Dalin në dritë të tjera dokumente të hartuar nga Shërbimi Inteligjet Amerikan. CIA ka deklasifikuar shumë dosje për Shqipërinë e viteve 1956 ndërsa bën një pasqyrë të situatës, së pari tregohet sulmet që nisën ndaj profesorëve, pasi shumë prej tyre u cilësuan si “Titoistë”.
Nga ana tjetër, aty tregohet se si bursat e studimit i përfitonin vetëm fëmijët e zyrtarëve të partisë. Një tjetër rast që përmendet është ai i Dali Ndreut, ku thuhet se u pushkatua për shkak se u cilësua agjent i Titos. Më tej tregohet se si Enver Hoxha ndryshoi qëndrim ndaj kulakëve, ai kërkoi rikthimin e shumë prej atyre që u larguan nga vendi të riktheheshin. Disa u kthyen, por më vonë u arrestuan. Në raport përmendet dhe Lazarati. Aty thuhet e ai ishte ndër vendet e pakta antikomuniste.
Raport mbikëqyrjeje
22 maj 1957
Rreth 30 avionë sovjetikë janë zbuluar në fushën ajrore të Beratit të kamufluar mes degëve të pemëve, ndërsa qeveria ka kryer një numër manovrash ushtarake ajrore në zona të tjera. Një numër parashutistësh janë lëshuar nga një avion me dopio -krahë mbi fushën ajrore të Tiranës. Ata besohet se ishin civilë vullnetarë që merrnin pjesë në manovra para-trupore, pasi kishin kryer ekzaminimet e nevojshme mjekësore. Besohet se ata janë paguar për çdo fluturim prandaj dëshira për t’iu bashkuar manovrave mes punëtorëve të regjimit ishte e konsiderueshme.
Situata fetare
Gjatë Krishtlindjeve dhe Pashkëve shumica e popullatës ortodokse të Gjirokastrës, përfshi edhe të rinjtë, merrnin pjesë në shërbesat kishtare.
Arsimi
Bursat e studimit për nxënësit e shkollave të mesme u jepen vetëm bijve të anëtarëve të partisë dhe simpatizantëve komunistë.Fëmijëve të reaksionarëve mund të aplikojnë për të shkuar në shkollë të mesme, por me shpenzimet e tyre. Studentët e shumicës së institucioneve shqiptare arsimore marrin bursa nga qeveria. Kështu, nga 9 studentë nga fshati Sopik, 4 kishin marrë bursë ndërsa 5 kishin studiuar me shpenzimet e tyre. Nga 5 të fundit, 2 i kishin prindërit të internuar në Gjirokastër për arsye politike. 9 studentët e sipër-përmendur studiuan në gjimnaz dhe në Institutin Pedagogjik të Gjirokastrës.
Problemet ndër-partiake
Disa profesorë të paemëruar të Institutit të Tiranës, si dhe sekretari i Partisë Komuniste të Polonisë, zoti Gomulka, janë akuzuar për titoizëm. Në një takim të Kooperativës së Punonjësve dhe Artizanëve të Tiranës në janar 1957, një agjitator mbajti një fjalim ku fillimisht akuzoi liderin polak Gomulka se po mbante një linjë të afërt politike me atë të Titos në Jugosllavi. Disa ditë më vonë, në një tjetër takim, presidenti i kooperativës së artizanëve i quajtur Sotir Koshollari, ngriti akuza të ngjashme ndaj disa profesorëve të institutit të Tiranës. Kjo është ajo çka ai tha: “Tito ka gjetur mbështetësit e tij në Tiranë mes disa profesorëve demagogë të Institutit”. Më pas ai sulmoi Liri Gegën, Petro Bulatoviç dhe Dali Ndreu, të cilët më pas u ekzekutuan nga autoritetet si agjentë të Titos.
Morali, propaganda qeveritare në lidhje me zhvillimin ekonomik.
Deri në vitin 1953, propaganda qeveritare në lidhje me sektorin ekonomik, i ka dhënë shumë më tepër rëndësi industrisë sesa bujqësisë. Por deri në mesin e 1954 propaganda ishte orientuar ndaj bujqësisë, gjithsesi pa lënë mënjanë zhvillimin industrial. Që prej periudhës së zhvillimit ekonomik, një numër i konsiderueshëm të rinjsh fshatarë ishin zhvendosur në qytete dhe vende të tjera pranë ndërtimeve të mëdha të prodhimit industrial. Më vonë në 1955, me ndryshimet në politikat ekonomike, një pjesë e këtyre njerëzve humbën vendin e punës. Shumica e të liruarve nga puna ishin ish-fshatarë dhe një pjesë e vogël vinin nga qytezat, dhe në vend që të ktheheshin në fshatrat e tyre, qëndruan në qyet duke kërkuar punë ( si teknikë, shoferë etj.) Disa prej tyre që u kthyen në zonat e tyre, nuk dëshironin më të punonin si fshatarë. Ata mësuan një zanat dhe nisën të punonin në ndërtim. Vendosmëria e tyre për të qëndruar në qytet shpjegohej me kushtet e vështira të jetës së fshatit dhe preferencën për jetën relativisht më të rehatshme të qytetit.
Kooperativat
Në të njëjtën kohë, qeveria u përpoq të promovonte kolektivizimin e fshatrave, veçanërisht në zonat fushore të vendit. Kongresi i partisë i vitit 1956 i mbajtur në Tiranë miratoi disa rezoluta në lidhje me luftën e klasave. Në të u vendos për reduktimin e fushatës kundër ish-kulakëve, si dhe për rehabilitimin e disa prej kulakëve që ishin denoncuar si të tillë me akuza të rreme.
Në vitin 1955 qeveria komuniste i bëri apel të gjithë shqiptarëve në diasporë (përveç kriminelëve) duke i ftuar të ktheheshin në atdhe. Por shumë pak prej tyre e bënë këtë. Një banor i paemëruar i Gjirokastrës që vendosi të kthehej, punoi gjatë vitit 1956 si kuzhinier në Gjirokastër, por më vonë u arrestua dhe u burgos. Në vitin 1956 u njoftua një reduktim në çmimin e veshjeve, çka shkaktoi një përshtypje pozitive te publiku. Por kur u bënë publike çmimet e reja njerëzit ishin të zhgënjyer pasi ulja ishte e pallogaritshme.
Revolucioni në Hungari
Në disa qytete njerëzit kishin dëgjuar për revolucionin në Hungari 2 ditë para se të transmetohej nga radio dhe shtypi shtetëror. Edhe kur ishte duke rënë shi, altoparlantët e instaluar në qytete gjithmonë ishin të rrethuar nga njerëzit kur transmetoheshin lajme për kryengritjen në Hungari. Punonjësit gjithnjë pyesnin njëri-tjetrin nëse kishin dëgjuar lajme të reja nga Hungaria. Njerëzit ishin më të interesuar në fillim kur ishte në qeveri Imre Nagy. Pas ndërhyrjes sovjetike dhe pas rivendosjes së regjimit komunist interesi i njerëzve u zvogëlua, deri sa arriti në pikën e indiferencës së plotë. Nuk pati demonstrata aktive proteste, përveç një rasti të përmendur nga kreu i kooperativës së Gjirokastrës, Sotir Koshollari në një takim ndoktrinim politik. Aty ai tha se një murator (pa i përmendur emrin) i kooperativës së Gjirokastrës tentoi të nxiste kolegët e tij punëtorë të kooperativës, që të ndiqnin shembullin e popullit hungarez. “Çfarë po presim? Ne duhet të ndjekim shembullin e popullit hungarez”, kishte thënë ai. Në përgjithësi morali i njerëzve është i ulët, ndërsa fshatra si Sopik, Poliçan dhe Lazarati janë plotësisht anti-komunistë.
25 shkurt 1959
Baza Pasha Liman, Vlorë Shqipëri
Survejimet fotografike tregojnë për një bazë nëndetësesh në ndërtim në skajin jugor ë Vlorës, ku një vit më parë kishte vetëm disa kapanone të vogla. Në anën perëndimore të saj është ngritur një pistë rreth 150 metra e gjatë dhe 8 metra e gjerë dhe në fillim të pistës gjendet hapësira e ndërtimit, me katër ndërtesa në formë kapanonesh. Zona e mbështetjes së projektit përbëhet nga një central i mundshëm me naftë dhe shtatë ndërtesa magazinimi me masa të ndryshme rreth 700 metra në jug të pistës. Zona ushtarake e strehimit dhe e administratës përbëhet nga 3 kapanone në formë T-je dhe gjashtë ndërtesa më të vogla. Nga fotot dallohet një nëndetëse e madhe e klasit ATREK dhe katër nëndetëse të klasit “Ë” të vendosura përgjatë pistës. Mjete të tjera të afërta detare përfshijnë një mjet të vogël çisternë, një barkë tërheqëse dhe dy barka patrullimi. Një mjet hidraulik gërmues po thellon ambientet ujore. Tre bateri goditëse me radarë, mundësisht artileri e mesme anti-ajrore janë të vendosura në pjesën më të lartë të gadishullit të Karaburunit. Dy prej tyre janë të pajisura me njerëz dhe kanë nga tetë gryka secila. Një bateri është 6-grykëshe dhe ka katër deri në gjashtë postet e zëna me ushtarë
Shpërthimi në Ibër Lepenc, çfarë dihet deri më tani
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...