Google ADS

Çokollata më e re me ngjyrë të kuqe

16:13 | 5 Shtator 2017
Arbresh.info

Ka një shije të re për çokollatën dhe është fryt i përpjekjeve 13-vjeçare të mjeshtrave të ëmbëlsirës aq të dashur nga të gjithë; zviceranëve.

Risia e ëmbël vjen në një ngjyrë të kuqe të përftuar nga përfshirja e kokrrave të veçanta të kakaos në ngjyrë rubini, ndërsa shija të kujton pak frutat e pyllit, edhe pse në formulë nuk është përdorur asnjë e tillë. Ruby, e prezantuar në Kinë është i lloji i parë i ri i çokollatës që kur u krijua në Zvicër në 1930-n çokollata e bardhë.

“Çokollata e kuqe është tepër e veçantë. Është lloji i katërt i çokollatës pas asaj të zezë, me qumësht dhe të bardhë. Në fund e gjetëm edhe llojin e katërt. Është një çokollatë natyrale me shije dhe ngjyrë absolutisht unike”, thotë Antoine De Saint-Affrieque, CEO i “Barry Callebaut”.

“Arsyeja përse i hodhëm më parë sytë nga Kina gjendet tek fakti që ajo është një treg shumë i rëndësishëm për ne dhe klienteë tanë, por edhe sepse është mjaft kërkuese si treg. Çokollata e kuqe këtu ka ecur tmerrësisht mirë, ndaj e pamë këtë si mundësi për ta zgjeruar tregun e çokollatës në këtë vend”, vijon ai.

Ëmbëlsira e re u krijua nga gjiganti zviceran i çokollatës, “Barry Callebaut” e u prezantua në Shangai nëpërmjet një paneli ekspertësh. Produkti inovator mund t’u japë një dorë shitjeve në tregun global të çokollatës të ndeshur me vështirësi të shumta kohët e fundit, që e detyruan gjigantin amerikan “Hershey”  të shkurtonte stafin e tij me 15 përqind,  ndërsa Nestle-n të përpiqej ta shiste biznesin e saj të çokollatës në Shtetet e Bashkuara./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme