“Mjaft me detyra!”. Është kjo parulla e fundit që trumbetohet në shumë shtete europiane në kuadër të një kërkese për të hequr detyrat e shtëpisë për nxënësit. Duket se detyrat e shtëpise i pengojnë fëmijët për të zhvilluar një sërë aktivitetesh krijuese dhe fizike, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e tyre të mëvonshëm.
Është fakt i vërtetë se në shkollat më të mira europiane, si për shembull në Finlandë dhe Danimarkë, nuk jepen detyra shtëpia ose jepen shumë pak të tilla. Por, është po aq e vërtetë se këto vende kanë një sistem arsimor në “avangardë”: kjo do të thotë se shumë nga synimet që përpiqen të arrihen me detyrat e shtëpisë, nxënësit i zhvillojnë në klasë duke zgjatur edhe orarin e qëndrimit në shkollë. Ata që janë kundër detyrave të shtëpisë thonë se misioni i shkollës është që t’i pajisë nxënësit me koncepte, të cilat pas daljes nga klasa, ata duhet të jenë në gjendje t’i aplikojnë në jetën reale.
Por, a jemi të sigurt që shkolla ka vetëm këtë mision?
Në shkollë ekzistojnë edhe hapësira të jetës së vërtetë, të eksperiencave, të komunikimit, të shoqërizimit dhe rritjes personale. Për të shmangur faktin që detyrat e shtëpisë të kthehen në një “tragjedi”, duhet të ritheksohen disa principe pedagogjike.
Për të dalë nga çdo krizë, për t’u vetërealizuar si persona të lirë, për të ndërtuar të ardhme të qëndrueshme nuk mjafton vetëm pasioni dhe aftësitë, por edhe impenjimi, disiplina, aftësia për të duruar lodhjen fizike dhe atë psikologjike. Dhe shkolla është pikërisht një vend i tillë, ku mësohen reflekset e punës, aftësitë për të bashkëpunuar, rëndësia e respektimit të rregullave sociale dhe aftësia për të dëgjuar atë ç’ka thonë të tjerët. Shkolla është vendi ku mësohet se si duhen përjetuar humbjet, frustrimet dhe zhgënjimet në rrugëtimin drejt suksesit. Nëse institucioni i shkollës humb të gjitha funksionet pedagogjike, atëherë do të mjaftonte një kurs online që mund ta ndjekësh nga shtëpia.
Detyra e shkollës është mbi të gjitha të zhvillojë sensin e përgjegjësisë personale dhe sociale, përmes edhe formimit autonom. Në këtë këndvështrim, detyrat e shtëpisë janë një aktivitet i pazëvendësueshëm. Në shkollë është koha e mësimit, e dëgjimit, e kuptimit, e debatit, e përballjes dhe takimit me mësuesin. Në shtëpi është koha e reflektimit, e mendimit të pavarur, e përpjekjeve vetjake për të zgjidhur një problem, për të konsoliduar mënyrën e nxënies. Kështu që detyrat e shtëpisë kanë sens në kuadër të përmirësimit të pavarësisë së fëmijës, duke kultivuar në të njëjtën kohë motivimin dhe dëshirën për dije. Por sigurisht detyrat e shtëpisë duhet të jenë personale, pa ndihmën e prindërve apo mësuesve të tjerë privatë. Në këtë rast mund të themi se ato bëhen të panevojshme.
Mund të ndodhë, ashtu si edhe ka ndodhur, që detyrat e shtëpise të bëhen të tepërta dhe të pakuptimta. Por a mjafton kaq për t’u kthyer kundër dhe për të kërkuar heqjen e tyre?
Të heqësh detyrat e shtëpisë do të ishte pak rezultative, për të mos thënë e panevojshme: duket si një “liri për të gjithë” por që në fakt nuk liron askënd. Diversifikimi i aktiviteteve, ekuilibrimi i ngarkesës së punës, motivimi i dhënies së detyrave me një shpjegim të qartë do të ishin çelësi për të pasur nxënës më të motivuar dhe sigurisht më të kthjellët. Këto janë dy komponentë të cilët e bëjnë mësimdhënien më cilësore.
Chiesa thyen heshtjen pas raportimeve se është i palumtur te...
Pacolli: Këta lloj ministrash janë një rrezik i madh për sho...
Hamza: Diaspora është forca dhe potenciali, me të Kosova mun...
Osmani vazhdon traditën e takimit me delegacionin bipartizan...
Gjesti tregon pse dyshon Anisa se i ka hedh kunja në një kën...
Të korra me inteligjencë artificiale, teknologjia e re që po...