Google ADS

Çfarë fjalësh thonë njerëzit më së shumti kur janë në gjumë

01:29 | 21 Qershor 2021
Trina Galanxhi

E folura në gjumë mund të jetë shumë turpëruese duke qenë se niveli i plotë i mungesës së koshiencës nuk jep asnjë mundësi kontrolli për ato që thuhen. Por nga një studim i ri, rrezikshmëria e të qenit folës gjatë gjumit është më e madhe, sepse mundësitë më të larta janë ato të të thënit të fjalëve ofenduese edhe të pista gjatë gjumit.

Studimi i drejtuar nga Dr. Isabelle Arnulf zbuloi se fjalët e thëna gjatë gjumit janë shpesh negative dhe i përkasin një fjalori vulgar, i cili i drejtohet një personi tjetër.

Skuadra e studiuesve analizoi 232 të rritur, nga të cilët 129 kishin çrregullime të të folurit në gjumë, 87 kishin përjetuar ecje gjatë gjumit dhe 15 të tjerë nuk kishin çrregullime të gjumit.

Gjatë dy netëve të gjumit, studiuesit regjistruan se çfarë sjelljeje do të kishin pjesëmarrësit gjatë gjumit. Në përfundim u regjistruan 883 incidente të të folurit në gjumë, të cilat përmbanin 3,349 fjalë të kuptueshme. Studimi zbuloi se fjala më e përdorur gjatë të folurit në gjumë ishte fjala “Jo.” 24% e të folurit në gjumë përmbanin fjalor negativ, ndërsa 22% e tij përmbanin fjalë të pista. Rreth 10% e të folurit në gjumë përmbanin edhe betime.

Përse kaq shumë fjalë negative?

Studiuesit besojnë se e folura në gjumë ndodh ndërkohë që jemi në periudhën REM të gjumit. Kjo periudhë është ajo që përmban ëndrra intensive dhe emocionale. Këto ëndrra mund të përmbajnë situata kërcënuese, gjë që shpjegon dhe përdorimin e një gjuhe negative.

E çuditshme është se përdorimi i gramatikës qëndron normal edhe në këto situata.

“Çfarë dimë deri tani është se e folura në gjumë është shumë e ngjashme me të folurën normale, në kushtet e një gramatike korrekte, me fjali të ndërtuara mirë, si edhe me pushime ndërmjet që, me sa duket, është koha e kthimit të përgjigjes së personit tjetër në ëndërr”, – tha Dr. Arnulf.

“Diferenca qëndron te kualiteti i gjuhës së përdorur e cila është një gjuhë negative, e vrazhdë dhe vulgare që i drejtohet dikujt tjetër, pra jo vetes së tyre. Kjo na sugjeron se truri përdor të njëjtën rrjetë informacioni siç bën edhe kur jemi zgjuar”, – përfundon ajo.

Prandaj nëse ju jeni një “folës nate”, ndoshta duhet t’i kërkoni ndjesë paraprakisht partnerit tuaj të gjumit, thjesht për të qenë në rregull.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme