Simon Kuper
E kam kuptuar që herët në jetë, edhe në familje, se kishte njerëz shumë më të zgjuar se unë. (Komentuesve ju lutem ti vendosin shakatë e tyre këtu.)
Por njëkohësisht kuptova se inteligjenca nuk ishte diçka statike. Kur njerëzit thonë “X është i shkëlqyeshëm”, bazuar në gradën e tij universitare të moshës 21 vjeç, është një thënie e pakuptimtë – sepse X mund të mos ketë mësuar më që atëherë. Çdokush mund ta bëjë veten më inteligjent. Një mënyrë është të studiosh njerëzit më të mençur. Po rendis disa nga zakonet e tyre:
Ata e trajtojnë çdo situatë si mundësi për të mësuar. Nëse bie në bisedë me njërin prej tyre, pavarësisht nga statusi më i ulët apo niveli i budallalëkut që ti ke, ata e dëgjojnë me vëmendje atë që thua. Ata nuk përpiqen të “fitojnë” takimin duke të goditur me shprehje, figura, batuta apo recitime që i kanë mësuar vite më parë. Njëherë bisedova në një dasëm me një burrë më të vjetër se unë të quajtur Bob. Diskutuam në lidhje me kujdesin shëndetësor në SHBA. Më vonë, motra e nuses më pyeti çfarë mendimi kisha për Bobin. “Ai nuk ishte memec,” i thashë bujarisht. “Jo”, pranoi ajo, “ai ka fituar Nobelin në ekonomi”. Cili është specializmi i tij? e pyeta. “Shëndetësia,” më tha ajo. E megjithatë Robert Fogel më kishte dëgjuar mua me më shumë vëmendje sesa kisha treguar unë për të.
Ata e drejtojnë mendjen për të parë personin përballë. Njerëzit që e kanë dhuratën për të parë botën e jashtme zakonisht i mbajnë kamerat e tyre të drejtuara nga jashtë. Neurotikët dhe narcistët nuk e bëjnë këtë gjë, pavarësisht se ata mund të jenë artistë të shkëlqyer në brendësinë e tyre (mendoni Woody Allen).
Ata shpesh e anashkalojnë mërzinë dhe ankthin që shkakton jeta sociale. Ata mendojnë se ka shumë gjëra për të mësuar dhe se nuk ka kohë për të humbur me biseda në rrugë, rinovimin e kuzhinës, çmimet e pasurive të patundshme, thashethemet në lidhje me shkollat lokale, ose bisedat që mbarojnë me shprehjet “Interesante!” apo “Qesharake!”.
Ata janë specialistë, por gjithnjë mundohen të bëhen mjeshtra dhe në fusha tjera. Jam njohur me Walter Mischel, psikologu që ndihmoi në ndryshimin e të kuptuarit të personalitetit, në vitin e tij të fundit të jetës, kur ai ishte 88 vjeç. Ai rrinte atje me kokën ulur, duke dëgjuar me vëmedje gjithçka që thoshin të gjithë. Në muret e apartamentit të tij, vareshin piktura të mrekullueshmne që i kishte bërë vetë në vitet tetëdhjetë. Në mënyrë të ngjashme, Edward Said, studiuesi i njohur në fushën e studimeve postkoloniale, ishte një kritik i rëndësishëm i muzikës. Këta njerëz respektojnë ekspertizën, sepse ata e dinë nga përvoja se është shumë e çmuar. Ata nuk janë si biznesmeni që hyn në politikë duke supozuar se me rregulla që do të aplikojë, pasi është më i zgjuar se idiotët që janë aty, ka për të zgjidhur papunësinë. Por ata kërkojnë të fitojnë ekspertizë edhe në një fushë tjetër. Francis Crick zbuloi kodin ADN pjesërisht për shkak se ai kishte ardhur në biologji nga fizika, duke sjellë me vete një palë sy të freskët.
Ata mbledhin njohuri nga shumë fusha të ndryshme. Libri më i mirë jo-fiction që njoh është ai i Hannah Arendt: Jeruzalem: Një Raport mbi Banalitetin e së Keqes (1963). Është një përzierje e historisë, filozofisë, reportazheve të saj (nga salla e gjyqit në Jeruzalem, në gjyqin e Adolf Eichmann) dhe – megjithëse kjo është e paqartë – edhe përvojë e saj personale si refugjate në Gjermaninë e Hitlerit.
Ata bëjnë punën që duan të bëjnë, jo ato punë që bota kërkon tu imponojë, madje edhe nëse ka një kosto për karrierën ose të ardhurat e tyre. Në kushtet e Warren Buffett, ata përdorin një “vlerësim të brendshëm” (një matës i brendshëm i meritës) dhe jo një “vlerësim të jashtëm” (vlerësimi i meritës nga shoqëria). Ata nuk kanë asnjë interes për të spikatur, për tu bërë të pasur apo të famshëm. Ata kanë tendencë të mos qëndrojnë në hierarkinë e lartë të organizatave publike ose korporatave, ku ata duhet të ndjekin një vijë të caktuar partiake dhe të bëjnë punët që u caktojnë shefat. Në pjesën më të madhe të shekullit të kaluar, të mencurit mblidheshin nëpër akademi, por kjo po ndryshon: gjithnjë e më shumë, akademikët shpërblehen për thellësi të njohurive në disiplinat e tyre vetiake, pasi fushat po bëhen më teknike dhe të specializuara.
Ata kanë imagjinatën për të prodhuar ide, por edhe përulësinë teknike për t’i provuar për të kundërtën e tyre. Hortense Powder në kujtimet e saj klasike antropologjike “Stranger and Friend” (1966), përshkruan një fundjavë të gjatë të kaluar në New Hampshire në 1932 në shtëpinë verore të antropologut Edward Sapir. “Rrjedha e mrekullueshme e bisedës” midis mikpritësit dhe një tjetër mysafiri të shtëpisë, psikanalisti Harry Stack Sullivan, e befasoi atë. Ajo ia atribuon veprën pjesërisht “personaliteteve të tyre”. “Çdo njeri duket se kombinon brenda vetes diçka prej shkencëtari dhe poeti”, thotë ajo. Poeti ka idetë; shkencëtari i provon ato. Falë këtij testimi, njerëzit e mençur në botën moderne mësojnë se nuk ka asnjë ide të madhe që shpjegon gjithçka. Esther Duflo, i cili këtë vit u bë fituesi më i ri i Nobelit në ekonomi, më tha në 2015: “Idetë e mëdha janë shumë joshëse. Unë besoj në ide të vogla”.
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...