Gjendet anija me flori, shpërthen sherri për thesarin

01:59 | 26 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Një anije transporti me flori, që u fundos në vitin 1939 teksa lundronte nga Amerika e Jugut për në Gjermani, është zbuluar në fund të detit nga ‘gjuetarët’ e thesareve.

Anija SS Minden u gjet afër brigjeve të Islandës. Brenda saj është gjetur një kuti me metalin e vlefshëm që besohet se është flori i Luftës II Botërore. Vlera totale e arit besohet se arrin në 100 milionë paund dhe zbuluesit e floririt, kompania “Advanced Marine Services” me bazë në Britani kërkon që ta çajnë anijen për të nxjerrë arkën me flori.

Sipas “the Sun”, zbuluesit pretendojnë se ari u takon atyre dhe kërkojnë që ta sjellin me vete në Britani, por autoritetet islandeze pretendojnë se kompania nuk kishte lejen e duhur për të kërkuar anijen me flori dhe për pasojë nuk kanë të drejtë ta marrin thesarin.

Më herët gjatë vitit ata u akuzuan se po kërkonin për rrënojat e anijes, pa licensimin e duhur.

Drejtori i Rojeve Bregdetare të Islandës, Georg Lárusson tha se kompania britanike nuk kishte lejen e duhur për të kërkuar në ujërat islandeze.

Ari, që besohet se është marrë nga bankat e Amerikës së Jugut, ishte në bordin e anijes që ishte nisur për Gjermani në vitet e përgjakshme të luftës, por ishte fundosur 120 milje në juglindje të Islandës më 24 shtator, 1939.

Anija SS Minden u nis nga Brazili me 6 shtator 1939, por në momentin që u pikas nga forcat britanike, Hitleri besohet se ka urdhëruar kapitenin ta fundoste me qëllim që të mos binte në duart e britanikëve. Ekuipazhi i anijes u shpëtua nga britanikët, por anija nuk u gjet për dekada të tëra.

2-50

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme