Babagjyshët me Harley Davidson

12:53 | 24 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Motoçiklistët e Harley Davidson të veshur me kostumet e Santa Claus kaluan nëpër rrugët e Tokios për paradën e tyre vjetore. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë ata vinin me një kauzë shumë të veçantë,  kundër abuzimit të fëmijëve.

Babagjyshët mbanin lodra për të gjithë fëmijët me shpresën për të dhuruar buzëqeshje në këtë vit mjaft të vështirë.

Parada është një traditë që bëhet edhe në vende të tjera të botës gjatë kohës së Krishtlindjes. Në Tokio, ngjarja mbahet nga anëtarët e “Harley Santa Club”, e cila është themeluar në vitin 2008.

Sipas tyre ceremonia e këtij viti do të thoshte më shumë, sepse qindra fëmijë gjatë këtij viti ishin më të prekshëm nga dhuna në familje.

Takashi Mine, drejtuesi i kësaj parade i bëri thirrje prindërve që të mos ia transmetojnë fëmijëve stresin e përditshëm, mos të bëhen të dhunshëm dhe të japin më shumë dashuri.

Motoçiklistët brohorisnin “Sa më shumë dashuri këtë vit të ri” për t’u sjellë gëzim fëmijëve që përballen me dhunën psikologjike, por edhe fizike. Ata po planifikojnë  që të vizitojnë disa shtëpi në Tokio këtë vit për të dhuruar lodra dhe ëmbëlsira për rreth 400 fëmijë.

Numri i rasteve të abuzimit të fëmijëve në Japoni u rrit në 20% midis Janarit dhe Marsit, pasi shumë familje kaluan kohë në shtëpi për shkak të pandemisë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme