Nëse jeni një grua që nuk lind fëmijë ose keni “shumë qime në fytyrë”, nuk mund të bëheni mësuese në Iran. Kjo, në bazë të listës së re të kushteve që ka publikuar Ministria e Arsimit e Iranit.
Sipas listës, “theksi i rëndë”, sëmundjet si migrena, kanceri në kokë, fytyrë, qafë, gji ose vezore janë po ashtu pengesa për t’u bërë mësuese.
Në listën e zezë janë edhe duhanpirësit, përdoruesit e drogave dhe alkoolistët.
Kushtet e tilla kanë nxitur kritika, e madje edhe tallje në mediat sociale, transmeton rel.
“Në listën mesjetare të Ministrisë së Arsimit, theksi i rëndë dhe qimet në fytyrë konsiderohen sëmundje dhe pengesë për ato që duan të punësohen si mësues. Shkelje e qartë e të drejtave themelore të njeriut”, ka shkruar në Twitter gazetarja iraniane, Sara Omatali.
Rregullat e reja të qeverisë gjithashtu parandalojnë njerëzit që vuajnë nga mosfunksionimi seksual ose sëmundje të tjera seksuale, si SIDA dhe sifilisi, të punojnë në shkollat iraniane.
Të ndaluar janë edhe ata që kanë probleme mendore, përfshirë psikozën apo depresionin.
Më një postim në Twitter, gazetari dhe aktivisti iranian, Omid Memarian, ka thënë se në bazë të rregullave të reja, fizikanti, kozmologu dhe autori i njohur botëror, Stephen Hawking, i cili vuan nga një formë e sklerozës laterale, nuk do të mund të jepte mësim në Iran.
Disa e kanë cilësuar listën e kushteve si diskriminuese.
Aktivisti për të drejtat e njeriut, Ahmad Medadi, ish-mësues, ka thënë se kushtet fizike dhe mendore të një mësuesi kanë ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e arsimimit, porse kushtet e Ministrisë së Arsimit, sipas tij, janë shkelje e të drejtave të njeriut.
Shahindokht Molaverdi, ndihmëse e presidentit të Iranit për të drejtat e qytetarëve, ka premtuar se do ta rishikojë listën dhe se do të publikojë rezultatet e hetimeve të saj.
Rregullat do të zbatohen vetëm për mësuesit e rinj dhe ato nuk janë prapavepruese.
Lansohen katër shërbime nga ministria e Arsimit në platformë...
“Tani është personale”/ Tysoni godet me shuplakë Paulin, gja...
Anëtarët e Komisionit hetimor dorëzojnë dosje për MPJD-në në...
Gjesti-Xhenetës: Ose po e përkrahim njëri-tjetrin, ose po e ...
Banka Qendrore e Kosovës shënon 25-vjetorin e themelimit
Rama: Vetëm këtë vit në kryeqytet janë mbjellë 30 mijë kuror...