Brenda “pyllit vetëvrasës” në Japoni

22:38 | 3 Janar 2018
Trina Galanxhi

Një video e debatueshme nga ylli i YouTube, Logan Paul, ka treguar makthin e një pylli japonez, pasi ai në video shfaqi trupin e një burri të varur në një pemë në pyllin Aokigahara në Japoni.

Në të gjithë vendin pylli njihet për vetëvrasjet që ndodhin aty, transmeton portali arbresh.info

Video nxiti reagim të gjërë në lidhje me trajtimin e shurdhët mbi vetëvrasjet dhe shëndetin mendor në një vend ku normat e vetëvrasjeve janë më të larta se në shumë vende të botës së zhvilluar.

Sipas Profesoreshës së Antropologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Karen Nakamura, pylli Aokigahara njihet si vend ku njerëzit zgjedhin të kryejnë vetëvrasje.

“Nuk është habitshme të gjejmë ndonjë trup atje”, tha ajo.  “Por ka një shkallë të zemërimit që një i huaj po zgjidhte të minimizonte këtë problem ose të fitonte para përmes rrjeteve sociale”.

Pylli i Aokigaharës, i quajtur ndryshe Deti i Pemëve, ndodhet në të djathtë të malit Fuji,afërsisht dy orë me makinë në perëndim të Tokios.

Në hyrje të pyllit, një shenjë u kujton vizitorëve se “jeta është një dhuratë e çmuar” nga prindërit e tyre.

“Thjesht mendoni edhe një herë për prindërit, vëllezërit , motrat apo fëmijët tuaj”, thuhet në shenjën e vendosur në gjuhën japoneze.

Reputacioni i errët i Aokigahara është i njohur me dekada. Në një roman të njohur të autorit japonez, Seicho Mastumoto, një heroinë shkon në pyll për të marrë jetën e saj.

Kohëve të fundit, pylli është shfaqur edhe në një film horror amerikan, në të cilën paraqitet një grua që e kërkon motrën e saj, por që në mënyrë misterioze zhduket në pyll.

Sipas një raporti qeveritar, mbi 100 persona që nuk ishin nga zona përreth pyllin kanë kryer vetëvrasje në mes të viteve 2013-2015.

Vetëm në vitin 2015, rreth 24 mijë njerëz kanë kryer vetëvrasje, raporton Ministria e Shëndetësisë në Japoni.

Ekspertët kanë kohë që tentojnë të zbulojnë se pse njerëzit e zgjedhin këtë pyll për të kryer vetëvrasje.

Psikiatri, Dr. Yoshitomo Takahashi, besonte se filmat dhe raportet e medias mund të kenë luajtur gjithashtu një rol.

Japonia është renditur e 26-ta në rangun global për numrin e lartë të vetëvrasjeve gjatë vitit 2015./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme