Át Zef Pllumi: Si filloi rrënimi i Shqipnisë prej pushtetit komunist

02:12 | 5 Shtator 2017
Trina Galanxhi

Vetëm në kumbonaren e kishës françeskane, e cila zotnonte qendrën e qytetit, ende nuk ishte vû “trobojnica”. Flamuri i Shqipnisë, ai i vërteti pa spata e pa hyll, dridhej, përpëlitej i zymtë e i vetmuem: nuk shifte asnji si vedin. Përpiqej me u qindrue stuhive t’atij dimni komunist: ashtu i shkyem e i leckosun valavitej pa pushim.

Nji ditë të dhetorit dy partizanë trokitën në derën e Kuvendit Françeskan: “Duam të hipim në këmbanare.” Portieri më thirri mue, sepse un ditë për ditë u ngjitshem atje nalt për me kurdisë sahatin, të cilin e shifte gjithë Shkodra. Në të vërtetë, për këte detyrë ishte i ngarkuem Át Filip Mazreku: ai kishte vendosë së fundit flamurin e vërtetë të shqiptarëve me 27 nandor 1944, por tue kenë se un ishem i rí e i gatshëm, m’i besoi çilsat e kumbonares. Shkova me vrap e gjeta Át Filipin e i thashë se te porta kishin ardhë partizanët e dojshin çilsin e kumbonares.

“Ndigjo, – më tha, – un nuk mund i shof me sy; ti e din se këta mâ kanë zhdukë vllanë tem në Tiranë, pa shêj, pa nishan. Né nuk ia dim as vorrin, që të thomi nji uratë e t’i dërgojmë nji lule. Të lutem, shko ti me ta, çilsat i ke. Por ndigjo këtu: mos i len vetëm as për nji ças. Zoti e din se çfarë kurthesh mund të vejnë!” “Jemi të dërguar nga komanda për ta hequr atë rreckë që valavitet atje lart. Është turp, – thanë ata, – që mu mbi sheshin kryesor të qytetit të valavitet ajo leckë që nuk e ka as yllin partizan!” “Eh, po nuk kemi tjetër.” “I kemi prurë neve, të rinj fringo. Ja flamuri i Jugosllavisë motër, dhe ky me yllin partizan.” “Dy flamuj? – pveta un. – Po né kemi nji shtizë të vetme; nuk janë vendosë kurrë dy flamuj!” “Pse, t’Italisë nuk e vendosët ju?” “Kurrë.” “As atë të Vatikanit?” “Jo, kurrë.” “E si t’ia bëjmë?” “Si të doni.” “Ja që do kthehemi; do të marrim edhe një tjatër shtizë, prandaj na prit këtu e mos ik gjëkundi.”

Kur erdhën së dyti me shtizën tjetër, kërkuen prej meje çilsin e kumbonares. U ngjita bashkë me ta atje nalt, përmbi sahat, ku shpalosej flamuri. U mahnitën tue kqyrë qytetin rreth e rrotull. “Uaaa! Sa bukur!” Prej aty Shkodrën e kishe në shplakë të dorës. Mbasi u njoftuen me qytetin, atëhere e hoqën shtizën nga ganxha dhe venduen në tê flamurin e rí me hyllin partizan. M’u rrëqeth i gjithë trupi: ai flamur trim, malok, i rreckosun mbet aty si nji kufomë. Por kur deshtën me çpalosë flamurin jugosllav, nuk gjetën ganxhë.

“Ku ta vendosim shtizën? Këtu nuk ka ganxhë. Dreq o punë! – thanë, mandej pvetën: – A keni pak tel që ta lidhim këtu në parmakë?” “Jo, nuk kemi. Po kqyri nji herë, po edhe sikur të ketë, këtu teli nuk u qindron stuhive e shtërgatave, se jemi nalt; duhet ganxhë.” “Dreq o punë, dreq o punë! – thanë. – Ç’na polli! Lipset bërë dhe ganxha. Po si nuk na the që parë?” “As un nuk e dijshem, nuk u kujtova.” “Rri këtu, se do të biem një usta.”

Zdrypën e shkuen. Mbas ndonji ore u kthyen me gjithë nji usta. Ai vendosi edhe dy ganxha tjera. Në anën tjetër të flamurit të Shqipnisë u çpalos flamuri jugosllav. Dy flamuj. Poshtë, në qendër të qytetit, në shpinë e ré të posandërtueme të tregtarit të madh Zef Kokës, ishte komanda e komandave: Komiteti i Partisë. Dy partizanët me kapota, nga kumbonari, i thirrën dikuj atje poshtë. Ai qindronte në rrugë dhe jepte sinjale me duer. Përsëri i hoqën flamujt dhe u ndërruen vendet: aty n’atê vend ku përpara valavitej flamuri shqiptar, aty u shpalos flamuri jugosllav. Ndërsa n’anën tjetër kaloi flamuri partizan, të cilit ia ndalonte mjaft pamjen gunga e kishës. Gjatë darke, në mensën e Kuvendit Françeskan, mbahej nji heshtim i plotë, sikur të na kishte dekë ndokush i familjes. Kurrkush nuk e hapi gojën. Mbas darkës Át Mati Prendushi më thirri m’anësh e më pveti:

“Ti i ke çilsat e kumbonares?” “Po, m’i ka lanë Pater Filipi për me kurdisë sahatin.” “Ti e vune flamurin jugosllav?” “Jo, kurrsesi. Erdhën dy partizanë dhe e vunë.” “A e din ti, – më tha, – se aty n’atê vend me 12 qershor 1913 asht vû për të parën herë në Shkodër flamuri i Skanderbegut, dhe fretënt e kanë ruejt me pushkë në dorë? A e din ti se Pater Gjergj Fishta asht dënue me vdekje për atê flamur? A e din ti se as malazezët, kur kanë hî në Shkodër në 1915, nuk e kanë shpalosë atê flamur? A e din ti…”

“Pater, – i thashë, – të gjitha i dij. Ata që e vunë aty flamurin jugosllav ishin dy partizanë me pushkë, të derguem nga komanda. Shka kishem me bâ un: me u vra me ta?” “Jo, jo, nuk po të them se ke faj. Por oh, sa turp i madh! Mâ mirë të mos e kishem pá këte ditë! E si mbërrijti me u valavitë flamuri jugosllav mbi kumbonaret e kishave tona? O Zot, shif e gjyko!… Njerëzit e pafé paskan vetëm bark! Po shka thanë ata partizanët, a u bani përshtypje e si e ndien vedin kur vunë flamurin jugosllav?” “Thanë se zbatojshin urdhnin e…/g.shqip

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme