Google ADS

Edhe industria kozmetike e preferon çokollatën

19:02 | 5 Mars 2018
Arbresh.info

Çokollata nuk është vetëm ëmbëlsirë e preferuar për ngrënie. Rëndësi të madhe ka edhe përdorimi i saj në industrinë kozmetike.

Maskat ushqyese nga çokollata për fytyrë dhe trup, kremrat e ndryshme hidrante dhe losionet, balsamet dhe buzëkuqtë (pothuajse i tërë grimi), preparatet për rrezitje dhe për kurimin e lëkurës së thatë dhe të rrudhur, depilimi me dyllë çokollate, masazhi me çokollatë të ngrohtë, trajtimet kundër celulitit dhe trajtimet për tonifikimin e lëkurës, janë hite në tërë botën, por edhe te ne.

Për shkak të përbërjes së saj të jashtëzakonshme kimike, çokollata vepron në lëkurë pothuajse në mënyrë euforike si edhe në tru. Pikërisht, endorfina, e cila e relakson trurin vepron në lëkurë në mënyrë stimuluese dhe ripërtëritëse, transmeton Telegrafi.

Pos që përmirëson teksturën e lëkurës, çokollata e tonifikon fuqishëm, ndërsa me cilësitë e saj ripërtëritëse nxit prodhimin e kolagjenit dhe të elastinës, gjë që i siguron fortësinë dhe tendosjen e nevojshme.

Gjalpi kakao është një ndër yndyrat më të vlefshme dhe më stabilizuese të njohura dhe për shkak të strukturës së tij ka aftësi të depërtimit të thellë në lëkurë, në shkrirjen e yndyrës dhe në ruajtjen e lagështisë. Është i pasur me vitaminën E, e cila pengon plakjen e lëkurës, por njëkohësisht e bën më të tendosur dhe më të lëmuar.

Andaj, maskat nga çokollata për fytyrë kanë gjithnjë e më shumë ithtarë, sepse substancat aktive nga çokollata, falë efektit të fortë liftin të hidratizimit dhe e forcojnë lëkurën e lodhur dhe atonike, duke ia kthyer asaj freskinë dhe pamjen rinore.

Masazhet me çokollatë janë ndër më të këndshmet dhe më të dëshirueshmet. Stimulimet e nxitura me çokollatë qetësojnë dhe relaksojnë, sepse nxisin tajitje të hormoneve të lumturisë (serotonina dhe endorfina), ndërkaq prania e feniletilaminës pengon tajitje të kortizolave dhe të adrenalinës, andaj edhe zvogëlojnë tendosjen dhe stresin.

Depilimi me dyllë çokollate mundëson pothuajse eliminimin pa dhembje edhe të qimeve më të forta, zvogëlon irritimin, ndërsa lëkurën e bën të butë dhe më të ushqyeshme. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme