Eksodi masiv drejt Italisë, armatosja e popullsisë në vitin 1997 dhe 50 vjet histori Shqipërie vijnë në një rrëfim fotografik të autorit italian Luka Turi.
Të shoqëruara me përshkrime mbi 100 foto janë përfshirë në albumin “Kujtesë në erë, 50 vite të Shqipërisë” që u prezantua në bordin e një prej trageteve të linjës Durrës-Bari.
Zbarkimi tragjik e historik i afro 20 mijë shqiptarëve nga anija “Vlora” në portin italian të Barit risillet në vëmendje nga autori Luca Turi, ndërsa protagonisti i asaj ngjarjeje kapiteni i anijes Halim Milaqi kthehet në rrjedhën e ngjarjeve. Mëngjesin e 7 gushtit të vitit 1991 anija “Vlora” po shkarkonte sheqerin e importuar nga Kuba në portin e Durrësit, kur u “sulmua” nga mijëra qytetarë të etur për erën e lirisë e demokracisë që vinte nga përtej Adriatikut.
“Edhe njëherë kujtoj emocionet, pas 27 vjetësh. Ishte një ngjarje shumë e vështirë dhe në pamundësi arritëm ta menaxhojmë dhe nuk patëm aksidente apo raste që mund të sillnin katastrofë për shkak të mbingarkesës së anijes. Presionet ishin nga më të ndryshmet deri në çastin e nisjes së anijes që ishte në avari. Në çdo ndalesë që mund të bëhej, rindezja e anijes do të ishte e pamundur.”, tha Halim Milaqi, kapiten i anijes “Vlora”.
Kryebashkiaku i Barit, pjesëmarrës në ceremoni kujtoi atë fillim të viteve ’90 dhe menaxhimin që iu bë fluksit emigrator të shqiptarëve në atë kohë.
“Në një distancë prej afro 200 km, Adriatiku nuk është deti që na ndan, po është deti që na bashkon. Ndryshe nga Qeveria italiane që e trajtoi si një operacion policor dhe jo humanitar fluksin e emigrantëve, Bashkia dhe qytetarët e Barit hapën dyert e zemrat për të ardhurit”, tha Antonio Decaro, kryebashkiak i Barit .
Libri fotografik vjen nën kurimin e gazetares italiane të “Gazzetta del Mezzogiorno” Carmela Formicola dhe ka pasur jehonë në median italiane./tch/
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...
Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësi në ndeshjen e Conference ...
Agjencioni Anti-Korrupsion do të hetojë grantet për vëllain ...