Nga e ka origjinën Dita e Falënderimeve në SHBA, ku njerëzit mblidhen të enjten e fundit të çdo nëntori për të ngrënë një darkë të bollshme me familjet e tyre, dhe me një gjel deti në tryezë?
Përshkrimi më interesant jepet nga Uilliam Bredford (1590-1657), guvernatori i parë i kolonisë së Plajmuth në Masaçusets. Ai kujton se si pelegrinët, refugjatë që kishin nisur një rrugëtim të gjatë për t’i shpëtuar përndjekjeve fetare e politike në Europë, mbërritën në vitin 1620 në Amerikë, me anijen e quajtur Mejflauer.
Shumë prej tyre arritën t’i mbijetojnë vitit të parë në Amerikë, më të vështirit. Shumë të tjerë nuk ia dolën. Ata që mbijetuan, u ndihmuan shumë nga një prej fiseve të para amerikane (indiane), Pokanoket, që drejtohej nga një kryetar i quajtur Masasoit.
Amerikanët e parë Pokanoket u dhanë emigrantëve europianë ushqimet bazë për të mbijetuar si dhe u mësuan si të përshtaten me mjedisin. Masasoit dhe Bredford krijuan një marrëveshje armëpushimi bashkë, që zgjati për 50 vite, derisa gjithçka u shkatërrua me luftën e Mbretit Filip. Por kjo është një tjetër histori.
Bredfordi e bën të qartë që këta refugjatë të bardhë, të ardhur nga jashtë, ishin trajtuar mirë nga vendasit.
Një nga pelegrinët e tjerë, Eduard Uinslu, shkroi “Mourt’s Relation”, një përshkrim me detaje se si mund të ketë qenë darka e parë e Falënderimeve në tokën amerikane. Një shkrim kujtimesh, ku ai përmend një festë tre-ditore në vitin 1621. Konsumoheshin shumë gjela deti, dhe kjo është ndoshta arsyeja e traditës së gjelave të detit, që përdoret edhe sot.
Dita e Falënderimeve është një ditë që duhet të kujtojë historinë e Amerikës, edhe se si çdonjëri prej atyre që jetojnë sot në SHBA janë bërë amerikanë.
Shumë prej të parëve ishin refugjatë që u largoheshin shtypjeve. Popullata vendase i mirëpriti, dhe më pas u ndërtua në ADN-n e këtij kombi, që të bëhej e vetmja strehë në botë e çdo njeriu që largohej nga padrejtësitë shoqërore, varfëria dhe dhuna. U bë i vetmi vend ku këta njerëz do të priteshin ngrohtësisht.
Çdo amerikan ka përfituar shumë nga emigrantët që kanë ardhur me shumë mundime. Ata janë njerëz punëtorë e me dëshirën e madhe për të dhënë maksimumin e për të nderuar një vend të themeluar mbi parimin që “çdo njeri është krijuar i barabartë”.
Amerikanët e sotëm janë pjesë e një eksperimenti të madh në historinë e tokës. Do të ishte mëkat sikur Amerika ta fikte “fanarin ndriçues” që orientonte botën, dhe të mos i mirëpresë më krahëhapur njerëzit në vështirësi.
Ideja se kufijtë e Amerikës po shkelen nga ata që kërkojnë azil, për shkak të boshllëqeve ligjore në sistemin e emigrimit, është lajmi më i rremë (fake news), që vetëm sa dëmton ndjesinë kombëtare të amerikanëve.
Kohët e fundit është shtuar numri i refugjatëve nga “Trekëndëshi i Veriut”, zona e Amerikës Qendrore që përfshin Hondurasin, Guatemalën dhe Salvadorin. Ka një arsye që ky numër është shtuar. Shumica e atyre që u larguan nga Europa në vitin 1620 po kërkonin vërtet rrethana më të mira ekonomike për familjet e tyre, përveç lirive fetare. Në fakt, varfëria ekstreme si dhe frika për sigurinë fizike, frika nga abuzimet apo më keq, është ajo që i ka motivuar shumë prej njerëzve të karvanit që të vihen në lëvizje.
Por, në përgjithësi, emigrimi që nga kufiri jugor i Amerikës ka qenë në rënie. Në fakt, numri i meksikanëve që largohen nga SHBA ka qenë më i madh se ai i atyre që futen në SHBA.
Teksa mblidhen për Falënderime, amerikanët duhet të falënderojnë paraardhësit e tyre që patën guximin të lënë shtëpitë e tyre, me vullnetin për të rrezikuar gjithçka e për të nisur një jetë të re në një kontinent të largët e të panjohur. Duhet të falënderojnë edhe fiset e amerikanëve të parë, të cilët e mirëpritën karvanin nga Europa dhe nuk e refuzuan./tch/
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...
Kërcënime me bomba në dhjetëra shkolla në Gjermani
Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua