Silvio Berluskoni lindi në Milano, më 29 shtator 1936.
Fëmijëria e këtij njeriu është e mbushur me kujtimet e hidhura të luftës. Një tragjedi, të cilën Silvio, ashtu si dhe bashkëmoshatarët e tij, nuk mund ta harrojë kurrë.
Kujtimet e asaj kohe të largët ai i përmend edhe në ditët e sotme.
“T‘i bëjmë pak llogaritë. Kam lindur në vitin 1936 dhe isha vetëm gjashtë vjeç kur filloi lufta. Më pas do të vinte viti 1943, kriza e madhe, rënia e fashizmit, 8 Shtatori, gjermanët, frika, bombardimet. Babai im ishte ushtarak, në momentin e kapitullimit. Gjermanët kishin filluar ndjekjen e ushtarëve italianë dhe ai u bind nga disa miq të tij për t‘u arratisur në drejtim të Zvicrës. Bëri zgjedhjen e duhur. Shpëtoi jetën e tij e të ardhmen e gjithë familjes. Por këtë largësi e vuajti ai dhe nëna ime, por edhe unë. Në çdo moment mendoja për tim atë. Nëna ime gjendej vetëm me dy djem të vegjël dhe me peshën e dy të moshuarve, gjyshin dhe gjyshen time, nga nëna, të cilët i mbante me punën e saj si sekretare në firmën “Pirelli” në Milano. Çdo ditë duhej të shkonte shpejt në zyrë, gjë që e detyronte të ngrihej nga gjumi në orën 5 të mëngjesit. Ajo arrinte ta sfidonte frikën e luftës dhe rropatej jashtëzakonisht për të na e siguruar bukën e gojës. Isha shumë krenar për të, e nga nëna ime mësova se nëse dikush arrin ta kapërcejë frikën dhe ka kurajo, ka për të fituar në fund”, kujton Silvio në librin e tij autobiografik.
“Kur përfundoi lufta filluan të ktheheshin të gjithë baballarët, xhaxhallarët dhe vëllezërit që ishin strehuar në Zvicër, ngaqë përndiqeshin nga gjermanët. Shkoja për çdo ditë në stacionin e trenit në Komo, për të pritur tim atë. Të gjithë refugjatët po ktheheshin, por jo babai im. Në stacion gjeta qoshen time dhe aty filluan pritjet e gjata, të cilat po më ktheheshin në dhimbje e zhgënjim. Im atë nuk po kthehej dhe unë po ndjeja një dhimbje të jashtëzakonshme. Më vinte të shpërtheja në lot, sepse trenat iknin dhe vinin, por im atë nuk dukej. Më pas, në një ditë, ai erdhi. E njoha nga larg dhe zemra më turfulloi, këmbët po më priteshin dhe mezi po prisja ta përqafoja në krahët e mi. Shumë nga bashkëmoshatarët e mi nuk i panë kurrë baballarët e tyre, por unë isha me shumë fat. Ai moment më ka ngelur në mendje si dita më e lumtur e jetës sime”, kujton Berluskoni.
Shkolla dhe hapat e parë
Me përfundimin e luftës rikthehet qetësia në familjen Berluskoni, tashmë e ribashkuar. Pasi përfundon shkollën elementare, Silvio frekuenton shkollën e mesme e më pas gjimnazin “Salesiani”. Është një shkollë e vështirë, në të cilën ai studion jashtëzakonisht. I riu Berluskoni e organizon kohën në një mënyrë efektive, zgjohet në orën 7, ha mëngjesin, lutet, shkon në leksione, bën detyrat, e më pas fillon orët e studimit.
I vetmi argëtim, që i lejohej nga prindërit, ishte shkuarja në kinema paraditen e së shtunës.
Po ku t‘i gjejnë paratë?
E megjithatë, Silvio është i paparashikueshëm. Këtu fillon edhe spektakli dhe rruga e tij në biznes. Fillimisht, bëhet ndihmës i operatorit të kinemasë, por fillon të ndërmarrë edhe iniciativa të tjera. Në klasë është i pari për mësime dhe këtu fillon të demonstrojë një sens të saktë praktik. Mbaron detyrat më parë se gjithë të tjerët, e më pas ndihmon shokët e klasës, më të avashtët apo ata që mësojnë më pak, në këmbim të ndonjë shpërblimi me monedha. Kjo periudhë i jep Berluskonit një motiv të madh, që ai do ta përcaktonte me: “Asgjë nuk mund të arrihet pa punë e sakrifica”.
Pas marrjes së diplomës së maturës, Silvio i komunikon të atit, Luixhit, se dëshiron të ndjekë universitetin, duke i paguar vetë shpenzimet. Por si? Së bashku me disa nga miqtë e tij, organizon një kompleks muzikor, të cilin e quan “Katër doktorët”. Aty banda e tij muzikore merr pjesë në aktivitetet studentore, në festat universitare e private, ku arrin të nxjerrë të ardhura të konsiderueshme për t‘i përballuar vetë shpenzimet. “Ne nuk shkonim kurrë në klube nate, sepse ishim djem që vinim nga familje të mira”, kujton duke qeshur Berluskoni.
Diplomimi dhe hyrja në rrugën e biznesit
Ndërsa studionte për ligje në Universitetin e Milanos, Berluskoni arrinte t‘i përballonte shpenzimet, duke shitur pluhura larëse, duke fotografuar ngjarje të ndryshme sociale dhe duke siguruar të ardhura nga krijimi i një bande muzikore, e cila merrte pjesë në festa private. Në universitet ai u njoh me Betino Kraksin, kryeministrin e ardhshëm të Italisë. Në vitin 1961 Berluskoni diplomohet në Fakultetin e Drejtësisë, në moshën 25-vjeçare, duke mbrojtur temën e diplomës “Kontrata e reklamës për publikim“, ku merr vlerësimet maksimale. Zhvillimin e diplomës, Berluskoni ia shiti për dy milionë lira, agjencisë së reklamave “Manzoni”, në Milano.
Pas diplomimit, ai i shpëtoi shërbimit ushtarak dhe iu fut rrugës së biznesit. Më 1977 Berluskoni hyn në këshillin administrativ të gazetës “Giornale Nuovo” (“Gazeta e Re”), e drejtuar nga Indro Montaneli, e cila ishte në vështirësi ekonomike. Më 1978 blen teatrin “Manxoni” të Milanos, i cili ishte në krizë. Më 1974 Berlusoni e zgjeroi perandorinë e tij, duke themeluar “Telemilanon”, një televizion kabllor, që shtrihej fillimisht vetëm në lagjen “Milano 2”.
Duke parë një të ardhme të shkëlqyer në këtë fushë, në vitin 1978 Berlukoni investoi 2,5 milionë dollarë për të ndryshuar monopolin e televizionit shtetëror italian, RAI. Duke iu druajtur ligjit, që lejonte transmetimin kombëtar vetëm të RAI-t, Berluskoni ngriti një sistem të televizioneve lokale, të cilat transmetonin njëkohësisht të njëjtat programe. Në vitin 1980 ai krijoi “Canale 5” (“Channel 5”), një televizion kombëtar, që u ofronte italianëve lojëra televizive dhe programe të tipit amerikan. Më pas Berluskoni arriti ta kuptonte mundësinë ekonomike që përfaqësonte fusha komerciale e televizioneve, të cilat mund të siguronin të ardhura të mëdha ekonomike. Në këtë mënyrë ai ngriti agjencinë e reklamave “Publitalia 80”, e cila u bë nga më të mëdhatë në Evropë dhe siguronte më shumë se 2,5 miliardë dollarë në vit. Në vitin 1980 Berluskoni shpërndau aksionet e tij dhe u konsolidua edhe më shumë në zotërimin e medias.
“Finivest”, një kompani private e krijuar në vitin 1975 nga Berluskoni, i cili u bë edhe presidenti i saj, mundësoi hapjen edhe të dy kanaleve televizive të mëdha private, “Rete 4” dhe “Italia 1”. Por Berluskoni nuk u mjaftua vetëm me kaq. Ai e zgjeroi perandorinë e tij, duke bërë blerje të rëndësishme në fushën e medias së shtypur (ai krijoi revistën e përjavshme “Panorama”), shtëpinë botuese “Mandadori”, si dhe u bë presidenti i klubit të Milanit.
Pjesa tjetër e jetës së tij është histori.
Analistët: Përdorimi i raketave të shpejta nga Rusia, sinjal...
Ndodh edhe puthja e shumëpritur mes Lelës dhe Leos
Real Madridi mund të futet në garë për Lookman, por çmimi i ...
Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Trump emëron Pam Bondin për pos...
Horoskopi, çfarë kanë parashikuar yjet për shenjën tuaj sot
Shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe