhëtim të rrallë 85 ditor, që nis nga Fletoni, Angli dhe përfundon në Cesena, Itali. Punëtor prej vitesh në një fabrikë në Peterborou, ai kupton në një moment se nuk ka bërë asgjë për t’u shënuar në jetë, ndaj ndërmerr një sfidë të rrezikshme për t’i dëshmuar vetes se vlen. E takuam në një hostel në Tiranë dhe Luka na e rrëfeu vetë historinë që habiti Anglinë një vit më parë… Prillin e kaluar, një djalosh 25 vjeçar me emrin Luka, mori vendimin e çuditshëm që të shkonte me këmbë nga qyteti ku ai jetonte me të ëmën angleze, deri në Cesena të Italisë, për të takuar të atin, italian. 2088 kilometra rrugë, të cilat i bëri për 85 ditë. Në këmbë, përveçse kur mori tragetin për të kaluar detin. “Më pëlqeu ideja për t’u sfiduar, për të bërë diçka që do më bënte të hyja në histori”, thotë ai dhe shton se kjo ishte një sfidë që do të frymëzonte shumë njerëz të tjerë, sidomos ata që njësoj si Luka janë të pakënaqur me jetën që bëjnë. “Të gjithë mund të arrijmë shumë në jetë nëse kemi vullnet”, thotë ai. “Dua që njerëzit të ndjekin ëndrrat e tyre, sado të pakuptimta t’u duken ato. Të mos ngecin në punë të kota, siç më ndodhi mua për shumë kohë. Nëse nuk bëni diçka për t’i ndryshuar gjërat, nëse vazhdoni ta shtyni përjetësisht, kur më në fund ta vendosni, ndoshta mund të jetë vonë”.
Kjo ekspeditë erdhi aq papritur sa nuk i la kohë fare të përgatitej. Luka u bazua vetëm në eksperiencën e një rruge të gjatë, të cilën e kishte bërë më parë në këmbë. Përballej dita ditës me sfida të reja; tre javë të kaluara nën shi me rrebesh, vendet ku mund të furnizohej me ushqime sa vinte e rralloheshin për shkak të rrugës që kishte zgjedhur të përshkonte, madje në një rast kishte kaluar dhe dy ditë e gjysmë pa futur gjë në gojë. Në Alpe kishte patur një incident të pakëndshëm, pasi papritur rrugë të cilën po e ndiqte në hartë “ishte zhdukur”. Duart iu plasaritën dhe fytyra iu bë copë nga pemët e shkëmbinjtë. Pati madje një dëmtim serioz, nxori shpatullën. Gjërat u bënë pak më mirë kur ai arriti në një restorant të vogël, pronarët e të cilit pasi e panë të larë në gjak i ofruan një pije falas. Plagët në shpatull bënë që ai të hiqte qafe gjënë që i rëndonte më shumë, tendën dhe pas kësaj iu desh të flinte ku të mundte.
Një herë i qëlloi ta kalonte natën në një parking makinash në Pisa, ku me sa dukej prania e tij shqetësoi një keqbërës, i cili ishte duke hapur një makinë me kaçavidë; ai fillimisht iu hakërrye Lukës, por më pas iku me vrap. Luka Brokoli e përfundoi rrugëtimin në një park kombëtar duke u endur nëpër pyll, drejt lindjes, pa sinjal telefoni dhe vetëm me pesë litra ujë me vete. Udhëtimi nga Britania për në Itali në këmbë e ndryshoi rrënjësisht jetën e Lukës, i cili vetëm pak muaj pas kësaj përvoje vendosi të ndërmarrë një tjetër udhëtim.
“Fillimisht plani im ishte të shkoja drejt Veriut të Europës, deri në Finlandë, por në Austri takova një djalë që ishte nisur për në Greqi dhe kështu vendosa të bashkohesha me të. Rruga kalonte nga Shqipëria e me t’u gjendur këtu, më pëlqeu kaq shumë, sa e harrova idenë e Greqisë”, I pëlqen vendi ynë e do donte të kthehej sërish. “Shqipëria”, – thotë Luka, “është një vend fantastik, me njerëz të bukur, të sjellshëm e mikpritës. Të gjithë në Evropën Lindore, Azi dhe Ballkan kanë idenë se Anglia është një vend i mrekullueshëm, kjo kryesisht për shkak të mediave. Por të gjithë e dimë se jo çdo gjë që paraqit media, duhet besuar. E ndoshta ai nuk ka udhëtuar mijëra kilometra vetëm që t’i tregojë vetes se vlen, apo të frymëzojë të pakënaqurit që të ndryshojnë jetën e tyre. Ndoshta ai ka udhëtuar kaq gjatë sepse sot duhet të më sillte mua, e përmes meje dhe juve, mesazhin se na ka bekuar Zoti që jetojmë në një vend të bukur./living.al

lukassa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme