Edhe në vendet e botës që kanë shëndetësi të zhvilluar, operacionet plastike, që bëhen për arsye estetike, nuk mbulohen nga sigurimet.
Por, në Brazil, të ruash bukurinë është baras me të drejtën për të qenë person i shëndetshëm, ndaj shteti ofron operacione plastike falas, ose shumë lirë, siç ofron dhe shumë shërbime të tjera spitalore. Por kjo ka edhe anën e vet shumë të errët.
Shëndetësia shtetërore në Brazil nuk i afrohet aspak standardeve të klinikave private. Madje, shumë banorë thonë që të shkosh për operime plastike falas në spitalet shtetërore rrezikon shumë, aq sa trajtohesh si kavje për teknika të reja operimi.
Por, për shumë gra, në kulturën braziliane rrezikon edhe më shumë po të mos jesh e bukur. Bukuria është faktor domethënës në punësim, shoqëri, e madje edhe për t’u martuar. Kështu që spitalet shtetërore në Brazil kryejnë rreth 500,000 operime estetike në vit dhe radha e pritjes është e gjatë.
Meritën kryesore për përfshirjen e operacioneve plastike në sistemin shëndetësor falas e ka një kirurg, Ivo Pitanguy, i cili, në vitet 1950, bindi presidentin Brazilian, Juscelino Kubitschek, se të qenit jo të bukur e dëmton shumë mirëqenien e njeriut nëpërmjet stresit.
Në vitin 1960, kirurgu Pitanguy, i njohur sot si “Papa” i operacioneve estetike, hapi qendrën e parë në botë që ofronte operacione plastike për të varfrit. Ai vdiq plot nderime në moshën 90-vjeçare, në vitin 2016.
Në fakt, shumica e kirurgëve që kryejnë operime në shtet janë të rinj, ende duke mësuar që të bëhen kirurgë plastikë.
Teknikat dhe materialet e reja testohen me pacientët që shkojnë në spitale publike, duke i vënë në rreziqe shumë të mëdha. “Bioplastia”, për shembull, mund të shkaktojë dëme të tmerrshme te një pakicë personash, por mjekët atje e quajnë përqindje rreziku si në çdo operim tjetër.
Kirurgët plastikë brazilianë njihen në të gjithë botën për risitë që sjellin, por një nga arsyet është sepse në vendin e tyre nuk ka kufij për testimet që mund të bëjnë mbi njerëzit. Dhe njerëzit nuk kanë një sistem drejtësie që t’i përgjigjet mjaftueshëm, në rast se i hedhin në gjyq.
Pavarësisht, në një vend ku të qenit të bukur është diçka shumë e rëndësishme, pacientët janë gati të rrezikojnë gjithçka, edhe të bëhen subjekt për eksperimente të reja.
Brazili është konsumatori më i madh në botë i operacioneve plastike, me rreth 1.2 milionë në vit.
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës
Ngritet aktakuzë ndaj një ish-pjesëtari të forcave serbe për...