Raporti i Ali Pashë Tepelenës me të ëmën, do të ishte një ndër raportet më të forta në jetën e tij. Këtë gjë e tregon dhe biografi AlexandreDumas, në librin e shkruar mbi Ali Pashë Tepelenën.
Dumas tregon qëAliu që në moshë13-vjeçare ishte tejet i prirë për të plotësuar tekat e karakterit të tij. Edhe në moshë më të re, ai shfaqej trim, kokëkrisur, energjik në shoqëri – fodull nga natyra dhe i cunguar në arsimim.
U përvidhej kujdestareve për të kaluar kohën duke iu ngjitur maleve, duke u endur pyjeve, duke u kacavjerrë honeve, duke bërë topa të mëdhenj bore, duke mbushur mushkëritë me ajrin e freskët, duke marshuar përpara pa e çarë kokën për stuhitë e furishme, duke nxjerrë jashtë energjinë e tij negative nga çdo pore. Ndoshta mes këtyre rreziqesh ai filloi të tregohej sypatrembur para gjithçkaje dhe shfaqte guximin të mposhte çdo gjë; ndoshta mes madhështisë së natyrës u ngjall tek ai nevoja për madhështi personale, të cilën asgjë nuk mund ta ngopte.
“Më kot u mundua i ati t’i vinte fre egërsisë dhe të përmbante shpirtin aventuresk të të birit; që atëherë bënte vetëm në kokë të vet. Tepër kokëfortë, pra, ai nuk donte t’ia dinte për pengesa që mund të haste rrugës. Nëse e kyçnin brenda, ai do të shkallmonte derën ose do të hidhej nga dritarja; nëse e kërcënonin, ai do të hiqej sikur bindej, gjoja nga frika, dhe do të premtonte gjithçka që i kërkohej, por, sapo i krijohej mundësia, e shkelte fjalën si pa të keq.
Ai kishte një tutor që kishte për detyrë të mbikëqyrte veprimet e tij. E çmendte të gjorin duke i bërë lloj-lloj trukesh dhe, kur e kuptonte se nuk do t’i vuante pasojat, kishte raste që bëhej i dhunshëm me tutorin e tij. Vetëm në rini, pas vdekjes së të atit, ai filloi të bëhej më i arsyeshëm; madje, pranoi të mësonte të lexonte – për të kënaqur të ëmën, e cila e adhuronte pa masë, dhe në këmbim ai i falte gjithë dashurinë e vet”, tregon Dumas. Sipas tij, Hankoja e kishte Aliun pikë të dobët jo vetëm se e kishte gjakun e vet, por edhe se ajo shihte tek i biri një pasqyrim të karakterit të saj. Gjatë bashkëjetesës me të shoqin, të cilin e kishte pasur frikë, ajo qe dukur në sy të njerëzve si një grua e zakonshme; sapo Veliu dha shpirt, ajo iu dha pasioneve të saj të forta që i pati ndrydhur në gjirin e saj. Duke qenë se ajo vetë shfaqte ambicie, energji, guxim, sakrificë, hakmarrje, ajo i kultivoi këto ndjenja edhe tek shpirti i paepur i të riut Ali.
Ajo nuk lodhej kurrë së këshilluari. “- Biri im, – i thoshte ajo, – ai që nuk është i aftë të mbrojë trashëgiminë e vet, e ka hak ta humbasë atë. Të mos harrosh se pasuritë e të tjerëve u përkasin atyre për aq kohë sa ata janë aq të fortë sa për ta ruajtur, dhe se, vetëm nëse të bëhesh aq i fuqishëm sa për t’ua marrë, ato pasuri bëhen të tuat. Suksesi justifikon gjithçka, dhe atij që është i pushtetshëm, i lejohet të bëjë gjithçka”. Kur kapi zenitin e madhështisë së tij, Aliu deklaronte shpesh se e kishte arritur suksesin falë përkushtimit të së ëmës.
“Për gjithçka i jam borxhli nënës, – i tha Aliu një ditë konsullit francez. – Kur babai vdiq, ai nuk më la gjë tjetër përveçse një stalle kafshësh dhe disa arave. Imagjinata ime, e përndezur nga këshillat e një gruaje që më rilindi, përderisa më bëri burrë në kuptimin e vërtetë të fjalës, por edhe vezir, zbuloi sekretin e fatit tim. Duke ndjekur frymën e Hankos, që atëherë Tepelenën do ta konsideroja vetëm qytetin e lindjes, nga ku do t’i hidhesha si luan gjahut që mendërisht e kisha gllabëruar.
Ëndërroja vetëm për pushtet, thesare, saraje; me pak fjalë, çka kam fituar deri më tani dhe çka më mbetet ende për të bërë. Për ta kuptuar drejt. Dua të arrij më shumë. Nuk jam i kënaqur me kaq”.Hankoja nuk merrej vetëm me fjalë; ajo përdori çdo lloj mjeti për ta bërë sa më të pasur dhe sa më të pushtetshëm djalin e saj të shtrenjtë. Së pari, ajo helmoi fëmijët e skllaves së preferuar të Veliut, e cila kishte vdekur para tij. Kështu, pasi shtiu në dorë kontrollin brenda familjes, ajo duhej të ruhej nga rreziqet që mund të vinin nga jashtë. Ajo hodhi tutje perçen dhe furkën e leshit; hoqi dorë nga detyrat zakonore të një gruaje tradicionale dhe mori armët me pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve të saj. Mblodhi rreth vetes banditët e dikurshëm të bandës së të shoqit, disa prej të cilëve u joshën nga pagesa e dhurata, të tjerë nga hiret e saj femërore. Por nuk u mjaftua me kaq. Ajo rekrutoi të tjerë banditë. Nuk kaloi shumë kohë dhe ajo u vu në krye të njerëzve më mizorë dhe më aventurierë të Toskërisë.
Me ndihmën e tyre, ajo u bë njeriu më i pushtetshëm në Tepelenë dhe ndëshkonte ashpër çdokënd që i dilte kundër.Por banorët e dy fshatrave fqinjë të Hormovës dhe Kardhiqit, nga frika se mos kjo grua e tmerrshme, e ndihmuar nga i biri, tashmë i bërë burrë, do t’i godiste herët a vonë, thurën një aleancë të fshehtë kundër saj – më qëllim që ta hiqnin qafe sa më parë. Pasi u informuan se Aliu kishte nisur një fushatë të largët me ushtarët më të zotë, ata i befasuan tepelenasit pasi rrëmbyen Hankon dhe të bijën, Shanishanë, dhe i çuan në Kardhiq. Fillimisht menduan t’i ekzekutonin. Në ato rrethana nuk pyeste kush për prova fajësie përpara një dënimi me vdekje. I shpëtoi bukuria e tyre; për t’u hakmarrë, pengmarrësit parapëlqyen çnderimin në vend të vrasjes. Kjo gjendje, gjatë së cilës rrëmbyesit kënaqnin epshet e tyre seksuale, zgjati një muaj.
I çonin çdo natë shtëpi më shtëpi që bejlerët e agallarët të dëfreheshin me to. Më në fund, një grek nga Gjirokastra, i quajtur G. Malikovo, pasi kishte ndjerë keqardhje, pagoi njëzet mijë piastra dhe i ktheu në Tepelenë.Aliu sapo qe kthyer. Shkoi të takonte nënën dhe motrën, të zbehura e të sfilitura, të turpëruara dhe të tërbuara. Mes rënkimesh, me lotët që u rridhnin lumë, ato i treguan se ç’kishte ngjarë. Hankoja u hodh përpjetë duke i fiksuar sytë e saj mbi Aliun e shastisur, dhe tha: Biri im! Biri im! Shpirti im nuk do të gjejë paqe derisa Hormova dhe Kardhiqi të shkrumbohen nga kordha jote, derisa të mos mbetet gjallë askush që ka dëshmuar çnderimin tim.Aliu, tek i cili kjo histori makabër kishte ngjallur pasionet e tij gjakatare, u zotua për një hakmarrje edhe më mizore dhe iu përkushtua me mish e me shpirt planit për mbajtjen e fjalës. Duke e konsideruar veten bir të denjë të të atit, ai e kishte filluar jetën ashtu siç kishin bërë heronjtë e Greqisë së lashtë – duke vjedhur dele e dhi.
Që kur mbushi 14 vjeç, ai e quante veten bir hyjnor i Jupiterit dhe Majas. Kur u bë burrë, ai e shtriu edhe më tej veprimtarinë e tij. Në kohën që flasim, ai merrej me plaçkitje. Me anë të këtyre sulmeve banditeske shtoheshin të ardhurat e Hankos, e cila, që prej kthimit nga Kardhiqi, nuk shfaqej më në publik dhe i qe përkushtuar punëve shtëpiake. Aliu kishte mbledhur rreth vetes një forcë të konsiderueshme – e gatshme për të sulmuar Hormovën, njërin prej fshatrave, për të cilin ai kishte dhënë fjalën se do ta shkrumbonte. Aliu u nis drejt Hormovës në krye të banditëve të tij, por ndeshi në rezistencën e kundërshtarëve dhe humbi një pjesë të trupave të tij; u detyrua të shpëtonte kokën duke ia mbathur. Nuk e ndaloi revanin deri sa arriti në Tepelenë, ku u prit nga një Hanko e vrazhdë dhe e zhgënjyer nga disfata e Aliut. Etja e saj për hakmarrje vazhdonte të shtohej. – M’u hiq qafe! – i bërtiste të birit. – Zhduku more burracak! Shko të tjerrësh me gratë në harem! Ç’punë ke ti me shpatën, më mirë mëso të tjerrësh lesh! Djaloshi nuk tha një fjalë të vetme. Thellësisht i lënduar nga sharjet e së ëmës, ai u largua kokulur drejt maleve duke u munduar të fshihte poshtërimin në shoqërinë e një miku të vjetër. Sipas legjendës popullore, gjithnjë me tendencën për t’i bërë sa më mahnitëse aventurat e heronjve, Aliu gjeti në rrënojat e një kishe një thesar. Me xhepat e mbushura me para, tani ai mund të mblidhte sërish bandën e kaçakëve. Por ai vetë e ka kundërshtuar këtë version të historisë, duke pohuar se ai u pasurua me anë të metodave të zakonshme të plaçkitjeve dhe grabitjeve.
Nga banda e tij e vjetër, ai zgjodhi tridhjetë veta dhe vu në shërbim të Pashait të Negropontit si bylykbash – lider i grupit. Pashai paguante mercenarë për të mbajtur rendin dhe për të ruajtur kufijtë. Por shumë shpejt, i bezdisur nga rutina që ishte i detyruar të ndiqte në Negropont, ai u nis drejt Thesalisë, ku, duke ndjekur shembullin e të atit kusar, nisi plaçkitjen e karvanëve. Ai vodhi gjithçka kalonte përmes maleve të Pindit, plaçkiti një numër të madh fshatrash dhe u kthye në Tepelenë më i pasur dhe, për pasojë, më i respektuar se kurrë më parë.Aliu e përdori gjithë pasurinë dhe influencën e tij për të krijuar një bandë mizore kaçakësh.
E kështu, ai rifilloi sulmet plaçkitëse. Pas ankesave nga shumë krahina, Kurt Pasha u detyrua të merrte masa kundër kësaj bande. Ai dërgoi një divizion trupash ushtarake që e shpartalloi bandën e kaçakëve. Aliun me cubat e tij i kapën dhe i burgosën në Berat, kryeqyteti i Shqipërisë Qendrore dhe rezidenca e guvernatorit. Banorët e krahinave përreth u ndjenë të lehtësuar pas kapjes së njeriut që i kishte terrorizuar. Gjithë pjesëtarët e bandës u dënuan me vdekje; por Aliu nuk ishte nga ata njerëz që dorëzoheshin kollaj. Ndërkohë që po i varnin shokët, Aliu u hodh tek këmbët e Pashait dhe i kërkoi mëshirë në emër të prindërve të tij, duke u justifikuar se gjithçka e kishte bërë për shkak të papjekurisë së një djaloshi dhe duke premtuar se do të ndryshonte. Pashai, duke parë tek këmbët e tij një djalë bukurosh, me flokë të verdhë dhe sy blu, me zë bindës dhe gjuhë elokuente, në venat e të cilit rridhte i njëjti gjak me tijin, u prek pa masë, tregoi mëshirë dhe e fali.
Kështu Aliu shpëtoi paq. Në sarajet e të afërmit të tij të pushtetshëm, ku vuante një dënim të butë, ai mundohej që veprimet e tij të reflektonin ndershmëri dhe mirënjohje. Në sytë e Pashait ai tregohej i prirë drejt influencave pozitive dhe i penduar për gabimet e së kaluarës. Pas disa vitesh, duke besuar se i pandreqshmi kishte ndryshuar, dhe i bombarduar nga përgjërimet e Hankos, e cila i lutej vazhdimisht për lirimin e të birit të saj të dashur, Pashai bujar i dha lirinë, duke i lënë të kuptonte se nuk do të tregohej i mëshirshëm nëse ai do të cenonte rendin publik.
Nga ana e tij, Aliu, duke e marrë seriozisht kërcënimin, nuk rrezikoi aspak të tregohej kapadai; në fakt, përkundrazi, ai bëri ç’ishte e mundur që të bënte për vete njeriun, me zemërimin e të cilit nuk guxonte të përballej. Jo vetëm që e mbajti fjalën për të mos shkaktuar telashe, por me sjelljen e tij të mirë u harruan harbutëritë e dikurshme të tij dhe, me shërbimet që u ofronte fqinjëve pa asnjë lloj detyrimi, ai krijoi shumë miqësira të vlefshme. Në këtë mënyrë, shumë shpejt ai mori një rang të lartë mes bejlerëve të vendit dhe, duke qenë se ishte koha e përshtatshme për martesë, edhe për të formuar një aleancë të qenësishme, ai kërkoi dorën e bijës së Kapllan Pashës së Delvinës, i cili e kishte rezidencën në Gjirokastër. Nga kjo aleancë të dyja palët mbetën të kënaqura. Pra, kjo martesë i dha atij jo vetëm një nga gratë më të nderuara në Epir, por edhe një pozitë të lartë dhe influencë të madhe.
Por synimi i tij ishte sulmi në Hormov dhe Kardhiq të cilin do ta realizonte shumë shpejt./g.shqip/arbresh.info/
Tahiri: Kosova në izolim, pa agjendë diplomatike përveç taki...
Kurti: S’kemi mosmarrëveshje me Maqedoninë e Veriut, bashkëp...
Fermerët francezë në protesta mbi marrëveshjen tregtare BE-M...
Kurti: Nga 1 janari do të kemi pikëkalime të përbashkëta kuf...
Mickoski: Bashkëpunimi ekonomik do të jetë mbi gjysmë miliar...
Takimi ndërqeveritar, Kurti: Partnerë të lidhur jo veç prej ...