Në një reklamë të vitit 2010 gjatë ndeshjes finale të futbollit amerikan “Super Bowl”, aktorja tashmë e ndjerë Beti Uajt, asokohe 88 vjeçe, luan futboll me një ekip të rinjsh. Pas një përplasjeje të fortë dhe rrëzimi në një pellg me llucë, një nga shokët e saj të skuadrës e akuzon atë se po luan tamam si Beti Uajt.
Një mik ndërhyn dhe i ofron një çokollatë Snickers. Pas vetëm një kafshate, transformohet sërish në një djalë të ri energjitik. “Kur je i uritur nuk je vetvetja!”, ishte mesazhi që përcillte reklama, dhe që sugjeronte se uria mund të ndryshojë ndjeshëm gjendjen shpirtërore të një njeriut.
Media e vlerësoi shumë atë moto, dhe e klasifikoi si një ndër reklamat më të mira në historinë e “Super Bowl”. Por a është e vërtetë që humori i një njeriu ndryshon shumë kur është i uritur? A është diçka reale kombinimi i të qenit i uritur dhe i zemëruar? Shkencëtarët kanë zbuluar se uria aktivizon hormonet dhe krijon një përgjigje fiziologjike të trupit tonë.
Por ata nuk bien dakord mbi domethënien e saj. Disa shkencëtarë thonë se të jesh i uritur është një dukuri reale. Të tjerët pretendojnë se është një proces biologjik dhe jo emocional. Studimet me minjtë e uritur, i kanë ndihmuar shkencëtarët të kuptojnë se si reagon trupi kur ka nevojë për ushqim.
Në një studim të vitit 2016, shkencëtarët i injektuan minjve një hormon të prodhuar nga stomaku bosh, për të parë se si e ndryshonte sjelljen e tyre gjatë detyrave që kërkonin vetëkontroll. Shkencëtarët punuan me minjtë që ishin “të privuar pak nga ushqimi”.
Atyre iu injektua grelinë, një hormon të cilin stomaku e prodhon para marrjes së ushqimit.
Po ashtu, minjve iu injektua edhe angiotensin, një kimikat që ngushton enët e gjakut. Minjtë ishin trajnuar tashmë në detyra të shumta, që kërkonin nga ata të tregonin vetëpërmbajtje në mënyrë që të merrnin një shpërblim në ushqime.
Në një nga detyrat, minjtë mësuan të prisnin shfaqjen e një drite vezulluese, përpara se të shtypnin një levë dhe të merrnin një topth me ushqim. Nëse një mi nuk priste ndezjen e dritës dhe e shtypte levën shumë shpejt, atëherë ai penalizohej, dhe e humbte mundësinë e radhës për të fituar një sasi ushqimi.
Pas injektimit të grelinës, minjtë nuk mund t’i rezistonin dëshirës së tyre për të shtypur levën përpara shfaqjes së dritës, edhe pse e kuptuan se do të humbnin mundësinë për t’u shpërblyer më vonë me ushqime. Në një detyrë tjetër, minjtë mësuan se sa më gjatë prisnin për të shtypur levën, aq më shumë ushqim merrnin.
Pas injektimit të grelinës, minjtë kërkuan menjëherë ushqimin e tyre, dhe nuk ishin të gatshëm të prisnin për të marrë një shpërblim tjetër. Autorët e studimit arritën në përfundimin se grelina e rrit impulsivitetin dhe e zbeh vetëkontrollin. Për minjtë, të qenit i uritur ishte një gjendje fizike që çoi më pas në një përgjigje emocionale.
Por minjtë nuk janë të vetmet specie që nuk janë vetvetja kur janë të uritur. Një studim i vitit 2021 i botuar në “Animal Behavior”, zbuloi se mizat meshkuj të frutave bëhen më agresive kur privohen nga ushqimi.
Autorët arritën në përfundimin se “…stresi dietik e rrit agresivitetin”. Po ashtu, një studim tjetër shqyrtoi dy grupe kafshësh të egra, dy grupe dhish që jetojnë në malet e Spanjës, Francës dhe Italisë. Shkencëtarët krahasuan tufën që jetonte në një zonë të pasur me lëndë ushqyese, me tufën që jetonte në një zonë më të rrallë.
Ata zbuluan se tufa që ishte më e privuar nga ushqimi, kishte nivele më të larta agresioni dhe reagimi ndaj stresit. Tufa e uritur shfaqi më shumë agresion gjatë kërkimit të ushqimit, ndaj autorët arritën në përfundimin që kjo mund të të ishte një strategji evolucionare që synonte t’i ndihmonte ata të siguronin lëndët ushqyese të nevojshme për të mbijetuar.
Anëtarët e tufës ishin gjithashtu më vigjilentë gjatë kullotjes, dhe kishin më shumë gjasa të ngrinin kokën për të parë nëse ekzistonte një kërcënim nga grabitqarët ose dhitë e tjera të egra që e donin barin. Por me njerëzit çfarë ndodh?
Studimet zbulojnë se uria është e lidhur me një gamë të gjerë çështjesh të vetëkontrollit. Një punim i vitit 2013 analizoi sjelljen e njerëzve të uritur në 10 studime të mëparshme. Njerëzit e uritur bënin më shumë gabime në detyrat që u jepeshin, dhe ashtu si minjtë, ishin më të prirur të kishin më pak vetëkontroll kur ishin të uritur.
Autorët analizuan edhe të dhëna nga zonat e luftës, dhe zbuluan se uria masive parashikonte masakrat masive, të cilat ata ia atribuan mungesës së vetëkontrollit. Autorët zbuluan gjithashtu se njerëzit e uritur, kishin më shumë gjasa të mendonin mendime negative për pakicat racore dhe më shumë mendime mbi vdekjen.
Kur u përpoqën të kuptonin rezultatet, autorët sugjeruan se hormonet si grelina, mund të ndikojnë në gjendjen psikologjike të një personi. Ata theksuan se një dështim i vetëkontrollit, mund të jetë një lehtësim emocional. Një ide tjetër, ishte se qëndrimet negative apo agresive, ishin një lloj vetë-ruajtjeje që nis kur trupi ndjen se burimet e energjisë janë të ulëta.
Por jo të gjithë shkencëtarët bien dakord me këtë. Në një artikull të vitit 2019 të botuar në “Emotion”, psikologët sugjeruan se uria është një gjendje fiziologjike, dhe se njerëzit i japin kuptim kur e perceptojnë atë si negative./bota.al/
Parashikimi i motit për sot në Kosovë
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...