Google ADS

A kanë ekzistuar vërtetë mbretërit magjistarë

18:04 | 10 Shkurt 2021
Arbresh.info

Ata nuk ishin mbretër, nuk ishin domosdoshmërisht tre, dhe sigurisht që nuk ndoqën një kometë. Nëse ata vinin nga Persia apo Mesopotamia, kjo është vetëm një hipotezë. Pretendimi se ata quheshin Melkior, Baldasar dhe Gaspar është një legjendë.

Përshkrimi që njëri prej tyre ishte zezak, është një shpikje fantastike.

Megjithëse citohen nga 1 në 4 ungjij (tek Mateu), që u kushton 12 vargje, historia e tyre është një nga më të njohurat (dhe më të falsifikuara) në shkrimet e shenjta. Por a kanë ekzistuar vërtetë këta mbretër magjistarë? Në një farë mënyre po.

Përtej Ungjillit, magjistarët ishin priftërinjtë e Medëve, paraardhës të kurdëve të sotëm:një popull malësorësh, që në shekullin VI Para Krishtit u nënshtrua nga persët. Historiani grek Herodoti, shkruante se ata interpretonin ëndrrat dhe studionin yjet.

Nuk është e qartë se cilin Zot adhuronin në fillim. Por në kohërat historike ata praktikuan Mazdeism, një fe e cila kishte profetin e saj Zoroaster dhe simbolin e saj zjarrin. Por e sigurtëështë qëata astronomë-fallxhorë-priftërinj nuk ishin kurrë mbretër.

Ose më saktë, pati një përjashtim nga rregulli në vitet në 522-521 Para Krishtit, kur një magjistar i çuditshëm, i gjymtuar dhe i kastruar, i njohur si Smerdi ose Gaumata, rrëmbeu fronin dhe haremin e mbretit Kambises II, gjatë kohës që ky nuk ishte në pallat.

Më pas ai kërkoi konsensusin e popullit për një grusht shteti, duke përdorur metodën më të vjetër në botë, që është ulja e taksave. Herodoti rrëfen:“Ai i premtoi popullit përjashtimin nga shërbimi ushtarak dhe taksat për 3 vjet”. Por i vetmi “mbret magjistar” në histori, nuk mundi të mbante dot premtimin e tij.

Qëndrimi i tij në fron zgjati vetëm 7 muaj, më pas u rrëzua dhe iu pre koka. Askush tjetër nuk e imitoi më aktin e tij, edhe pse filluan persekutimet e mëdha kundër magjistarëve. Por në kohën e Jezusit e gjithë kjo ishte parahistori:Perandoria Persiane ishte shkatërruar prej kohësh, dhe magjistarët kishin rifilluar ritet dhe studimet e tyre astronomike.

Prandaj ata kishin të gjitha atributet për të qenë protagonistë në një histori “magjike” si ajo që njohim. Sidoqoftë, a është i besueshëm teksti i Mateut? Historianët janë skeptikë. “Gjithçka sugjeron se historia e magjistarëve,është vetëm një trillim letraro-propagandistik”-thotë Mauro Peshe, profesor i Historisë së Krishterimit në Bolonja.

Mateu shkroi rreth vitit 80, kur feja e re po përhapej nga Palestina. Ndoshta ungjilli i tij dëshironte t’u dërgonte një mesazh jo-hebrenjve, duke u thënë se Jezusi u ishte zbuluar mbi të gjitha atyre. Në fakt, për hebrenjtë magjistarët ishin paganë. Por sipas Mateut, ata ishin në dijeni të ardhje së Mesisë para klerit të Jeruzalemit.

“Në historinë e Ungjilli”- shton Francesko Barcelona, ​​profesor i Historisë së Krishterimit në Universitetin e Romës-Tor Vergata “ka mesazhe të koduara edhe për hebrenjtë. Është e dukshme përpjekja për t`a lidhur figurën e Jezusit me profecitë biblike”.

Në Dhjatën e Vjetër, tek Libri i Numrave thuhet se në kohën e Moisiut një fallxhori quajtur Balaam, kishte bërë një profeci të zymtë: “Një yll ngrihet nga Jakobi dhe një skeptër ngrihet nga Izraeli, thyen tempujt e Moabit dhe kafkat e bijve të Setit”.

Nga ai varg hebrenjtë kishin nxjerrë përfundimin se Mesia, i destinuar t`a bënte Izraelin triumfues mbi armiqtë e tij, do të shpallej nga një yll i jashtëzakonshëm. Dhe këtu Mateu, shkruan se Jezusi lindi në kohën e shfaqjes në qiell të një ylli të çuditshëm:një komete, sipas interpretimit modern.

Ekzistojnë të paktën dy elementë të tjerë të dyshimtë në këtë histori. Së pari Ungjilli i Mateut është i vetmi që e tregon atë. Së dyti:rreth vitit të parë asnjë kometë e dukshme me sy të lirë nuk iu afrua Tokës. Në realitet, dyshimi i parë është i pabazë, sepse veç Mateut edhe 4 tekste të tjera antike, të përcaktuara si apokrife (pa autor), flasin gjithashtu për magjistarët.

Nga ana tjetër, mungesa e “yjeve me bisht” është një fakt i sigurt. Sipas llogaritjeve moderne, kometa Hallej u shfaq në vitin 87 dhe vitin 12 Para Krishtit, për t’u kthyer vetëm në vitin 66 Pas Krishtit,pra jashtë kornizës së dobishme kohore. Kometa Enke kaloi rreth vitit 1, por ajo nuk ishte e dukshme me sy të lirë.

Dhe në fakt, askush nuk e vuri re atë. U mendua gjithashtu për një kometë të mundshme të parregullt, por hulumtimi në tekstet antike laike nuk çoi në gjetjen e citimeve mbi yllin. “Kometa e Jezusit”, është një trillim që u përhap vetëm në Mesjetë. Atë e zyrtarizoi jo një teolog por një piktor, Xhioto, që në një afresk në Padova, bashkoi magjistarët me një yll me një bisht.

Atëherë, për cilin yll kanë aluduar tekstet e lashta? “Fenomeni më i mundshëm astronomik”- thotë Korrado Lamberti redaktor i revistës ‘Le Stelle’,“ka lidhje me afrimin e Jupiterit dhe Saturnit, që ndodhi në vitin 7 Para Krishtit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme