Ajo quhej Mari dhe Albert Ainshtain e takon gjatë qëndrimit në Arau. Alberti banon pranë familjes së një mësuesi historie me shtatë fëmijë, me të cilët do të krijojë një lidhje të ngushtë, e cila do të bëhet e rëndësishme për të në jetë.
Nga fundi i vitit 1895, pak muaj pasi është vendosur në familjen e tyre, Alberti bie në dashuri për herë të parë në jetën e tij, me vajzën e shtëpisë, Mari, dy vjet më e madhe se ai.
Gjashtëmbëdhjetëvjeçari i shkruan nga Pavia, ku ka shkuar për të kaluar pushimet te prindërit e tij: “E dashura ime! Shumë shumë faleminderit për letrën tënde të mrekullueshme, që më bëri pambarimisht të lumtur…Tani kuptoj, engjëlli im i vogël, çfarë do të thotë nostalgji dhe dëshirë për kë nuk është. Por dashuria jep shumë lumturi, shumë më tepër sesa, dhimbja që jep dëshira”. Historia e dashurisë nuk do të vazhdojë shumë gjatë dhe Alberti fillon dalëngadalë të humbasë interesin për vajzën, sidomos kur shkon në Zyrih për t’u regjistruar në Politeknikum. Do t’i përgjigjej gjithnjë e më ftohtë letrave të saj, derisa të mos kthejë më përgjigje duke e zhytur Marien e dashuruar, në një depresion të thellë.
Edhe kur mëson këtë fakt nuk është se bëhet disi më i kuptueshëm me të. Edhe me lutjet e vazhdueshme të vajzës, heshtja totale e Albertit duket mizore, por mund të shpjegohet se në atë moment, kur sapo ka filluar të ndihet i rritur dhe të fantazojë mbi veten, Maria mund t’i dukej shumë e thjeshtë në mendime dhe aspak e përshtatshme për të ndërtuar një dialog interesant, i përshkruar nga interesa të përbashkëta. Kohë më pas pasi nisi studimet Alberti do të përfshihet nga një pasion i ri emocional. Ndaj një serbeje nga Novi Sad, e quajtur Mileva Mariç, e vetmja studente femër në Politeknikun e Zyrihut. Ajo është tre vjet më e madhe në moshë dhe vuan nga një deformim i eshtrave të legenit, që e bën të çalojë kur ecën, përveçse nuk kishte asnjë gjë tjetër tërheqëse.
Por ka pasionin e përbashkët për fizikën dhe matematikën, që e bën Albertin të gjente një tërheqje të fortë intelektuale e mbi të gjitha, një person me të cilin, jo vetëm mund të shprehet, por edhe të konsultohet apo t’i kërkojë mendim, në lidhje me vizionet fizike të tij. Në korrespondencën e tyre, në dallim të madh nga letrat me Marin, vihet re shumë lehtë ky fakt. Lojërave të Ainshtainit mbi konceptet dhe dashurinë, Mileva i komenton: “Nuk besoj se duhet t’i vihet faj strukturës së trurit njerëzor, nëse njerëzorët nuk arrijnë të kapin idenë e infinitit. Njeriu që është perfektshmërisht në gjendje të imagjinojë lumturinë infinite, duhet të jetë në gjendje të kuptojë edhe infinitetin e hapësirës”. Kjo përzierje e seriozitetit dhe të batutave personale referuar shkencës, e joshte studentin duke shtuar së tepërmi interesin, ndaj kësaj lloj elokuence, të cilën ai rrallë e ndeshte edhe tek miqtë e tij më të afërt, transmeton gazeta shqip.
E tërë kjo situatë ndodh në vitin në 1898, dy vjet pasi ishin njohur në aulat e institutit dhe mund të thuhet se ata, filluan të shfaqen në sytë e të tjerëve, si një çift. Nuk banonin bashkë, por çdo justifikim ishte i vlefshëm për të shkuar te dhoma e njeri-tjetrit. Ky fakt, i habiste miqtë e tij, sesi shoku i tyre i pashëm dhe pasional, të dashurohet me një natyrë të zymtë, malinkonike dhe aspak tërheqëse, e për më tepër, që çalonte dukshëm.
E ëma e Albertit që kishte dashur e çmuar shumë Marin, si të përshtatshme për bashkëshorten e ardhshme të të birit, nuk e pëlqen serben e ngrysur dhe të shëmtuar dhe as që bëhet merak për intelektualitetin e saj. Paulina do të jetë gjithë kohës kundërshtare e kësaj marrëdhënie dhe nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj, edhe kur vihet në dijeni të bashkëjetesës së fshehtë së dy të rinjve. Nuk do t’ia dijë se biri e konsideron Milevën si gruan e jetës së tij, tek e cila nuk sheh thjesht një objekt bukurie e karizme, por një shoqe, kolege dhe bashkëpunëtore.
Për të, Mileva është shpirti i tij binjak. Të dy pak rebelë e antikomformistë në tip, intelektualë në mendje dhe me një shpirt të pavarur, që karakterizon stilin e tyre të jetesës, pa shumë kokëçarje dhe shpërfillës ndaj komoditetit dhe vogëlsirave, të një jetese të rehatshme në dukje. “Së shpejti do të jem sërish me dashurinë time e do të mund ta puth, ta përqafoj, të bëjmë kafenë, t’i bërtas, të studioj me të, të qesh me të, të shëtis me të, të bisedoj me të, deri në infinit”, i shkruan Milevës në atë periudhë, Alberti. Në letrat e tyre përzihen fjalët romantike me entuziazmin shkencor. “Jam gjithnjë e më i bindur se elektrodinamika e trupave në lëvizje si paraqitet sot, nuk korrespondon me realitetin dhe besoj se, është e mundur ta paraqesësh këtë, në një mënyrë shumë më të thjeshtë”, shkruan Alberti nga Arau, ku shkon shpesh të takojë familjen, në të cilën ka banuar.
Ndërkohë, të dy po përgatiten për diplomën, që do t’i japë fund periudhës studimore të tyre. Tashmë duhet të zgjedhin dhe të përgatisin një temë. “Më ka shkuar mendja të hulumtoj mënyrën, sesi lëvizja relative e një trupi në heter, ndikon në shpejtësinë e përhapjes së dritës”, i shkruan ai Milevës. E lidh këtë koncept me shkrimin e tij të parë, qysh kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç: “Kërkim mbi gjendjen e heterit në një fushë magnetike”, duke trajtuar një argument të rëndësishëm për fizikën: heterin. Deri në atë kohë, shkencëtarët e kishin konceptuar dritën, si një valë e zakonshme dhe e rregullt dhe presupozonin se në univers, ekziston një lëndë e kudondodhur, por e padukshme, e cila bënte të mundur përhapjen e valëve të dritës. Kjo lëndë ishte heteri.
Këtij koncepti Albert Ainshtaini i kthehet përsëri në temën e diplomës, në vitin 1990, por profesori Veber, me të cilin nuk duroheshin dot reciprokisht, nuk e pranon si temë, për arsyen se kjo çështje, pra ekzistenca e heterit, ishte trajtuar pa sukses për ta provuar, nga shkencëtarë të tjerë. Po kështu i rrëzon edhe dy ide të tjera, duke e detyruar të përgatisë një tezë, për të cilin ai nuk kishte asnjë lloj interesi: mbi përcjelljen e nxehtësisë. Alberti dhe Mileva morën dy notat më të ulëta të të gjithë kursit; 4,5 dhe 4. Por në vlerësimin total, Alberti arriti të shkonte në 4,9 duke mundur të diplomohet, ndërsa Mileva nuk mundi. Do të provonte pa sukses një vit më vonë, derisa të tërhiqej nga diplomimi duke humbur kështu, mundësinë për t’u marrë me shkencë. Nga gjithë eksperienca shkollore e tij, Ainshtaini arrin në përfundimin, të cilin do ta promovojë gjatë gjithë jetës së tij, se “baza themelore e një procesi edukativ është domosdoshmëria e një lirie intelektuale”.
E meritonte një pushim tani dhe vendos të shkojë të takojë të ëmën me të motrën Maja, të cilat gjendeshin në një lokalitet dimëror në alpet zviceriane, pranë kufirit me Italinë. Me të mbërritur në hotel, Alberti shkon në dhomën e të ëmës duke i treguar për diplomimin si dhe gjëra të tjera nga politekniku, derisa ajo e ndërpret duke e pyetur: “Po me Dokserin çdo të ndodhë?”, duke përdorur fjalën përkëdhelëse me të cilën i biri, i drejtohej të dashurës së vet. “Do të bëhet gruaja ime”, ia kthen Alberti, me po atë shpërfillje, me të cilën i ishte drejtuar pyetja. “Po shkatërron të ardhmen tënde dhe po prish shanset e tua”, vazhdoi Paulina.
“Kur ti të jesh tridhjetë vjeç, ajo do të jetë një shtrigë plakë”, insistoi e ëma. Në të vërtetë, Alberti është në atë moment njëzetenjë vjeç, kurse Mileva njëzetekatër dhe për klishetë e kohës, ky rast ishte jashtë normales. I ati Herman, i cili gjendej në Milano, ishte vënë në dijeni përsa i përket lidhjes së të birit me studenten serbe, më të madhe në moshë dhe si për ta zbutur pak situatën, i shkruan: “Gruaja është një luks që një burrë duhet t’ia lejojë vetes, kur të ketë arritur një nivel jetese të sigurt”. Replika e Albertit ndaj argumentit të babit ishte se, ai ka një opinion shumë negativ, ndaj këtij konceptimi mbi raportin e burrit me gruan. “Ajo që e dallon gruan në këtë rast nga një prostitutë, është se gruaja është e aftë të sigurojë një kontratë që zgjat tërë jetën”.
Ai i shkruan Milevës se, “prindërit e mi qajnë për mua sikur të kem vdekur” dhe si i ndikuar nga instinkti rebel vazhdon: “Vetëm tani po e kuptoj plotësisht, sesa marrëzisht i dashuruar jam me ty! Kuptova se prej një muaji nuk të kam puthur dhe e dëshiroj tmerrësisht”. Marrëdhënia e tyre kishte diçka që sipas të dyve, ishte më e lartë se ajo e njerëzve të tjerë të zakonshëm, ktek të cilët ndjenjat, ushtrojnë një kontroll të drejtpërdrejtë mbi emocionet. Kjo lloj ideje është shumë e përhapur në rininë e kultivuar gjermane të kohës, duke bërë dallimin midis njerëzve me opinione elitare, shumë të ndryshëm nga instinktet e ulëta të masave popullore.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...