27 janari është Dita e Kujtesës të Holokaustit, kur komuniteti ndërkombëtar kujton tmerret e kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Gjermania Naziste dhe trimërinë e personave që rrezikuan jetën për të shpëtuar hebrejtë dhe njerëz të tjerë të persekutuar në kampet naziste.
Tatiana Vorozhko dhe Kostiantyn Golubchyk të shërbimit ukrainas të Zërit të Amerikës, rrëfejnë historinë e një djali hebre, të cilin e shpëtoi një familje ukrainase dhe që më pas arriti të bëhet laureat i Çmimit Nobel të Kimisë.
Roald Hoffman lindi në vitin 1937. I jati, Hillel Safran ishte inxhinier dhe nëna Clara, mësuese.
Pasi qyteti ku ata jetonin u pushtua nga trupat gjermane, familjen e re e çuan në një nga kampet e përqëndrimit. Në janar të vitit 1943, Clara mundi të shpëtojë nga kampi së bashku me djalin e saj dhe ata u strehuan në papafingon e një shkolle të një fshati pranë.
“Unë isha 5 vjeç e gjysëm kur u futëm atje dhe 7 vjeç kur ikëm.”– thotë Roald.
Së bashku me tre anëtarë të tjerë të familjes, Clara dhe Roald qëndruan të fshehur në papafingo për 15 muaj.
“I shihja fëmijët kur luanin jashtë nga papafingo; kur ishin me pushime; ata ishin të lirë. Më vinte zili. Unë nuk mund të shkoja të luaja. Por unë isha fëmijë i qetë,” – tregon Roald.
Mësuesi i shkollës Mykola Dyuk, jetonte në ndërtesën e shkollës, së bashku me gruan a tij, Mariya dhe tre fëmijët.
“Ata mbajtën të fshehur 5 njerëz në papafingo. Jo vetëm një njeri. Këtë e bënë, duke vënë në rrezik të madh jetën e tyre,”- thotë Roald.
Pas luftës, Clara dhe djali i saj u bënë refugjatë shëtitës: ata ishin në Poloni, Çekosllovaki, Austri dhe Gjermani. Pasi u martua përsëri dhe mori mbiemrin e ri – Hoffman, – Clara me djalin u vendosën në Shtetet e Bashkuara. Roald ishte nxënës i shkëlqyer, ai studjoi në Universitetin Harvard dhe më pas në Universitetin Columbia, ku mori doktoraturën. Në vitin 1981, kur ishte 44 vjeç, ai u nderua me Çmimin Nobel në Kimi.
“E dija që puna kërkimore që kisha bërë mund të kualifikohej për të fituar Çmimin Nobel. Studimin e kisha kryer kur isha shumë i ri, 27-28 vjeç. Por megjithatë, ishte një surprizë për mua. Menjëherë nxitova të telefonoja mamanë për t’i dhënë lajmin. Isha shumë pranë saj.”– kujton Hoffman.
Gjatë të gjithë karrierës së tij, Roald Hoffman dha mësim në Universitetin Cornell.
“Puna e tij ka qenë tepër e gjerë, në të gjithë fushën e kimisë – atë organike, jo-organike dhe organometalike.”– thotë profesori i kimisë Steven Goldberg.
Në kulmin e karrierës së tij shkencore, Hoffman filloi të shkruajë poezi dhe drama. Drama e tij më e fundit tregon historinë e një familjeje hebraike të cilën e shpëtoi një familje ukrainase gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sikurse në dramë, familja Hoffman edhe sot mban korrespondencën me familjen që e shpëtoi.
“Jam shumë i lumtur që linda në Ukrainë. Në se do të kisha qëndruar atje, mund të isha bërë ndoshta mjek i mirë psikiatër në Lviv. Por nuk ishte ky fati im. Tani ndodhen këtu dhe jam i lumtur. Kam patur një karrierë të mirë. Kam një familje të mirë. Jam vërtet i lumtur. I jam përjetësisht mirënjohës familjes Dyuk, sepse nuk do të kisha qenë këtu ku jam sot, në se nuk do kishin bërë një vepër të mirë Mykola dhe Mariya Dyuk,” thotë Roald Hoffman./VoA/
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...