Historia e trenit të çuditshëm “Tiranë-Durrës Express” në Shqipërinë e 1920, si tentoi qeveria ta japë me koncesion

01:53 | 15 Dhjetor 2017
Trina Galanxhi

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtritë austro-hungareze e ato italiane që qëndruan në Shqipëri ndërtuan linja hekurudhore (dekovilë). Në përfundim të luftës, një pjesë e materialeve të këtyre ushtrive do të mbetej në Shqipëri. E në listën e sendeve të mbetura do të ishin edhe disa vagonë e shinat e dekovilëve.

Një nga linjat që kishte mbetur ishte ajo Durrës-Kavajë-Rrogozhinë-Lushnje-Berat.

Në vitin 1920, kjo linjë u rivendos në funksionim, por në mungesë të një lokomotive do të përdorej mushka ose kali për tërheqjen e vagonëve. Fillimisht do të ishin misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq që do të jepnin këtë ide për që i jepte zgjidhje (sadopak) çështjes së transportit në Shqipërinë e atyre viteve. Këta të fundit do ta emërtonin “Express-i Tiranë-Durrës” këtë mjet transporti të sajuar. E në fakt, nga kjo veprimtari do të përfitonte edhe arka e shtetit.

Bileta e “trenit” që tërhiqej me kalë ose mushkë ishte 2 franga ari për çdo person ndërsa për 1 kuintal plaçka paguhej një tarifë prej 1 frangë ari.

Në vitin 1923 do të bëhej përpjekje për ta dhënë me koncesion këtë linjë transporti e fitues i koncesionit do të ishte një ish deputet, Mustafa Maksudi nga Gjirokastra.

Me 5 prill të vitit 1923 do të merrte fuqi ligjore kontrata, sipas së cilës koncesionari do të manaxhonte këtë linjë transporti për 15 vite, me kushtin që brenda 5 viteve të sillej një lokomotivë për tërheqjen e vagonëve e të hiqej përdorimi i kafshëve. Materialet për mirëmbajtjen e linjës përjashtoheshin nga taksat doganore. Koncesionari kishte detyrimin që t’i paguante shtetit një përqindje nga fitimet. Tarifa e transportit parashikohej të rinegociohej pas 6 muajve me marrëveshje me koncesionarin.

Koncesionari do të niste punën sipas këtyre dispozitave megjithatë do të rezultonte se nuk do t’i përmbahej kushteve të kontratës. Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis” shkruan se “i janë kërkuar llogaritë për veprimet përkatëse dhe jo vetëm këto, por as nuk është gjetur as vetë sipërmarrësi”.

Në këto kushte, qeveria do të anulonte kontratën koncesionare e do të rihapte tenderin për dhënien me koncesion në shtator të vitit 1924 dhe në mars të vitit 1925 pa arritur të ketë asnjë ofertues. Në këtë mënyrë, administrimi i kësaj linje do t’i mbetej sërish administratës shtetërore të vendit që për transportin do të përdorte tarifat e mëparshme.

Administrimi shtetëror i kësaj mënyrë transporti do të vijonte edhe për pak kohë kur me vendosjen e stabilitetit, nisjen e ndërtimit të rrugëve e futjes automjeteve apo avionëve të vegjël, situata e transportit do të shënonte një përmirësim duke e zhdukur nevojën e përdorimit të këtij dekovili të çuditshëm që mishëronte dy anë të kundërta të zhvillimit të një vendi. Kreshnik Kuçaj-SCAN/konica.al/

Të ngjashme