Nga Aurenc Bebja*, Francë
Gazeta franceze, “L’Intransigeant”, ka botuar të mërkurën e 5 shtatorit 1928, në faqen n°3, intervistën e shkurtër të Ahmet Zogut me korrespondentin e “Corriere della Sera” në Tiranë.
Kurorëzimi i udhëheqësit matjan si Mbret i Shqiptarëve (1 shtator 1928) ka ngjallur asokohe pakënaqësi në Jugosllavi, ku reagimi i Beogradit ka qenë i menjëhershëm.
Gjithsesi, Ahmet Zogut nuk i mungonin ambiciet për krijimin e një Shqipërie të suksesshme.
Madje, lideri shqiptar i ka rrëfyer gazetarit planin e mbretërisë së tij për të arritur këtë qëllim.
Cili ka qenë ky plan? Përse ka reaguar Beogradi? Në vijim do të gjeni shkrimin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Torino, 4 shtator (nga ana e korrespondentit tonë). – I dërguari i “Corriere della Sera” në Tiranë, pas marrjes pjesë në kurorëzimin e Mbretit të Shqipërisë, ka realizuar një intervistë me sovranin e ri.
Ahmet Zogu ishte i veshur me uniformë ngjyrë kaki të gjeneralit të këmbësorisë dhe me një kapele (colback) të bardhë. Ai nuk mbante asnjë dekoratë. Fytyra e tij nuk është e vrazhdë (egër), por thjesht e vullnetshme.
Në sallonin e pritjes, të stilit Rilindas, është varur një pikturë e vetme e portretit të nënës së mbretit.
“Vendi im, tha Ahmet Zogu, do të jetë, shpresoj, një element paqeje për shtetet ballkanike dhe për Evropën qendrore; ai ka luftuar gjithmonë për pavarësinë e tij. Shqipëria është sigurisht një shtet i ri, por ajo është gjithashtu një komb shumë i vjetër. Shpirti i saj i ri inkurajon energjitë individuale dhe unë shpresoj se së shpejti mbretëria ime do të jetë në gjendje të formojë një rini të arsimuar, e vendosur të lulëzojë kombin.”
Për të festuar kurorëzimin e sovranit, shqiptarët e të gjitha krahinave kanë mbërritur në Tiranë të veshur me kostumet e tyre të vjetra piktoreske. – S.
Një protestë Jugosllave?
Londër, 4 shtator (nga ana korrespondentit tonë në telefon). – Tek “Daily Mail” na vijnë lajme nga Vjena, se sipas një organi të mirëinformuar, “Graz Tagespost”, qeveria e Beogradit ka bërë një protestë formale kundër shpalljes së Ahmet Bej Zogut si “Mbret i shqiptarëve” në vend të “Mbret i Shqipërisë”.
Serbët pro pjesëmarrjes në zgjedhjet e 9 shkurtit
Rashiq nuk pret asgjë nga takimi i radhës në Bruksel
Ish-legjenda e Liverpoolit e sulmon Salah: Egoist, dihet që ...
Gjenerallejtënant Jashari, uron “Ditën e Forcës- Ditën e Ush...
Formacionet/ Slovan Bratislava – Milan, Leao në bankë
Osmani në Senatin e Kolumbisë, diskuton për bashkëpunimin nd...